Gabimet e rënda të EULEX’it, ngatërron mbetjet mortore të serbëve me ato të shqiptarëve

Periskopi.com Lajme

Në të paktën tri raste të identifikimit të mbetjeve mortore, misioni i EULEX-it ka dështuar ta kryejë me përgjegjësi detyrën e tij.

Bazuar në disa dokumente të cilat i ka siguruar Kohavisioni, misioni evropian për sundim të ligjit, në një rast, ka vënë mbetjet mortore të serbëve nën kodet e varrezave masive, me shqiptarë që janë gjetur në Serbi, raporton KTV.

Mbetje mortore të serbit me inicialet P.D., i gjetur në një varrezë në Malishevë, në raportet e ekspertëve të EULEX-it janë vënë nën kodin DSK1-RCAL3, kod ky i identifikimit të mbetjeve mortoreve të ardhura nga Peruçaci.

Ky fakt ka shqetësuar punëtorët vendorë të Institutit të Mjekësisë në Prishtinë, të cilët kanë kërkuar nga EULEX-i ndryshim dhe përmirësim të kodeve për shkak se një gjë e tillë mund të krijojë situata të paqena, pasi që, sipas tyre, në Peruçac ishin dërguar eshtrat e shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia serbe.

Edhe pse kërkesa e tyre ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, EULEX-i nuk i ka përmirësuar gabimet.

Bashkë me këtë rast, EULEX kishte kërkuar edhe mbylljen e dy rasteve të tjera pa dorëzuar fare raport të autopsisë dhe raport antropologjik.

Në një tjetër rast, EULEX kishte dështuar të identifikonte se cilit prej tre vëllezërve shqiptarë të vrarë gjatë luftës në Kosovë u takonin mbetjet mortore. Njëjtë ka vepruar edhe me mbetjet mortore të H.G.

EULEX-i nuk ka dhënë sqarime dhe në përgjigjen e tyre ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se janë vetëm ndihmës të Institutit që nga 15 qershori i këtij viti.

Nga ana tjetër, drejtori i këtij instituti, Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka pranuar që ka pasur një shqetësim nga punëtorët vendorë.

Kosova nuk ka ende antropologë dhe shumicën e shërbimeve i kanë kryer ekspertët e huaj në kuadër të misioneve të ndryshme që kanë punuar në Kosovë.

Antropologu i parë vendor do të nisë punën në qershorin e këtij viti.

Gjatë viteve 99-2000, 4 mijë e 19 persona janë varrosur në Kosovë pa analiza të ADN-së me metodën klasike të bërë nga Tribunali i Hagës.

Në vitet pasuese, 2002-2008, është identifikuar pjesa më e madhe e të pagjeturve që kanë ardhur nga tri varrezat masive në Serbi, përkatësisht Peruçac, Batajnicë dhe Bajnabashta.

Prej vitit 2008 deri në qershor të 2018, ky proces është udhëhequr nga EULEX-i. Gjatë kësaj kohe janë kthyer 53 trupa nga Rudnica.

Ndërsa familjarët kishin varrosur rreth 2 mijë persona pa kurrfarë analize. Prej 6 mijë personave që janë varrosur pa analiza të ADN-së, 20 përqind e tyre besohet se janë varrosur gabimisht.

EULEX’i ia lë në duar Prokurorisë Speciale afër një mijë lëndë gjyqësore

Periskopi.com Lajme

Në qershor të vitit të kaluar misioni i EULEX-it përfundoi mandatin në Kosovë.

Ky mision po vazhdon të qëndrojë ende në vendin tonë mirëpo nuk ka kompetenca ekzekutive. Ai është mekanizëm mbikëqyrës dhe këshillues për institucionet të cilat e zbatojnë ligjin.

Ndërsa lëndët me të cilat ishte duke u marrë ky mision (krime të luftës, korrupsion i nivelit të lartë.,etj), ia ka transferuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kalimi i të gjitha kompetencave nga EULEX-i tek autoritetet vendore është thënë nga këta të fundit se nuk përbën ndonjë sfidë, pasi këto institucione tashmë janë të gatshme të funksionojnë të pavarura dhe pa ndikime politike.

Ndërkohë nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar për lajmiN se kanë filluar të merren me të gjitha lëndët e transferuara.

“Po është duke u marrë dhe me këto raste merren të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i PSRK-së.

Tutje, ai ka bërë të ditur se nga EULEX-i janë përcjell në Prokurorinë Speciale gjithsej 974 raste-dosje.

Misioni i EULEX-it kishte ardhur në Kosovë në vitin 2008, ai ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë.
Ndërsa më 4 qershor të vitit 2018, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dorëzoi tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën e përmbylli mandatin e misionit të EULEX-it.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës mund të përsëritet nga fillimi

Periskopi.com Lajme

Rreth tri vjet pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale kundër Ukë Rugovës, djalit të ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova,  dhe ndaj 19 personave të tjerë, sot po tentohet të nis nga fillimi ky gjykim.

Ani pse sa kishte kompetenca EULEX-i ishin mbajtur disa seanca, procesi është kthyer në pikën zero, raporton KTV.

Kjo për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Kodi i Procedurës Penale parasheh që në rast të ndryshimit të trupit gjykues, procesi kthehet në pikën zero.

Në seancë mungojnë disa të akuzuar.

Pa praninë e të gjithë të akuzuarve, përveç nëse veçohet procedura, sipas Kodit të Procedurës Penale, seanca nuk plotëson kushtet ligjore që të mbahet. /Periskopi/

Ja pse nuk është zbardhur vrasja e Oliver Ivanoviqit, sipas ministrit serb

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq tha sot se për shkak të “trajtimit të dobët” të EULEX-it, rasti i vrasjes së kryetarit të Iniciativës SDP Oliver Ivanoviq ende nuk është zgjidhur.

“Nuk pres shumë nga institucionet e Prishtinës, por pres që EULEX të mos e trajtojë këtë rast me mosbindje, sepse për shkak të trajtimit të dobët të BE-së nuk kemi zgjidhje për këtë rast,” tha Stefanoviq në parlamentin serb ku deputetët ngritën pyetje për anëtarët e qeverisë.

Ai pyeti se ku është EULEX në hetimin e vrasjes së Ivanoviq, ku janë njerëzit nga BE dhe ku është policia speciale.

“Ata nuk na lejojnë të hyjmë në skenën e krimit, nuk na japin plumbat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Ata mund të kenë bërë një milion ekspertiza, kurse ne e kemi  vështirë të kryejmë një hetim pasi nuk mund t’i verifikojmë dëshmitarët, xhirimet apo çfarëdo qoftë, “tha Stefanoviq.

Ai tha se vrasja e Ivanoviqit ishte një akt terrorist dhe një krim, dhe se Beogradi po bënte gjithçka që mundej të gjejë vrasësit.

 

EULEX-i nderon Audrius Šenavičiusin

Periskopi.com Lajme

Misioni EULEX ka kujtuar Audrius Šenavičius, i cili e humbi jetën pesë vjet më parë deri sa po shërbente si doganier i EULEX-it.

Audriusi ndërroi jetë si pasojë e të shtënave me armë gjatë kohës kur ai me kolegët e tij po shkonin me makinë në pikën doganore në veri të Kosovës për ta filluar ndërrimin e tyre të punës.

Zëvendësshefi i Misionit Bernd Thran, i shoqëruar nga një përfaqësues i komunës së Zvečanit, ka shkuar në vendin ku Audriusi vdiq tragjikisht për ta vendosur një kurorë me lule në kujtim të tij.

I tërë personeli i EULEX-it e mbajti një minutë heshtje në nderim dhe respekt për kolegun e tyre.

“Sot ne e nderojmë kolegun tonë të dashur Audrius Šenavičius, i cili u vra tragjikisht në krye të detyrës. Audriusi e sakrifikoi jetën e tij në shërbim të vlerave dhe parimeve më të larta, duke kontribuar me përkushtimin, profesionalizmin dhe eksperiencën e tij për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.

Ajo bëri thirrje autoriteteve kosovare që kryesit e veprës të vihen para drejtësisë.

“Sakrifica sublime e Audriusit duhet të kujtohet përgjithmonë. Mendjet tona janë me familjen dhe miqtë e tij si dhe me autoritetet e Lituanisë, të cilët me pikëllim e dhimbje ende presin që kryerësit e vrasjes së Audriusit të sillen përpara drejtësisë. Tani kur EULEX-i do t’ia dorëzojë gjyqësorit të Kosovës rastin e vrasjes së Audriusit si pjesë e ndërprerjes së funksioneve ekzekutive të tij në sistemin e drejtësisë së vendit, unë i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i vazhdojnë pareshtur hetimet për këtë krim të neveritshëm” theksoi Papadopoulou.

EULEX: Të dyfishohen përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve

Periskopi.com Lajme

EULEX-i me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve ka kërkuar ngritjen e vetëdijes për gjendjen e rëndë të të pagjeturve dhe familjeve të tyre në mbarë botën, dhe duke u rizotuar për zgjidhjen e fatit të të gjithë atyre që janë të zhdukur.

“Për fat të keq, pothuajse njëzet vite pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, në listën e personave të pagjetur të Kosovës ende figurojnë edhe 1648 emra. Dhimbja dhe vuajtjet e familjeve dhe miqve të viktimave është tejet e rëndë”.

“EULEX-i për një kohë të gjatë i ka ofruar asistencë teknike Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore përmes ekipit të ekspertëve forenzikë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të të pagjeturve tek familjet e tyre.  “Duke qenë se EULEX-i është duke i dorëzuar përgjegjësitë kyçe në fushën e sundimit të ligjit tek institucionet relevante të Kosovës në pajtim me mandatin e tij të ri të rikonfiguruar – që përfshinë edhe punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore – është e domosdoshme që autoritetet e vendit të tregojnë zotim të vërtetë dhe t’i dyfishojnë përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve”, tha shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.

“Në kuadër të mandatit të ri, EULEX-i vazhdon të ketë kapacitete forenzike të specializuara. “Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë t’iu ofrojmë ekspertizë të këtij lloji homologëve tonë nga Kosova kurdo që nevojitet dhe kërkohet”, tha Papadopoulou.

Që nga viti 2008, EULEX-i ka kryer 609 operacione në teren me qëllim të identifikimit dhe ndërlidhjes së mbetjeve mortore, përfshirë 153 zhvarrime. Mbetjet mortore të 440 individëve janë identifikuar, 307 prej të cilëve ishin persona të pagjetur. 506 mbetje mortore u janë kthyer familjeve të tyre. EULEX-i po ashtu ka mundësuar analizat e ADN-së për 2261 mostra të eshtrave.

Dështoi me EULEX-in, BE-ja tash thotë se mund ta ndihmojë Kosovën me Vettingun

Periskopi.com Lajme

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses për politikë të jashtme të BE-së Federica Mogherinit, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit Evropian (KE) ky i fundit do t’i shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë edhe proceset e mëparshme për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore.

Bashkimi Evropian (BE) mund ta ndihmojë Kosovën për ta realizuar procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë nëse institucionet vendore kërkojnë mbështetjen e tyre.

Pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakajt, siç ka thënë ai për shkak të hetimeve që i ka zhvilluar për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së, shoqëria civile ka nisur protestat duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe një veting për gjyqësorin në vend.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherinit, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse Kosova ose partnerët e tjerë kërkojnë mbështetjen e Komisionit Evropian (KE) ky i fundit do t’i shqyrtojë rrethanat specifike, duke përfshirë edhe proceset e mëparshme për vlerësimin e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe të profesioneve të tjera ligjore.

 

Ish-gjykatësi i EULEX’it do të ndiqet penalisht nga një palë kosovare

Periskopi.com Lajme

Edhe pse është larguar nga Kosova, palët që kanë pasur punë me ish-gjyqtarin britanik Michael Simmons, nuk e kanë harruar kohën e tij këtu.

Tash e disa muaj, Reshad Zherka, i dënuar për ushtrim ndikimi në rastin e ish-prokurorit Nazmi Mustafi, ka nisur betejën ligjore në Angli.

Nga Londra kanë marrë një konfirmim nga Gjykata Supreme, që tregon se Simmons nuk ka punuar kurrë si gjykatës në Britaninë e Madhe.

“Gjykatësi Simmons nuk ka punuar kurrë në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe ne nuk kemi asnjë lloj informacioni për të”, thuhet në përgjigjen e dërguar për Zherkën.

Ai i ka thënë KTV-së se do të vazhdojë të kërkojë drejtësinë në Angli, pasi që janë ngritur pikëpyetjet për përgatitjen profesionale dhe kapacitetin e Simmons për të gjykuar në Kosovë.

Ish-gjyqtari britanik që në një kohë u bë edhe kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it në Supreme ka ikur nga Kosova në nëntor 2017.

Në letrën e dorëheqjes ai tha se po ikte nga një sistem i korruptuar, por vetë misioni evropian tha se po e hetonte për një seri ankesash ndaj tij.

Për më tepër, është raportuar se ai kurrë nuk e ka ushtruar punën e gjyqtarit në vendin e tij, por para Kosovës, po pa përvojë kishte shërbyer për disa vjet në Bosnjë.

Ai e kishte shpallur të pafajshëm Fatmir Limajn në rastin Kleçka, kurse pas ngritjes në detyrë kishte caktuar panelet e gjyqtarëve për raste të ndryshme.

Simmons ishte kryetar i trupit gjykues në rastin Kleçka, i cili kishte përfunduar me lirimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve.

 

EULEX: Nuk kemi më funksion ekzekutiv në sistemin e drejtësisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

EULEX përmes një deklarate për media dëshiron të qartësojë se pas fillimit të mandatit të tij të ri më 15 qershor, misioni evropian nuk ka më funksione ekzekutive në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Reagimi i EULEX-it vjen pas një deklarate të shpërndarë sot nga një medium në Kosovë, siç i është atribuuar zëdhënësit të EULEX-it.

“Si të tillë, nuk mund të caktohen lëndë për gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it, të cilët tashmë i kanë pushuar aktivitetet e tyre ekzekutive në EULEX”, përfundon deklarata.

EULEX-i dështoi në luftimin e korrupsionit

Periskopi.com Lajme

Kreu i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci në një intervistë për gazetën “Zëri” ka vlerësuar se gjatë mandatit dhjetëvjeçar në Kosovë EULEX-i ka dështuar në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ai ka pranuar se rasti i Xhabir Zharkut është një mesazh i keq për drejtësinë vendore.

Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci shprehet i pakënaqur me punën dhjetëvjeçare të misionit të EULEX-it në Kosovë, pasi ishte një mision shumë i shtrenjtë, i cili është dashur të përfundojë më shumë raste të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Këto komente Peci i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit ka pasur pak suksese në përfundimin e rasteve të tilla.

“Çka më ka penguar në këtë mision, që ua kam thënë edhe atyre, ka qenë mandati i gjyqtarëve  dhe i prokurorëve. Këta të fundit kanë qëndruar ndoshta një vit, kanë përfunduar mandatin dhe rasti i cili është nisur ka mbetur në gjysmë. Si pasojë e mandatit janë stërzgjatur procedurat, sepse ligji e parasheh që si të ndërrohet trupi gjykues rasti të nisë nga fillimi.

Këtë e kam konsideruar si një mangësi të këtij misioni dhe atyre që kanë menduar se kanë për të ndihmuar në Kosovë”, ka potencuar mes tjerash PecI.

Prokuroria i kërkon sërish BE-së heqjen e imunitetit ndaj ish-prokurores të EULEX’it, Maria Bamieh

Periskopi.com Lajme

Afro katër vjet kanë kaluar qëkur prokurorët vendorë kanë filluar të trajtojnë dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare nga ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo, që nga ajo kohë e deri më tani ky rast nuk ka mundur të hetohet pasi vazhdon të jetë pengesë çështja e imunitetit. Edhe pse institucionet kosovare qysh në fillim patën kërkuar heqjen e imunitetit nga Bashkimi Evropian (BE), një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Tani, siç ka mësuar “Koha Ditore”, Prokuroria Themelore e Prishtinës u është drejtuar sërish autoriteteve të BE-së pikërisht për këtë çështje, në mënyrë që të vazhdojnë hetimet.

Lista Serbe kundër përfundimit të mandatit të EULEX’it

Periskopi.com Lajme

 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se partneri i koalicionit, që i ka ngrirë pozitat, Lista Serbe, nuk po merr pjesë në seancën e sotme, pasi janë kundër përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe gjyqtarëve.

Tahiri në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se duhet të caktohet struktura e panelit të Dhomës së Posaçme.

“Nuk po flasim për sistemin gjyqësor në përgjithësi, por për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku 7 gjyqtar të EULEXIT përfundojnë mandatin”.

Ai shtoi se nuk mundet me një nen të zëvendësohen gjyqtarët e EULEX-it, sepse janë në dy panele.

 

 

 

Papadopulou: Kosovarët nuk do të gjykohen më nga EULEX-i

Periskopi.com Lajme

Shefja e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulou, ka thënë se ndryshimet në mandatin e këtij misioni do të jenë të mëdha.

“Deri tani çdo ndryshim ka nënkuptuar ndryshim apo rikonfirgurimin e misionit. Këtë herë nuk ka të bëjë vetëm me numra e stafit, por po ndryshon edhe substanca e mandatit”, ka thënë Papadopoulou.

“Ndryshimi i parë dhe më i rëndësishëm është që EULEX po tërhiqet nga funksionet ekzekutive në gjyqësor, që do të thotë se nuk do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe hetues të EULEX-it”.

“Arsye për këtë është se gjyqësori i Kosovës dhe hetuesit e Policisë së Kosovës kanë arritur në nivel të pjekurisë kur mund të marrin përgjegjësitë e tyre dhe mund të jenë të përgjegjshëm për këtë”.

Ajo ka thënë në një intervistë në Info Magazine se misioni i EULEX nuk ka qenë mision i hapur që sipas saj nuk ka qenë mandat i tyre që të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë.

“Sigurisht nuk ka qenë mandat i yni që t’i zëvendësojmë institucionet e Kosovës. Kemi qenë këtu vetëm për t’i ndihmuar Kosovës të ndërtojë një sistem të sundimit të ligjit, që është i qëndrueshëm, i përgjegjshëm, efikas dhe në përputhje me praktikat më të mira të BE-së”, theksoi ajo.

Në korrik fillon transferimi i lëndeve nga EULEX-i tek autoritetet e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX ka filluar me transferimin e lëndëve tek autoritetet e Kosovës.

Kalimi i të gjitha kompetencave nga EULEX-i tek autoritetet vendore, sipas përfaqësuesve të Prokurorisë së Kosovës nuk përbën një sfidë, ngase sipas tyre, këto institucione tashmë janë të pjekur të funksionojnë të pavarura dhe pa ndërhyrje e ndikime politike.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thotë se tashmë prokuroritë kanë nisur të pranojnë të gjitha lëndët nga EULEX-i.

“Prokuroria e Kosovës është e gatshme t’i marrë lëndët e EULEX-it. Ato kryesisht në bazë të kompetencave i merr Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, por besoj se në përgjithësi sistemi prokurorial tash është i kompletuar me kuadro. Kemi një numër të mjaftueshëm për momentin të prokurorëve dhe kemi prokurorë me përvojë, kështu që kjo nuk do të jetë sfidë”, tha Hoxha.

Nga fillimi i muajit korrik i këtij viti, prokuroritë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve të cilat kalohen nga EULEX-i. Kryeprokurori i Hoxha thotë se që në fillim është vërejtur një mangësi.

“Këto lëndë nuk po na vijnë krejt të kompletuara. Kemi edhe raste kur na dërgohen vetëm kopjet e lëndëve, jo edhe origjinali. Kështu që vijnë lëndët që janë afër parashkrimit”, thekson Hoxha.

Sipas tij, prokurorët kosovarë kanë përvojë edhe me lëndë që cilësohen si të ndjeshme, ku përfshihen ato të krimeve të luftës dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Përndryshe, sa u takon lëndëve të krimeve të luftës ne i kemi që një kohë, dy prokurorë që merren me lëndë të kësaj natyre, pastaj për krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë veç jemi duke i punuar ato lëndë dhe për ne nuk paraqet ndonjë sfidë”, deklaroi Hoxha.

Ai tha po ashtu se prokurorët nga Kosova janë të aftë të punojnë pa iu nënshtruar ndikimeve politike, duke përmendur edhe rastet nga e kaluara kur ishin ngritur aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ministra e ish-ministra.

“Ne kemi pasur raste të ngremë aktakuza edhe për ministra, edhe për sekretarë të përhershëm apo edhe për kryetarë komunash. Kështu që ne nuk kemi pasur kurrfarë pengese në atë drejtim. Nuk do të flisja për sistemin gjyqësor, jam kompetent sa i takon sistemit prokurorial”, tha Hoxha për Radio Evropa e Lirë.

Përderisa nga 1 korriku, kur misioni i EULEX-it pritet të kalojë në mision këshillëdhënës, kurse institucionet e ndjekjes penale vendore të pajisen me përgjegjësi shtesë, njohësit e sistemi të drejtësisë në Kosovë thonë se ky proces mund të jetë plotë sfida.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se gjykatat dhe prokuroritë vendore kanë shënuar rritje në aspektin e resurseve njerëzore, por në aspektin profesional, mbetet ende pikëpyetje.

Kjo për faktin se, sipas tij, deri më tash është dëshmuar në një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, se nuk kanë qenë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Siç thotë ai, kjo do të jetë sfidë e madhe në të ardhmen për institucionet.

Edhe përmirësimet në infrastrukturën ligjore, shihen si të domosdoshme për shtimin e efikasitetit të organeve nga sistemi i drejtësisë.

Departamenti amerikan i Shtetit në raportet e publikuara, disa herë ka kritikuar institucionet e Kosovës duke thënë se Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjet që mundësojnë përndjekjen e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz.

Rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë, aktualisht, janë të angazhuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Megjithatë, një numër i madh i lëndëve vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura nëpër gjykata.

Më 4 qershor të këtij viti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dorëzuar tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën përmbyllet mandati i deritashëm i misionit të EULEX-it.

Ky mision kishte ardhur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008. Misioni i EULEX-it ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë.

Fundi i turpshëm i EULEX’it në Kosovë, tregon fatin e reformës së drejtësisë në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

 

EULEX, misioni i ndihmës ndaj institucioneve kosovare për vendosjen e shtetit të së drejtës në Kosovë i financuar nga BE, i cili operon në Kosovë që në vitin 2009, i ka ardhur fundi.

Rreth tre mijë funksionarë të EULEX-it u vendosën në Kosovë për të vendosur zbatimin e ligjit në Kosovë dhe për të kufizuar klasën e korruptuar politike. Pavarësisht “mandatit ekzekutiv” të misionin deri në vitin 2014, asnjë “peshk i madh” nuk u hetua apo gjykua në Kosovë.

Për më tepër, EULEX u përfshi në disa skandale korrupsioni dhe shpërdorimi detyre, të cilat tregojnë “balkanizimin” e misionit të zbatimit të ligjit. Kjo bëri që Andrea Capussela një funksionar i EULEX-it, të kërkojë ndërprerjen e misonit EULEX me arsyen se “misioni aktual po dëmton Kosovën dhe në një mënyrë tërthortë interesin e BE-së”.

Sikur Exit.al raportoi vitin e kaluar, dështimi EULEX për të vendosur një sistem funksional të zbatimit të ligjit në Kosovë, në dallim nga mandati i tij gjithëpërfshirës, ka një ndikim të konsiderueshëm mbi reformën në drejtësisë në Shqipëri.

Katër nga tetë ekspertët ndërkombëtar të Bordit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) e cili supozohet të monitorojë procedurat e institucioneve të vetingut në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës të institucioneve të sistemit të drejtësisë, në të shkuarën e tyre kanë punuar në EULEX. Dhe standartet e dyfishta në vendimet e deritanishme tregojnë çarjen e parë të sistemit të vetingut.

Për më shumë, dështimi i EULEX-it, i cili tani nuk do të ekzistojë më në asnjë lloj forme, edhe pasi BE ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për të, nuk ka ndikuar aspak në mënyrën se si Komisioni Evropian është përballur me të njëjtat probleme në Shqipëri — kapjen e shtetit dhe korrupsionin.

Nëse ndërhyrja direkte e ndërkombëtarve në sistemin e drejtësisë në Kosovë nuk funksionoi, si mundet që ekspertët e Komisionit Evropian të presin ndonjë rezultat pozitiv nga një reform në drejtësi e drejtuar nga vetë klasa politike shqiptare?

Në fakt, shenjat që një tjetër mision i ndihmës ligjore të BE-së, EURALIUS, me një madat shumë më të kufizuar se sa ai i EULEX-it, dukshëm ka rënë pre e situatës politike shqiptare.

Përmes Komitetit drejtuese të EURALIU-it, në të cilin shumica përbëhet nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, EURALIUS është kthyer në një zgjatim të qeverisë më shumë se sa në një mision të pavarur nën autoritetin dhe kontrollin e Komisionit Evropian.

Eulex dhe EURALIUS janë simptoma të të njëjtit çrregullim të të menduarit që duket se mbizotëron në zyrat e Brukselit: domethënë ato mendojnë se mund të gjendet një zgjidhje teknokratike për një problem thelbësore politik si kapja e shtetit nga krimi i organizuar.

Duke mbështetur qeverinë shqiptare dhe atë kosovare kur në të njëjtën kohë dëshiron të ngresh një sistem gjyqësorë të drejtë me ndihmën e të njëtës qeveri që do të luftojë krimin dhe korrupsionin në klasën politike është si pëpjekja për të kthyer rrethin në katror. Është krejtësisht naive të mendosh që qeveria Rama, e mbështetur nga EURALIUS, do të ndihmojë sistemin gjyqësor në Shqipëri të pastrojë veten.

Eurodeputetja franceze Tanja Fajon, në një fjalim të mbajtur më 19 korrik 2016, në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian tregoi problemin e saktë, të cilin as EURALIUS, as Delegacioni i BE-së e as Komisioni Evropian nuk janë në gjendje ta adresojnë hapur. Ajo tha se:

Informacioni im është se për sa kohë që tre negociuesit kryesorë shqiptare [Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta] nuk do të marrin siguri të plotë për imunitetin e tyre, kur bëhet fjalë për jetën, familjen dhe pushtetin – do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të arritur reformën në drejtësi.”

Fakti se reforma në drejtësi eci përpara, e orinetuar nga EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë na tregon dy gjëra: ose Komisioni Evropian i ofroi siguri, në mënyrë informale, klasës politike në pushtet se nuk do të prekej nga reformimi i sistemit të drejtësisë; ose reforma në drejtësi do të jetë kaq e parëndësishme dhe joefektive, sa klasa politike në pushtet nuk ka përse të ndihet e kërcënuar nga ajo.

Sidoqoftë e vërteta, dështimi i EULEX-it në Kosovë dhe mungesa absolute e reflektimit kritik mbi këtë fakt nga ana e Komisionit Europian tregojnë se reforma shqiptare e drejtësisë do të përfundojë pikërisht në të njëjtën mënyrë: duke dëmtuar Shqipërinë dhe – në mënyrë të tërthortë – interesat e BE-së.

 

EULEX do t’i kryejë operacionet e Gjykatë Speciale

Periskopi.com Lajme

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) do të ketë mision operacional në Kosovë, për çështje që lidhen me Gjykatën Speciale. Veç kësaj, gjykatës me seli në Hagë do t’i ofrojë edhe mbështetje tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Nga gjysma e qershorit, ky mision është reduktuar në përbërje e edhe në mandat. Por ai do të ruajë disa kompetenca ekzekutive që ndërlidhen me dëshmitarët, e edhe të tilla që kanë të bëjnë me Specialen, gjykatë që ka në juridiksion të zbardhë pretendimet për krime lufte të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të përmbledhura në raportin e senatorit Dick Marty, e i cili mban vulën e Këshillit të Evropës.

Në EULEX kanë treguar se cili do të jetë bashkëpunimi konkret me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, emërtim ky zyrtar për Specialen.

“Sipas mandatit të ri, misioni i EULEX-it do të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e prokurorit të specializuar duke ofruar mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtim me legjislacionin përkatës të Kosovës”, thuhet në një përgjigje të shkruar që gazetës ia ka dhënë ky mision evropian.

EULEX-i do të zbatojë mandatin e ri përmes Njësisë për Monitorim dhe Njësisë për Operacione.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it i lidhur me Gjykatën Speciale

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës i’a ka vazhduar punën EULEX-it, edhe për dy vite të tjera. Mandati i ri i tij do të jetë vetëm monitorues dhe këshilldhënës në rastet gjyqësore.

Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, thotë për RTV Dukagjinin se arsyeja e vazhdimit të punës së EULEX-it lidhet direkt me fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Arsyeja pse i është vazhduar mandati misionit të EULEX-it edhe për dy vite, është direkt e lidhur me fillimin e punës së Gjykatës Speciale”, shprehet Anton Nrecaj.

Sipas tij, mosefikasiteti i institucioneve vendëse të drejtësisë në arrestimin dhe gjykimin e personave të akuzuar për krime lufte, do të bëjë që EULEX-i të ketë detyrën e arrestimit të personave që mund t’iu ngriten akuzat.

“Është misioni i EULEX-it, i cili do ta merr përsipër këtë pjesën e ndalimeve, arrestimeve dhe gjithë kësaj faze paraprake, para se të fillojë gjykimi ndaj personave me aktakuza për krime lufte”, ka thënë Nrecaj.

Miftaraj: Eulex i sukseshëm, vetëm nëse do të ketë staf të ri

Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se një mënyrë e mirë që vazhdimi i i mandatit të EULEX-it të jetë i sukseshëm është ndërrimi i stafit dhe sjellja e njerëzve të rinj.

“Ne mendojmë se e vetmja mënyrë që ky mision edhe këtë komponent ta kryente në mënyrë të paanshme është që të sjellë personel të ri që nuk ka qenë më parë në Kosovë. Ne dyshojmë që personeli aktual do të jenë mjaftueshëm të pavarur pasi janë të familjarizuar me politikanë dhe grupe të interesit në Kosovë”, ka thënë Ehat Miftaraj.

Zëvendësshefi i EULEX-it: Do ta ndihmojmë Gjykatën Speciale nëse ka nevojë

Periskopi.com Lajme

Misioni për ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë, EULEX, vazhdon punën me një mandat të ri në rolin konsultues. Për arritjet dhe të ardhmen e këtij misioni flet për DW, zëvendësshef i EULEX-it, Bernd Thran.

Deutsche Welle: Më 15 qershor iu dha fund, respektivisht filloi misioni i ri i, si quhet ai?

Bernd Thran: Ai vazhdon të quhet EULEX. Emri nuk ka ndryshuar.

DW: Po sidoqoftë, fillon tani një epokë e re. Edhe me rastin e 10 vjetorit të EULEX-it u bënë bilance të ndryshme, që mund t‘’i quash edhe negative. Shumë media shkruajnë „Janë bërë vetëm shpenzime”. Çfarë bilanci keni bërë ju?

Bernd Thran: Unë do thoja se bilanci në fakt është pozitiv. Natyrisht që varet si e shikon. Nëse e shikoni si kosovar, mund të qëllojë që bilanci të jetë negativ. Nga ana tjetër bilanci është pozitiv nëse mendon se shteti i Kosovës ka 10 vjet që ka filluar të ekzistojë dhe e filloi pothuajse nga zeroja. Nga zeroja filloi edhe Misioni i EULEx-it. Ai ka qenë misioni më i madh, që BE ka pasur dhe për herë të parë një mission me mandat ekzekutiv.

Megjithatë kur bëhet bilanci thuhet pikërisht për mandatin ekzekutiv, se ai nuk është zbatuar si duhet. Se u identifikuan persona, dhe u bënë arrestime por nuk ndodhi shumë edhe në rastet kur ka pasur akuza konkrete?

Po. Ne duhet të kemi parasysh se flasim për një mision të shtetit të së drejtës. Edhe në Gjermani ka raste kur flitet shumë dhe në fund nuk jepen dënime. Si duhet matur suksesi? Kemi të bëjmë me dhënien e dënimeve kur mendohet se dikush është fajtor, apo kemi të bëjmë me ngritjen e një sistemi ku duhet ngritur shteti juridik, ku drejtësia të ketë rrugën e vet normale deri në dhënien e gjykimit, i cili mund të jetë dënim por edhe lirim? Problemi kryesor i misionit ka qenë që në fillim si ngrihet strategjia e komunikimit. Nëse për shembull shpesh u fol për peshqit e mëdhenj, EULEX-i do vijë të kapë peshqit e mëdhenj dhe do t’i dënojë. Këto thënie, që kanë ardhur nga jashtë EULEX-it, nuk janë komunikuar mirë. Sepse në një fushë të tillë nuk mund të flasësh për “Peshq të mëdhenj” që do nxirren para gjyqit dhe do të dënohen. Dënimi ka të bëjë me atë se a ka dëshmi, a ka fakte për rastet që të jenë të mjaftueshme për të dhënë dënimin. Ky ka qenë problemi më i madh i EULEX-it, që ne nuk kemi qenë komunikativ me atë ç’ka pritej prej nesh. Pasi kanë ndodhur gjërat, gjithnjë mund të thuash çfarë mund të ishte bërë më mirë. Por gjërat kështu ndodhën. Ishte hera e pare që u krijua një mission i BE-së, i cili u pajis me një mandat ekzekutiv. Gjë që me kalimin e kohës solli që të krijoheshin përvoja pjesërisht edhe negative. Dhe për t’i ndaluar ato duhej ristrukturuar misioni: Dhe tani më 15 qershor filloi një mission me një mandat të ri, gjë që nuk ishte bërë në 10 vjetët e tij.

A nuk mund të vazhdohej mandati siç ishte për t’i mbyllur shumë çështje dhe për t’u marrë edhe me peshqit e mëdhenj? Ose nga ana tjerër, a nuk mund t’i jepej fund krejt misionit?

Kjo është një pyetje e vështirë. Pyetja e pare që bëhet është çfarë ndryshimi mund të bëjmë në Kosovë, nëse vazhdojmë me të njëjtin mandat? Ose çfarë do të ndodhë nëse e ndryshojmë? Unë mendoj se ne kemi pasur 10 vjet këtë mandat ekzekutiv dhe gjykatësit tanë, prokurorët dhe policët kanë bërë punë shumë të mirë. Sidoqoftë në sektorin e drejtësisë penale janë dhënë 479 dënime për çështje korrupsioni, kriminalitet të organizuar, larje parashë, krime lufte dhe në sektorin civil ka pasur 42 mijë raste. Pra në pjesën ekzekutive të misionit është bërë diçka, dhe kjo duhet vlerësuar. Sidoqoftë ne kemi ardhur në një pikë ku duhet t’i dorëzojmë detyrat më shumë tek autoritetet lokale, që do të thotë, institucionet lokale të drejtësisë duhet t’i përpunojnë rastet dhe t’i mbyllin.

A mendoni se institucionet lokale dhe organet ekzekutive të drejtësisë në Kosovë janë në gjendje të punojnë në mënyrë profesionale dhe të pavarur?

Ato duhet të vendosen në gjendje që të veprojnë në atë mënyrë. Në të kaluarën organet ekzekutive gjithnjë thonin për rastet e vështira që mund t’i kalojnë EULEX-it. Ky rast është kritik, i rrezikshëm ne nuk duam të merremi me këtë. Është më mirë nëse e bën EULEX-i. Kur diçka nuk shkon në rregull atëherë është EULEX-i, që është marrë me të dhe asnjëherë institucionet lokale. Përgjegjësia mund t’i lihej EULEX-it. Ne mendojmë se shtetet anëtare duan të thonë me mandatin e ri që kemi ardhur në një pikë ku duhet të mos vazhdojmë të bëjmë punën e kosovarëve. Kështu që tani puna kalon në institucionet kosovare dhe ne do të vazhdojmë me mbështetje dhe aty ku është e nevojshme me ndihmë në mënyrë që kjo gjë që është arritur të mos marrë drejtim të gabuar.

Zoti Thran, a mund të tregoni si do të jetë misioni në të ardhmen, volumi dhe si do të pajiset ai?

Me vendimin e Këshillit Evropian, ne kemi marrë një mandat që deri nga 15 qershori i këtij viti deri më 14 qershor 2020, pra një mandat dyvjeçar. Misioni do të ristrukturohet për here të parë krejtësisht. Ne do të tërhiqemi nga pjesa ekzekutive, ne nuk do të angazhojmë më gjykatës, prokurorë dhe polici për të përpunuar rastet ekzistuese ose për të marrë raste të reja. Ne do të kemi mandat në përforcimin e punës në mbështetje të institucioneve kosovare në punën e tyre.

Mbështetje në kuptimin e këshillimit?

Po, ashtu është. Në kuptimin e këshillimit në sektorët e drejtësisë penale dhe kryerjes së dënimit, sepse atje janë parë deficite të mëdha. Këto janë sektorët e vetëm ku ne do të ushtrojmë aktivitetin tonë. Monitoruesit tanë do të shkojnë në burgje dhe do të japin këshilla. Pastaj do të merremi me rastet që jemi duke dorëzuar tani dhe janë raste delikate për Kosovën. Kjo është një nga arsyet pse gjykatësit dhe gjykatëset e EULEX-it janë përfshirë në to. Ne do të vazhdojmë t’i shoqërojmë këto raste. Dhe me të ashtuquajturën „exchange of letters”, kemi bërë të mundur që këshilltarët tanë të mund të shkojnë edhe në zyrat e gjykatësve dhe prokurorëve, të shohin faktet për rastet dhe në rast nevoje dhe të këshillojnë gjykatësit dhe prokurorët se ku mund të bëhen përmirësime, ku ka gabime. Pra kjo bëhet me monitorim, gjë që ne e njohim dhe çfarë për shembull bën OSBE, me vëzhgim dhe përpunim të rasteve në sallat e gjyqit, që janë të hapura për publikun.

Rastet delikate janë rastet e krimeve të luftës?

Ato janë kryesisht krime lufte, por edhe raste korrupsioni në nivel të lartë.

Atëherë do të kemi vazhdimin ose në fakt fillimin e punës së Gjykatës Speciale? Kjo për shembull ka qenë një nga gjërat që është zhvilluar ngadalë.

Kjo Gjykatë është ngritur sipas ligjeve kosovare. Aty punojnë gjykatës ndërkombëtarë, por ligjet janë kosovare. Në mandat bën pjesë sigurisht edhe mbështetja e Gjykatës në Hagë në detyrat e saj kryesore, që janë sigurisht në fushën e mbështetjes operacionale, që është po ashtu e lidhur me aktivitete ekzekutive. Kjo do të thotë se nëse është e nevojshme ne do të kryejmë edhe operacione në kuadër të gjykatës në Hagë të ngritur sipas ligjeve kosovare.

Zoti Thran, cili është kontributi gjerman në misionin e ardhshëm?

Shpresoj që Gjermania ta mbështesë misionin si deri tani. Unë do të vazhdoj në këtë detyrë deri në fund të vitit. Ne jemi 18 punonjës policie dhe 12 civilë nga Gjermania. Kështu që pas Polonisë, ne jemi kontigjenti i dytë më i madh që mbështet misionin në Kosovë.

Polonia ka kontigjentin më të madh në EULEX?

Po, Polonia ka kontigjentin më të madh. Kjo për faktin që sektori operacional, pra masat operacionale ofrohen nga Polonia. Polonia pra ka një trupë me 100 forca policore, që kryejnë rolin e „second responder”. Që do të thotë ne kemi ngritur një sistem sipas të cilit policia kosovare reagon e para kur ka shkallëzime të dhunës. Nëse ajo nuk do të ishte në gjendje të merrej me incidentin, atëherë vjen trupa nga EULEX-i. Nëse edhe ajo nuk është në gjendje atëherë ne thërrasim KFOR.

A ka EULEX-i prezencë në kufirin e Kosovës me Serbinë në veri?

Prezenca e EULEX-it do të jetë sporadike në sektorët e mbështetjes së dialogut midis Prishtinës dhe Kosovës. Nëse nevojitet ndihma jonë, ne do të dërgojmë monitoruesit tanë në pjesën veriore në të dy pikat e kalimit. Përndryshe, deri sa zyra e BE-së në Prishtinë ka si detyrë mbështetjen e dialogut, tre monitorues do të qëndrojnë në stacionin policor në Mitrovicë, për të mbështetur krijmin e kësaj njësie. /dw/.

Shefja e EULEX-it: Kosova, përgjegjëse për të ardhmen

Periskopi.com Lajme

Shefja e EULEX-it, Aleksandra Papadopoulou vlerësoi sot se pas 10 vjetësh, suksesi më i madh i misionit është se po largohet nga Kosova.

Në intervistën e saj për N1, ajo tha se “jo gjithçka është e përsosur”, por askush nuk priste që ajo të ndërtonte “institucione të sundimit të ligjit në 10 vjet” dhe shtoi se Kosova tani është plotësisht përgjegjëse për të ardhmen.

EULEX, një kapitull i dështuar

Periskopi.com Lajme

 

Misioni më i madh evropian për sundim të ligjit – EULEX nuk do t’i paketojë valixhet as pas 10 vjetësh prezencë në Kosovë.

Me gjithë gabimet, dështimet dhe rezultatet e pakta, Bashkimi Evropian e konsideron ende të nevojshëm prezencën e misionit në Kosovë, por me mandat të reduktuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me këtë janë pajtuar edhe drejtues të institucioneve të Kosovës, të cilët në vazhdimësi kanë proklamuar se Kosovës nuk i duhet më EULEX-i. Sipas njohësve të rrethanave, fakti i vazhdimit të mëtejmë të mandatit tregon se drejtësia vendore nuk është e gatshme për t’u ballafaquar me nevojat e mëdha të Kosovës dhe kosovarëve për rend dhe ligj.

Por edhe vetë EULEX-i nuk ka arsye për t’u mburrur.
Për dhjetë vjet pune në Kosovë, EULEX-i ka dështuar në përmbushjen e pritjeve që i kishte nxitur tek popullata e Kosovës, por edhe jashtë saj.

Tani, kur ndryshon mandatin, rezultatet e mëdha që priteshin prej këtij misioni të BE-së në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, arrestimin dhe dënimin e “peshqve të mëdhenj”, por edhe trajtimin e krimeve të shumta lufte – kryesisht mungojnë