Kosova aplikon sërish në EQAR, pas përjashtimit për ndërhyrje politike

Periskopi.com Lajme

Në muajin mars të këtij viti, një ekip nga Asociacioni Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ENQA, do ta vizitojë Kosovën.

Aty do të kuptohet nëse Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij asociacioni, vendim i cili është ende duke u shqyrtuar, raporton KTV.

Pas vlerësimit të kësaj të fundit, do të vijë edhe përgjigja nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë EQAR, ku Kosova ka riaplikuar në tetor për anëtarësim.

Kryetari i Bordit të Agjencisë së Akreditimit, Gazmend Luboteni, ka deklaruar se kusht kryesor për të riaplikuar në EQAR ka qenë pavarësia institucionale.

EQAR e kishte përjashtuar Kosovën nga anëtarësia vitin e kaluar, kur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, kishte shkarkuar anëtarët e bordit të AKA-së, duke e cilësuar si ndërhyrje të politikës në këtë agjencion.

Në një përgjigje për KTV-në, zyra e EQAR-it e ka konfirmuar se Kosova ka aplikuar përsëri.

Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, pas vizitës në Kosovë, paneli i ekspertëve do të nxjerrë një raport, në bazë të të cilit EQAR-i do të konstatojë nëse Agjencia e Akreditimit ka plotësuar kushtet për regjistrim.

Në anën tjetër, mos-akreditimi i disa programeve të universiteteve nga Agjencia e Akreditimit, po vazhdon të kundërshtohet.

Kurse, rektorët e universiteteve publike, shkaku i kësaj, po e vazhdojnë grevën.

Por, kërkesën e rektorëve që të shkarkohet ministri i Arsimit, nuk po e marrin parasysh fare në këtë ministri.

Universitetet publike janë në grevë që nga fillimi i javës.