ORCA: Avancohen Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Periskopi.com Lajme

Sot në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është vendosur pozitivisht për të gjithë kandidatët e propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Sipas një kumtese nga ORCA, mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, që është pesëfishi i publikimit të kolegëve të tyre në Norvegji të cilët në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor. ORCA ka vendosur që t’i ofrojë shansin publikut që të gjykojë lidhur me atë se a janë këta profesorë gjeni apo kanë ushtruar ndonjë veprimtari që është në shpërputhje me integritetin akademik.

Tutje sipas ORCA-s, tetë kandidatë janë avancuar në profesorë të rregullt, duke marrë kontratë të përhershme me Universitetin e Prishtinës. Nga tani e tutje, këta profesorë nuk i detyrohen më universitetit sa i përket avancimit të tyre akademik, shkencor dhe profesional.

Këta profesorë janë:

–              Ahmet Shala (18 punime në një vit e gjysmë)

–              Azem Kycuku (12 punime në një vit e gjysmë)

–              Mirlind Bruci (10 punime në një vit)

–              Naser Lajqi (10 punime në një vit e gjysmë)

–              Nexhat Qehaja (9 punime në një vit e gjysmë)

–              Rame Likaj (19 punime në një vit e gjysmë)

–              Rexhep Selimaj (7 punime në një vit e gjysmë)

–              Xhevat Berisha (15 punime në një vit e gjysmë)

Shumica e punimeve të këtyre profesorëve janë në tre revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Ëikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.

“Megjithatë edhe rektori Marjan Dema edhe e ashtuquajtura trupë e tij “këshilldhënëse” i kanë rekomanduar këta profesorë për avancim. Madje rektori Marjan Dema në mbledhjen e sotme të Senatit ka folur për numrin rapid të publikimeve si dukuri e veçantë mirëpo ka thënë se ata i plotësojnë kriteret formale. Meqë është kështu, ORCA i bën thirrje UP-së dhe Ministrit të Arsimit që të mos shpenzojë para për Senatin, por që punët e tij t’ia lenë ORCA-s pasi vlerësime të tilla teknike mund të bëjë edhe ORCA”, thuhet në njoftimin për media të kësaj organizate.

 

Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Periskopi.com Lajme

Organizata studentori për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ka organizuar një aksionin para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës, duke ngritur dyshimet për dhjetë kandidatët e propozuar për avancime nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

ORCA thotë se po e monitoron procesin aktual të avancimeve akademike, ku disa nga kandidatët e këtij procesi të cilët të hënën do të votohen për avancim, i kanë lënë të habitur pasi 10 kandidatë të propozuar për avancime nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë publikuar 5 deri 19 artikuj secili në revista shkencore brenda një viti e gjysmë.

“Mesatarja e numrit të publikimeve për kandidatin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, ndërsa sipas një studimi të botuar në revistë ndërkombëtare, del se në Norvegji në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor. Nga kjo situatë mund të nxirren vetëm dy përfundime, ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i ka tejkaluar pesë-fish performancat akademike norvegjeze për sa i përket publikimeve shkencore ose publikimet shkencore të FIM nuk janë në revista me cilësi te pranueshme ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e ORCA-së.

Sipas kësaj organizate, ndonëse publikimet e këtyre kandidatëve i plotësojnë kriteret minimale sasiore sipas rregullativave në fuqi, revistat ku janë botuar ato lënë hapësirë për dyshim.

“Shumica e këtyre publikimeve janë bërë në vetëm tri revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor. Ne i bëjmë thirrje Senatit që pavarësisht përmbushjes formale të kritereve, ta zbatojë detyrën e tij statutare, pra të sigurohet se cilësia është mbrojtur duke zbatuar standardet e pranuara botërisht”, thuhet në komunikatë.