Lufta e brendshme e njerëzve të VV-së: Njerëz që akuzuan njëri-tjetrin, shkarkuan dhe kërkuan dorëheqjen

Periskopi.com Lajme

Lista e Lëvizjes Vetëvendosjes për deputetë të Kuvendit të Kosovës është më e përçudshmja në histori të zgjedhjeve në Kosovë. Kjo për shkak të numrit të madh të njerëzve që përfaqësojnë parti të ndryshme, me ideologji radikalisht të kundërta me Vetëvendosjen. Por, edhe për shkak të njerëzve që në të kaluarën kishin konflikte të ashpra me njëri-tjetrin.

Brenda listës së kandidatëve për deputetë ndodhen edhe disa parti tjera. Beni Kizolli përfaqëson Lëvizjen për Drejtësi. Gazmend Islami përfaqëson Ballin Kombëtar. Mimoza Kusari Lila përfaqëson Alternativën.

Por, ajo që lë pështypje të madhe në këtë rast në fakt është prania brenda një liste e një morie kandidatësh që kishin probleme të mëdha mes vete.

Haki Abazi është në po të njëjtën listë me Avni Zogjanin. Ky i fundit kishte bërë hiç më pak se kallëzim penal ndaj të parit për shkelje të ligjit, pasi paratë e Rockefeller Brothers në mënyrë të kundërligjshme i kishte transferuar te partia Fryma e Re [FER].

Po ashtu, në konflikt të madh kishin qenë edhe Emin Gërbeshi me Mimoza Kusari Lilën. Të dy ishin pjesë e Aleancës Kosova e Re [AKR] që në atë kohë ishte pjesë e koalicionit qeveritar me PDK-në. Por, Emin Gërbeshi ishte deputet ndërsa Mimoza Kusari Lila ishte ministre. Gërbeshi e kishte akuzuar ashpër znj.Kusari Lila pas vendimit të saj për t’i vënë taksë të lartë doganore çimentos që vinte nga Shqipëria.”

Ajo që ndodhi më pas ishte tepër e rëndë për z.Gërbeshi. Ai ishte përjashtuar nga partia me një vendim arbitrar nga z.Behgjet Pacolli. Pas AKR-së, Gërbeshi kishte kaluar në Vetëvendosje, dhe në këto zgjedhje ka kandiduar për deputet.

Por, konflikti më i përçudshëm ndodhi mes kandidatit tjetër për deputet, Fidan Ademit dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit. Sot të dy janë pjesë e Vetëvendosjes, shkruan Periskopi.

Ademi, që kandidon nga radhët e Vetëvendosjes, kishte qenë drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rinë dhe Sport kur i kishte pëlcitur një skandal i tmerrshëm. Në rrjete sociale atij i doli një fotografi me kallashnikov [AK-47].

Sidoqoftë, Bahtiri ishte treguar i shpejtë dhe e kishte shkarkuar atë. Por, nuk kuptohet arsyeja e kandidimit të tij për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.