”Sistemi i drejtësisë me mosveprim po i promovon fajdetë”

Periskopi.com Lajme

Afera e fajdeve, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka shpërfaqur lidhjet e grupeve kriminale me politikën, Prokurorinë dhe Policinë. Në intervistën e javës Miftaraj ka deklaruar se kjo aferë ka shpërfaqur zyrtarë të korruptuar brenda Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët kanë bërë çmos që individët e këtij grupi të amnistohen dhe praktikisht deri më tash janë amnistuar, sepse kanë qenë të paprekshëm.

Sipas tij, lidhjet e këtij grupi të dyshuar kriminal me politikën janë të pashmangshme. Ai ka deklaruar se të gjitha matrapazllëqet kryhen në emër të politikës dhe të njëjtit shihen në dreka, darka e ahengje me ta. Sipas Miftarajt, amnistimi i këtij grupi për një kohë kaq të gjatë dëshmon që blerja e sistemit të drejtësisë ndodh shkallë-shkallë.

Këto grupe, sipas tij, arrijnë që më së shumti të blejnë amnistinë në Polici dhe Prokurori, por kur nuk arrijnë aty gjykatën e kanë instancën e fundit për ta blerë, qoftë duke i liruar, qoftë duke marrë dënime të buta që nuk e arrijnë qëllimin e vet.

KD: Që nga java e kaluar mediat e Grupit KOHA kanë publikuar një seri shkrimesh dhe videoincizimesh që kanë nxjerrë në pah një rrjet fajdexhinjsh, të cilët gjatë aktivitetit kriminal kanë përmendur lidhje me zyrtarë të lartë shtetërorë. Si e komentoni ju aferën me fajde që nxiti shumë reagime në opinion?

Miftaraj: Në radhë të parë duhet parë si shumë pozitive që më në fund një fenomen apo një veprimtari e tillë kriminale mirë e ndërtuar pothuajse në të gjithë territorin e Kosovës ka filluar të hetohet dhe të ndiqet nga prokuroria dhe po ashtu ka marrë vëmendjen mediale dhe të publikut. Fjala është për një fenomen ku në shumicën e rasteve viktima janë qytetarët e Kosovës, të cilët humbin me dhjetëra, qindra e mijëra euro si rezultat i grupeve kriminale mirë të organizuara dhe që për shumë vjet kanë pasur mbrojtje nga Policia, Prokuroria, gjykatat dhe politika. Fatmirësisht, një fenomen i cili është mbajtur fshehtë nga sistemi i drejtësisë dhe politika është zbuluar nga media e pavarur dhe gazetarë të guximshëm dhe me integritet.

 

Pse ndodh ende fenomeni i fajdeve?

Periskopi.com Lajme

Dhënia e parave me fajde është një fenomen i lashtë që ka vazhduar përgjatë gjithë historisë. Edhe Shqipëria nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni, i cili vitet e fundit ka pasur një trend në rritje.

Personave të cilët iu nevojiten para por nuk mund t’i sigurojnë këto nga të afërm të tyre apo edhe kredive për mungesë të plotësimit të kushteve, detyrohen që të shfrytëzojnë mundësinë e marrjes parave me fajde, interesi i të cilave shkon deri në 20%.

Por sipas ligjit dhënia e parave me fajde thënë ndryshe, me interes jashtë sistemit bankar, është i paligjshme. Por perse në vendin tonë është kthyer në një fenomen prej te cilit me pas burojnë edhe ngjarje kriminale, sikurse rastet e zbuluara në Shkodër?

Ish-shefi kundër krimeve financiare, Arjan Hoxha, shpjegon se përse edhe biznesi detyrohet të marrë para me fajde.

“Krimi i organizuar i vendos në pamundësi për të kryer lirshëm aktivitetin e tyre dhe i ofron si mundësi paratë me fajde, të cilat në momentin e parë ju duken të arritshme, një muaj dy muaj, por në një moment që ata, herë pas here në disa komunikime dhe ndërveprime me ata, në një moment shumë të shpejtë, e shikojnë veten që janë të pamundur për t’iu përgjigjur kësaj barre dhe e shikojnë vete në një vorbull që nuk mund të dalin më prej asaj”, shprehet ish-shefi kundër krimeve financiare.

Hoxha, thotë se burimi ‘ parave që jepen me fajde, burojnë nga aktivitete të paligjshme.

“Kryerja e aktivitetit kriminal në fushën e krimit të organizuar, kryesisht trafikut të drogave, por edhe veprave të tjera të rënda. Akumulimi i të ardhurave nga ky aktivitet i kundraligjshëm në duart e tyre dhe tentativa e tyre që këto para ti kthejnë në para të ligjshme”.

Eksperti i ekonomisë, Besart Kadia, shpjegon se ky fenomen ndikon negativisht në tregun e huamarrjes.

“Kjo e çorienton tregun e huamarrjes në Shqipëri, e bën më pak konkurrues dhe e deformon. E frikëson si të thuash klientin në periudhën afatgjatë që ti adresohet sistemit bankar apo të marri risqe në të ardhmen”, thotë eksperti i ekonomisë.

Kadia, tregon edhe mënyrën se si mundet të ndikohet për të ulur fenomenin e fajdeve.

“E vetmja gjë që mund të bëhet është një mirinformim më i madh publik, nga ana e institucioneve përkatëse, nga ana e qeverisë por edhe nga ana e institucioneve mbikëqyrëse siç është banka qendrore për të shpjeguar këtë fenomen”, përfundon Kadia.

Mbetet ne fuqi masa e paraburgimit ndaj “Currit” dhe të tjerëve

Periskopi.com Lajme

 

Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës se paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurve Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Ilir Bojkut, Adil Thaçit dhe Mentor Maqanit.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë mbetet në fuqi dhe të ndaluarit do të mbesin në paraburgim deri më 20 qershor.

Të pandehurit në fjalë, po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprat penale “Fajde” , “Detyrim” si dhe “Mashtrim”.

Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkalles së parë, vlerëson se ka bazë të mjaftueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve në fjalë, në kuptim të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Kjo ngase ekziston dyshimi i bazuar se e kanë kryer veprën penale për të cilën po dyshohen, ndërsa ka arsye për të besuar se ata mund të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo do të mund ta përsërisin veprën penale.

Arrestohet edhe një person i dyshuar për fajde

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), i mbështetur nga Njësia Mbështetëse e DHKO-së si dhe Stacioni Policor Veriu në Prishtinë, me qëllim të zbatimit të urdhëresës së Gjykatës Themelore – Departamenti për Krimet e Rënda në Prishtinë, ka arrestuar një person për fajde.

Në komunikatë thuhet se me datën 28.05.2019 ka realizuar operacionin policor të koduar ‘Era’.

“Gjatë zhvillimit të këtij operacioni një person i dyshuar është kapur në flagrancë duke pranuar para (këstin e fajdesë) në shumë prej 1,200.00 euro, me ç’rast i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘fajde’ nga neni 331, i KPRK-së. Personi i lartcekur, me qëllim të përfitimit të parave në mënyrë të kundërligjshme me kamatë (fajde), ka kontraktuar shuma të ndryshme të parave, duke përfituar kështu shumën prej 70,000.00 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në bazë të urdhëresës verbale nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është kontrolluar lokacioni i shtëpisë së të dyshuarit. Gjatë kontrollimit është gjetur një pushkë gjuetie me leje me afat të skaduar, të cilën e ka sekuestruar Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor Veriu në Prishtinë.

“Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar edhe para në vlerë prej 1,500,00 euro, një telefon iPhone si dhe një shufër metalike. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim personi i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, përfundon njoftimi.

Çka bëri vaki gjatë kësaj jave në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Njësia kohore e quajtur ‘javë’ nisi të hënën siç ndodh zakonisht. “Java e re, nafaka e re!” – ishte fjalia që u pluskua në sheshin Nëna Terezë nga qytetarët e një vendi që po i mbyllte lojërat e nafakës [fatit].

Kazinot raportohet se kanë ikur e janë vendosur në Bllacë, aty ku kishin ikur e kishin gjetur strehë edhe qytetarët e Kosovës në luftën e fundit. Po shihnim historinë derisa përsëriste veten në një stil komik.

Sidoqoftë, gjendja shpirtërore e qytetarëve të vendit ishte mjaft shqetësuese, ose ndoshta post-traumatike, dhe për ta konstatuar këtë nuk duhet kurrfarë psikografie e thellë. Flora Brovina, deputetja ndoshta më e respektuar e PDK-së, katër ditë më herët kishte paraqitur një imazh për ta ilustruar aktin e përdhunimit seksual të forcave serbe ndaj grave shqiptare. Fotografia doli se ishte pjesë e një videoje pornografike.

Por, siç mund ta vëreni më lart, e kemi nënvijëzuar shënjuesin e kohës në referencë me 20 majin. Domethënë, fotoskandali ndodhi katër ditë më herët në një vend ku çdo skandal, sado i madh qoftë, sado tronditës, mbahet mend vetëm tri ditë. Dita e katërt është dita e nafakës së re. E gjitha që mbetet është një imazh i rravguar për të cilin nuk e din se çka të mendosh.

Ta zëmë, kush i mban mend gjithë ato teke të kryeministrit Haradinaj që prodhuan skandale të njëpasnjëshme? Pak-kush. Ose, kush e mban mend ‘rrëshqitjen’ e Abelard Tahirit kur deklaroi që “do të punojmë për forcimin e sundimit të… krimit të organizuar dhe korrupsionit”? Pak-kush.

Dhe pikërisht të hënën, në një ditë me mot të luhatshëm, u mbajt vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës që mësynte miratimin e rezolutës për Tribunalin Special Ndërkombëtar që do të hetonte dhe gjykonte krimet e forcave serbe gjatë luftës së fundit. Dhe kjo përsëritje e aktit e prishi amnezinë kolektive dhe na e kujtoi sërish pornografinë. Bëri që të riniste humori, kukamat dhe sharjet. Edhe partitë opozitare vendosën t’i ndërtonin memorial këtij skandali, por nuk po iu kujtohej qëndrimi që kishin mbajtur katër ditë më herët. Periskopi i kushtoi një editorial këtij zhvillimi. Kësisoj, bë një tallje e përbashkët me viktimat e luftës dhe familjarët e tyre, disa prej të cilëve po rrinin e po këqyrnin kuvendin nga pjesa e vëzhguesve.

Kjo ishte ngjarja e parë e javës që i vendosi vulën e përsëritshmërisë edhe ngjarjeve tjera.

Përplasja e ashpër mes presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berishës, ishte ngjarja e dytë domethënëse. Ajo u shtri për disa ditë, nga e enjtja në të shtunën e ndoshta do të vazhdojë edhe nesër. I pari i tha të dytit argat ndërsa edhe i dyti i tha të parit argat [i Serbisë, Millosheviqit e më-the-e-të-thashë]. Fjalori i gjuhës shqipe i jep kësaj fjale kuptimin e punëtorëve të krahut në bujqësi e ndërtimtari. Domethënë, duke e përdorur në formë pezhorative, dy presidentët po shanin e fyenin një prej shtresave edhe ashtu më të shtypura të shoqërisë. Pse për shembull nuk shahen duke i thënë njëri-tjetrit “shërbyes i Serbisë”? Ndoshta sepse fjala ‘shërbyes’ është disi më e dinjitetshme.

Marrëdhëniet e mira që kishin dikur Thaçi e Berisha u kurorëzuan me këtë ‘përqafim plot dashuri’ kur po hapej Tuneli i Kalimashit

 

Dhe në fund kishim skandalin e fajdeve. Një video-incizim i vitit të largët 2013 u aktualizua së fundi nga Kohavizioni dhe e bëri namin. U arrestuan disa njerëz që dyshohet se u morën me fajde e mashtrim. Por, gjithë kësaj i bëri jehonë përmendja e emrit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

“Kadri Veselit ia kam dhanë 200 mijë Euro!” shihet e dëgjohet një burrë i moçëm e i thinjur derisa i thotë një tjetri. Po i njëjti me një të folur qaramane deklaroi se në fakt dikush tjetër e kishte përdorur emrin e Kadri Veselit për ta mashtruar atë vetë.

Nga e gjithë kjo misteri më i madh është mos-publikimi i deritashëm i këtyre provave duke qenë se kishin qenë në dispozicion të Prokurisë Speciale. Është e mundur që një gjë e tillë të jetë pjesë e një skenari tjetër politik dhe jo tragu i rrugës për drejtësi. Veseli u deklarua se do të jepte dorëheqje nëse do të evidentohej përfshirja e tij në atë rast.

Lajmi i fundit i rëndësishëm i javës është bllokimi i trafikut në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë dhe anasjelltas. Taksi 1-shat ilegalë ankoheshin se për të shkuar prej Bill Clintonit e deri te Qafa iu kishte një orë kohë. E një orë është goxha shumë në një rrugë që zakonisht e përshkon për 5 minuta. Çka kishte ndodhur? Epo, ishte dyshuar për dy bomba te Prokuroria Speciale dhe te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, mirëpo s’u gjet asgjë.

Na mbetet të themi për javën tjetër “Java e ra, nafaka e re!”

Rigjykimi i Kqirajve për fajde, prokurorja kërkon dënimin e dëshmitarit

Periskopi.com Lajme

Me tensione, vërejtje e kundërshtime të shumta është përshkuar seanca e sotme e rigjykimit për fajde të grupit të Tunë Kqirës në Gjykatën e Prizrenit.

Prokurorja speciale Merita Bina – Rugova kishte vërejtje ndaj dëshmitarëve, të cilët, sipas saj, në vazhdimësi po i ndërrojnë deklarimet e tyre nga ato të kaluarat.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Marjan Kqira, avokatja Kosovare Kelmendi, vazhdimisht kishte vërejtje rreth formës se po merren në pyetje dëshmitarët.

Sipas avokates, në këtë formë po bëhet presion mbi dëshmitarin. Ajo pati vërejtje se nuk po lejohet që të japë përgjigjen që po dëshiron dëshmitari.

Përplasje pati edhe mes kryetarit të trupit gjykues Xheladin Osmani dhe avokatit Tomë Gashi, i cili në rigjykim po përfaqëson palën e dëmtuar në këtë proces – Zef dhe Pal Grudën.

Sipas gjyqtarit Osmani avokati Gashi po i parashtron pyetje provokuese dëshmitarit.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur sot u dëgjuan dy nga rreth 13 dëshmitarët e propozuar nga prokurorja speciale Merita Bina – Rugova.

Sipas prokurores, dëshmitarët i kanë ndërruar deklaratat e tyre nga ato të dhëna më parë pranë Prokurorisë Speciale e në Polici para zyrtarëve hetues.

Pas dëshmitarit Burim Shala, për të cilin nuk kishte shumë pyetje nga palët, u paraqit dëshmitari Fadil Gashi, i cili disa herë gjatë kohës së po jepte dëshminë e tij deklaroi se qëndronte pranë deklaratave që kishte dhënë më parë dhe kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga seanca sepse nuk kishte çfarë të shtonte dhe kishte disa probleme shëndetësore familjare.

Për dëshmitarin prokurorja speciale Merita Bina-Rugova kishte pyetje dhe gjatë gjithë kohës e ballafaqonte me bisedat që kishte zhvilluar me të akuzuarit në periudhën shkurt – mars 2015. Sipas prokurores, dëshmitari kërcënohej dhe kishte presione të vazhdueshme nga të akuzuarit.

Por dëshmitari i mohoi pretendimet e prokurores se ka qenë i kërcënuar.

Sipas tij, ai me të akuzuarit që një kohë të gjatë kanë pasur raporte shoqërore dhe miqësore, andaj edhe për kohën shkurt – mars 2015, i njëjti kishte pasur disa takime me disa nga të akuzuarit “por vetëm për punë dhe për shitblerjen e një banese”.

Prokurorja speciale kërkoi nga kryetari i trupit gjykues që dëshmitari të dënohej konform ligjit pasi që i njëjti po refuzonte t’i përgjigjej pyetjeve të saj.

Kur gjyqtari Xheladin Osmani i tërhoqi vërejtjen dëshmitarit që e ka obligim të përgjigjet në pyetjet e prokurores, përndryshe do të dënohej nga trupit gjykues konform dispozitave ligjore, atëherë dëshmitari Fadil Gashi theksoi nuk ka asgjë më shumë për të shtuar pos që qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë.

Kundërshtime dhe vërejtje kishte edhe avokatja Kosovare Kelmendi, e cila tha që forma se si po merret në pyetje dëshmitari është e papranueshme “ngase po bëhet presion mbi dëshmitarin” ndonëse, sipas saj, ai po deklaronte që qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë.

Sipas avokates Kelmendi dëshmitarit po i parashtrohen pyetje të cilat nuk është i obliguar t’u përgjigjej.

Ndërsa kur mori fjalën avokati Tomë Gashi, i njëjti për dëshmitarin filloi të bëjë pyetje lidhur me atë se çfarë shkollimi ka kryer dhe sa vjeçar ka qenë kur ka kryer shkollën e mesme.

Kjo e irritoi dëshmitarin, i cili refuzoi të përgjigjej. Këtu reagoi edhe kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, i cili i tërhoqi vërejtjen avokatit Gashi se nuk do të lejojë pyetje provokuese për dëshmitarin dhe se informacionet për dëshmitarin janë në shkresat e lëndës.

Ndërsa avokati Tomë Gashi iu drejtua gjyqtarit Osmani me fjalët: “Dëgjo, se mua mos më kërcëno, nuk jam unë Arianit Koci. Refuzone pyetjen por mos mu kërcëno mua!”.

Trupi gjykues i përbërë edhe nga gjyqtarët Artan Sejrani dhe Refki Piraj, i tërhoqën vërejtjen avokati Gashi që të parashtronte pyetje vetëm që kishin ndërlidhje me të dëmtuarit, të cilët edhe i përfaqësonte.

Ndërsa kur dëshmitari përfundoi dëshminë e tij, ndaj të njëjtit vërejtje paraqiti prokurorja speciale Merita Bina – Rugova, pasi që sipas saj “është evidente që ka pasur presione ndaj dëshmitarit”.

Më tutje meqenëse nuk kishte dëshmitarë tjerë për të vazhduar, shqyrtimi u ndërpre dhe u caktuan dy ditë gjatë muajit shkurt, ku do të ftohen dëshmitarë tjerë të cilët i ka propozuar prokurorja speciale Merita Bina – Rugova.

Ky rast është rast i shënjestruar për liberalizim vizash.

Në shkurt të vitit 2018 Gjykata Themelore Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues. /Kallxo.com