Shënohet viktima e parë nga ethet e minjve në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

“Sëmundja e Etheve”, një nga sëmundjet që ka prekur dhe vendin tonë, ka shkaktuar dhe viktimën e parë. Shefja e shërbimit të Infektivtit në QSUT, Najada Como, në një intervistë për Report Tv, tregoi se deri tani janë paraqitur 2 raste me këtë sëmundje, ndërsa tregoi edhe simptomat e para që ajo shfaq tek të prekurit.

Sëmundja “Ethet e Minjve” ka mbërritur dhe në vendin tonë. Dy raste janë paraqitur deri tani në QSUT, ku është shënuar dhe viktima e parë. Bëhet fjalë për një 32 vjeçar nga Erseka, i cili nuk ka mundur ti bëjë ballë kësaj sëmundje. Shefja e shërbimit të Infektivit në QSUT, Najada Como, shpjegoi për Report Tv se “ethet e minjve” ose siç quhet në gjuhën mjekësore, ethe hemoragjike, shkaktohet nga brejtësi i kuq dhe transmetohet përmes ushqimit. Como shton se nga virusi mosha më e rrezikuar janë të rinjtë nga 18-40 vjeç.

“Infeksioni që merret në mënyrë direkte apo indirekte nga minjtë bën të mundur të realizojë pra të japi dy lloj sinfeksionesh, infeksion nga virusi Hantavirus që është ethja hemoragjike që ka specifika për kohën që jemi tani, që është sëmundje evidente tani, me numer të pakët rastesh, jo numër të shumtë rastesh, por që është sëmundje me vdekshmëri shumë shumë të lartë. Mosha rreth 18 apo 35, 40 vjeçare është ajo që sëmundja prek më shpesh, kryesisht më shumë tek meshkujt”-u shpreh Como

Kjo sëmundje përhapet me së shumti në zona malore, ku ka dhe brejtës te egër. Simptomat dalluese janë temperaturë e lartë, ethe e dhimbje muskujsh. Po ashtu kjo sëmundje prek dhe organet jetike, ndaj ka dhe vdekshmëri të lartë. Mjekja bën thirrje që qytetarët sapo të shohin simptomat e para të drejtohen tek spitali rajonal i zonës ku banojnë dhe më pas rasti referohet zyrtarisht në QSUT.

“Shenja e parë që ka i sëmuri është temperature e lartë, ethja, dhimbja e kokës, dhimbja e barkut, dhimbja e muskujve dhe e dyta që veçohet shumë është që kjo sëmundje ka problematik të madhe për arsye se prek veshkat, duke dhënë pamjaftueshmëri të funksionit të veshkave, prek mëlçinë duke dhënë pamjaftueshmëri të funksionit të mëlçisë ,prek mushkëritë duke i dëmtuar ato. E vetmja masë që mund të marrës është që ushqimi që ti konsumon të jetë i kontrolluar, të jetë jo i kontaminuar, të mos jetë i lënë nëpër fusha dhe të kalojnë brejtës të ndryshëm. Në këtë rast je krejt i mbrojtur për të mos u rrezikuar nga Hantavirusi”- tha Najada Como

Qytetarët që jetojnë në Tiranë nuk janë të rrezikuar, kjo pasi në kryeqytet nuk ka vatër të kësaj sëmundje. Nxehtësia dhe thatësira janë favorizuese për sëmundjen, por edhe pse rastet janë të pakta , vdekshmëria është mbi 60%/Shqiptarja.

 

Një pacient në gjendje të rëndë nga ethet e minjve – ISHPK bën thirrje për kujdes, sidomos në ushqim

Periskopi.com Lajme

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën thirrje për kujdes ndaj etheve të minjve. Ata kanë njoftuar se këtë vit, një pacient është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Duke pasur parasysh se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve. Këtë vit, një rast i raportuar nga Klinika Infektive është në gjendje të rëndë klinike”, thuhet në deklaratë.

Burimi i infeksionit janë minjtë, ndërsa sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

“Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, vijon njoftimi.

Trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës janë tri mundësi se si mund të marrim ethet. Ndërsa trajtimi i sëmundjes bëhet në Klinikën Infektive në qoftë se pacienti paraqitet me kohë. Po qëse të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

IKSHP ka paraqitur edhe masat parandaluese:

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
  4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
  8. Mos hidhni mbeturina kudo
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.