Pas raportimit të Periskopit, KQZ sqaron nenin që i mundësoi Krasniqit të bëhet deputet

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas artikullit të Periskopit ku tregohej se Partia Liberale Egjiptiane e Kosovës kishte fituar dyfishin e votave në krahasim me IRDK-në, parti tjetër e komunitetit egjiptian.

Nga të dhënat e KQZ-së dilte se PLEK kishte marrë 4881 vota për dallim nga IRDK që kishte marrë 1754.

Veç kësaj, tre deputetë të PLEK-së kishin qenë më të votuar se Elbert Krasniqi i IRDK-së, i cili ia doli të bëhej deputet.

Veton Berisha u bë deputet me mbi 3 mijë vota, ndërkohë që Artan Berisha dhe Bashkim Krasniqi, edhe pse më shumë vota se z.Elbert Krasniqi nuk ia dolën mbanë.

Por, pse ndodhi një gjë e tillë?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se Ligji për Zgjedhjet, më saktë neni 1,1 i tij kërkon që numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të subjekteve politike të pjesëtohej sipas numrave tek 1,3,5,7,9 e kështu me radhë.

Ky është sqarimi i plotë i KQZ-së:

  1. Struktura e Kuvendit të Republikës së Kosovës është përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 64. Duke u ndërlidhur me çështjen specifike të parashtruar në media, pra për ndarjen e ulëseve të vendeve të garantuara për komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptas, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton si vijon:

“komuniteti Rom një vend; komuniteti Ashkali një vend; komuniteti Egjiptian një vend; dhe një vend shtesë do t’i jepet komunitetit Rom, Ashkali ose Egjiptian që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme”.

  1. Në zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre 2 rome; 2 egjiptiane dhe 2 Ashkali.
  2. Sipas rezultatit përfundimtar, në mesin e këtyre 3 komuniteteve, më së shumti vota kanë subjektet nga komuniteti Egjiptian, dhe rrjedhimisht u takon mandati i dytë, pasi votat e komuniteteve janë si në vijim: komuniteti Egjiptian 6,635 vota; komuntieti Ashkali 5,059 vota dhe komuniteti Rom 1,366 vota.
  3. Ndërkaq, ligji për zgjedhjet e përgjithshme, neni 111 i cili shpjegon ndarjen e vendeve që buron nga neni i Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Ky nen, paragrafi 2, pika B dhe C, sqaron formulën e ndarjes së vendeve:
  4. b) numri i përgjithshëm i votave të vlefshme të fituara nga secili subjekt politik në zgjedhjet për Kuvend pjesëtohet me 1, 3, 5, 7, 9, 11, 13, 15, e kështu me radhë derisa numri i pjesëtuesve të shfrytëzuar t’i përgjigjet numrit të plotë të vendeve;
  5. c) koeficientët që rezultojnë nga vargu i pjesëtimeve rregullohen në renditje zbritëse. Vendet u ndahen subjekteve politike sipas koeficientëve në mënyrë që vendi i parë i takon subjektit që e ka koeficientin më të madh, vendi i dytë subjektit që e ka koeficientin e radhës më të madh, e kështu me radhë derisa të ndahen të gjitha vendet;
  6. Tabela në vazhdim tregon rezultatin brenda komunitetit Egjiptian:

Sipas rezultateve të shpallura më 7 nëntor 2019, subjektit politik Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës i takon mandati pasi sipas pikës C të lartëcituar ka koeficientin më të lartë të radhës. Pra 1,754 është më i lartë se 1,627.

 

 

 

Elbert Krasniqin që u bashkua me VV-në në kuvend, KQZ-ja e shpalli gabim deputet?

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Partisë Egjiptiane të Kosovës, IRDK, Elbert Krasniqi zhvilloi një takim me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, dhe me të cilin u pajtua që t’i bashkohej grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Legjislaturën e VII.

Kjo nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë një deputet më shumë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e rritur avantazhin me LDK-në në tre sosh.

Por, sa vota i kishte gjithsej z.Krasniqi?

Elbert Krasniqi ishte deputeti më i votuar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës me 962 vota. Vetë i dyti, ai do të përfaqësojë komunitetin egjiptian në Kosovë, shkruan Periskopi.

Deputeti tjetër është z.Veton Berisha i Partisë Liberale Egjiptiane, dhe i cili arriti t’i fitonte 3121 vota në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në fakt, nuk dihet se në bazë të çfarë kalkulimesh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve [KQZ] e futi në Kuvend partinë e z.Krasniqi, IRDK-në. Kjo parti i mori vetëm 1754 vota, ose vetëm 35,93 për qind të votave që i mori Partia Liberale Egjiptiane e Kosovës [4881]. Në bazë të përqindjes, Partia Liberale Egjiptiane do të duhej t’i fitonte dy deputetë ndërsa IRDK-ja asnjë.

Për më tepër, kjo parti politike i kishte dy deputetë tjerë më të votuar se z.Krasniqi, Artan Berisha me 1504 dhe Bashkim Krasniqi me 1224./Periskopi

PËRDITËSIM: KQZ ka njoftuar për Periskopin se në bazë të ligjit për zgjedhjet, partisë së z.Krasniqi, IRDK-së, do të futej në Kuvend pasi partisë rivale duhej t’i përpjesëtohej rezultati zgjedhor me 3. Koeficienti i IRDK-së nga ky përpjesëtim dilte pak më i lartë se ai i PELK-së.