Përurohet një pushimore në nder të Astrit Deharit

Periskopi.com Lajme

Aktivistët e Lëvizjes Studentore “Studim Kritikë Veprim” kanë nderuar sot në trevjetorin e vdekjes së tij, ish-studentin e mjekësisë, Astrit Deharin, duke përuruar një pushimore në biblotekën e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.

Disa karrige dhe tavolina druri janë vendosur para biblotekës së këtij fakulteti derisa në sfond qëndron portreti i Astritit.

Arsyerja e vendosjes së pushimores pranë biblotekës, sipas organizatorëve, ishte sepse Astriti kohën më të madhe e kaloi pikërisht brenda saj.
Getoar Sylaj nga SKV tha se studentët do ta kenë mundësinë të pushojnë pranë objektit ku kolegu i tyre kaloi orë të tëra.

“Përmes këtij aktiviteti shënojmë kujtimin e paharrueshëm të shokut tonë dhe kolegun e Fakultetit të Mjekësisë Astrit Deharin. Astriti ka kaluar një pjesë të gjatë të kohës këtu në bibliotekën e Fakultetit. Andaj në këtë hapësirë e cila ka filluar të rregullohet do të shndërrohet në një pushimore te cilën do ta shfrytëzojnë studentët e Fakultetit”.

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar disa aktivitete në kujtim të Astrit Deharit. Kryetari i Vetëvendosjes dhe disa bashkëpartiakë kanë bërë homazhe te varri i tij.
Ndërkaq, në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet marshi “Një popull për drejtësi”.

Po ashtu edhe në qytetin i Prizrenit, në burgun e të cilit ndërroi jetë Dehari, do të mbahet një marsh nga ora 14:00 deri në 15:00 në kohën kur ka vdekur ai do të ndizen qirinj dhe vendosen kurora lulesh.

Shpallet i pavlefshëm provimi që iu nënshtruan sot studentët e mjekësisë në Farmakologji klinike

Periskopi.com Lajme

Elton Bahtiri, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, ka njoftuar për arsyet e anulimit të një provimi në lëndën Farmakologji klinike.

“Njoftohen studentët e drejtimit Mjekësi të përgjithshme që sot ju kanë nënshtruar provimit me test nga lënda Farmakologji klinike, që për shkak të rrjedhjes së pyetjeve të testit (të mbështetur edhe në dëshmitë e gjetura në fotokopjet përballë Fakultetit), Katedra vendosi unaninimisht që ai TË SHPALLET I PAVLEFSHËM”, ka njoftuar ai.

Studentët, njofton Bahtiri, duhet t’i nënshtrohen sërish provimit nga kjo lëndë ditën e martë, dt.30.04.2019, në orën 15 e 30, në amfiteatrin e ORL-së.

“Njoftohen studentët e drejtimit Mjekësi e përgjithshme që sot ju kanë nënshtruar provimit me test nga lënda Farmakologji klinike, që për shkak të rrjedhjes së pyetjeve të testit (të mbështetur edhe në dëshmitë e gjetura në fotokopjet përballë Fakultetit), Katedra vendosi unaninimisht që ai TË SHPALLET I PAVLEFSHËM. Studentët duhet t’i nënshtrohen sërish provimit nga kjo lëndë ditën e martë, dt.30.04.2019, në ora 15 e 30, në amfiteatrin e ORL-së”, ka shkruar Bahtiri.

Suspendohet asistenti i mjekësisë, ia uroi studentes Vitin e Ri në orën 22:00

Periskopi.com Lajme

Asistenti i angazhuar i Fakultetit të Mjekësisë, Kujtim Kastrati, i cili ishte denoncuar edhe në Inspektoratin e Ministrisë së Arsimit është suspenduar nga puna pasi ka ngacmuar një studente. I njëjti i kishte shkruar një studenteje dhe ia kishte uruar një festë. Dëshmitë për këtë studentja i kishte deponuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Inspektorat.

“Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka marrë vendim për të suspenduar asistentin e angazhuar Kujtim Kastratin”, thuhet në përgjigjen e Fakultetit të Mjekësisë për Express.

Ngacmimi i studentes kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar derisa rasti ishte denoncuar te dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu.

Dekanja nuk ka dashur të komentojë rastin duke kthyer përgjigje se është e zënë.

Ndërkohë, Asistenti i angazhuar, Kujtim Kastrati, ka dhënë deklaratë në Dekanat. Është arsyetuar se gjithçka ka qenë një keqkuptim derisa studentes i ka shkuar vetëm për t’ia uruar festën e Vitit të Ri në orën 22.

 

Haradinaj ‘tollovit’ UP-në për ta regjistruar djalin e këshilltarit në Fakultetin e Mjekësisë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u doli në krah kërkesës së 91 studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës për tu transferuar në Universitetin e Prishtinës, të cilët më parë ishin refuzuar nga Fakulteti i Mjekësisë për mos plotësim kriteresh.

Në mesin e këtyre studentëve është edhe djali i këshilltarit të kryeministrit, Luan Jaha. Atij i është refuzuar kërkesa për transfer nga Fakulteti i Mjekësisë për mosplotësim të kushteve.

Mirëpo, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Senati shqyrtimin e kërkesës së studentëve për transfer nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës në F.Mjekësisë në UP.

Kërkesa që i shkoi dje Senatit të Universitetit të Prishtinës, ka mbetur të shqyrtohet të enjten. Fakulteti i Mjekësisë, Ministri i Arsimit, Zyra e BE-së dhe OJQ që merren me arsim po e shohin me skepticizëm këtë kërkesë, ndërsa disa prej tyre po e shohin edhe si ndërhyrje në autonominë e UP-së.

Në listën e studentëve të refuzuar për transfer nga ana e Fakultetit të Mjekësisë është edhe Art Jaha, djali i Luan Jahës, këshilltari i kryeministrit për shëndetësi.

Arti u refuzua që ta vazhdojë vitin e tretë në UP pasi nuk përmbushi kriterin e 60 ETC dhe provimeve të dhëna sipas komisionit që bëri këtë vlerësim.

Luan Jaha vetëm arsyetoi kërkesën e kryeministrit duke thënë se nuk është detyrim por sugjerim dhe se vendimi i mbetet senatit.

“Letra e Kryeministrit Rektoratit është përgjigje e tij në kërkesën me shkrim të dërguar Zyrës së tij nga studentet kosovare që aktualisht studiojnë në Tetovë dhe që kanë aplikuar për transfer në UP. Në letër kryeministri kërkon që të shqyrtohet mundësia për transfer e studenteve që kanë aplikuar për t’u transferuar dhe jo të bëhet transferi. Pra vendimi është në Rektorat. Motivi është ngarkesa e madhe financiare. Letra është e nënshkruar nga Kryeministri”, tha Jaha.

Përkundër se është pyetur, Jaha nuk ka treguar se djali i tij do të përfitojë në rast të transferit nga Tetova në Universitetin e Prishtinës. Art Jaha nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

KALLXO.com e ka gjetur emrin e Art Luan Jaha në listën zyrtare të studentëve që i është refuzuar transferi nga Fakulteti i Mjekësisë.

Pjesë nga lista e studentëve të refuzuar nga Fakulteti i Mjekësisë

Të gjithë kundër idesë së kryeministrit

Në mbledhjen e 45-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, në pikën e katërt të rendit të ditës u përfshi një letër e kryeministrit Ramush Haradinaj ku kërkon shqyrtimin e mundësisë për transferin e studentëve nga UT në UP.

“Marrja e vendimit lidhur me kërkesën e kryeministrit të Republikës së Kosovës për transferim të grupit të studentëve nga F.Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, të cilët kanë aplikuar për transfer në F.Mjekësisë në UP” , thuhej në pikën e katërt të rendit të ditës.

Fillimisht KALLXO.com ka kërkuar një koment nga  Libor Chlad, Zv Shef i Departamentit per Bahshkëpunim në zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë lidhur me këtë çështje.

Chlad ngriti shqetësime dhe pikëpyetje lidhur me këtë kërkesë ku thuhet se duhet të ‘përdoret metra e njëjtë për të gjithë’.

“Ne kemi mbështetur konceptin e sundimit të ligjit në Kosovë për vite me rradhë. Nuk është një konstrukt teorik. Sundimi i ligjit do të thotë se e përdorim metrin e njëjtë për të gjithë. E kuptoj se këto ‘transfere’ të sutdentëve përdoren për të tejkaluar provimet pranuese në Kosovë. Mendoj se është e drejtë të pyetet nëse universiteti ka kapacitet që t’i pranojë të gjithë që tregojnë interes dhe nëse po, cili është ndikimi në kualitetin e studimeve ? Më e rëndësishme, cili është mesazhi që po dërgojmë tek doktorët e rinj ? A dëshironi që ata të jenë kështu, kur të ju trajtojnë në të ardhmen ? Dhe çka për ata që nuk kanë mundur të pranohen në mënyrë të rregullt, ndoshta vetëm një pikë mangët në test ? Si është kjo e drejtë ?”, thuhet në reagimin e Chlad.

Më pas, vetë Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se nuk ka qenë i informuar për këtë kërkesë të kryeministrit mirëpo sipas tij, një transfer i tillë duhet të jetë i bazuar në kritere.

Ministri tha se duhet të ruhet pavarësia e universitetit në këto lloj vendimesh.

“Unë si ministër i MASHT-it nuk kam ndonjë informacion për një kërkese të tillë lidhur me studentët e universitetit te Tetovës për transferim në UP. Ajo çka në ketë rast duhet të konsiderohej është se Universiteti i Prishtinës është institucion e pavarur dhe duhet të veprojë mbi bazën e këtyre parimeve”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se ‘rritja e numrit te studenteve duhet te behet ne përputhje me numrin e studenteve te lejuar nga vendimet e akreditimit, transferimi i studentëve nga UT në UP duhet të bëhet në përputhje te plotë me UA dhe rregulloret ne fuqi.

Po ashtu sipas tij, ‘procedurat e transferimit duhet te kryhen nga vetë fakulteti në përputhje të plotë në procedurat dhe rregullat në fuqi siç duhet të bëhet edhe barasvlersimi i kredive, i lëndëve dhe notave nga vetë fakulteti’.

Ngjashëm, Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka Kërliu tha se ky fakultet kishte refuzuar transferin e këtyre 91 studentëve për të mos shkelur kriteret e parapara për transfer apo thjeshtë studim në këtë fakultet.

Është kërkuar përgjigje për këto çështje edhe nga zyra e kryeministrit të Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Fakulteti i Mjekësisë përgënjeshtron këshilltarin e kryeministrit.

Udhëheqësja e Fakultetit të Mjekësisë dhe këshilltari i kryeministrit, Luan Jaha patën deklarata të ndryshme lidhur me gjendjen aktuale të këtij fakulteti dhe ndikimin që mund të ketë transferi i 91 studentëve nga Universiteti i Tetovës.

Fakulteti i Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës ka refuzuar kërkesën e 91 studentëve nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për transfer.

Lidhur me arsyet pse e kishin kundërshtuar një transfer të tillë, foli Suzana Manxhuka-Kerliu, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë.

Ajo tha se ‘Arsyet për mosmiratim të kërkesave për 91 kandidate është bazuar në kriteret (kriteri 1,2,dhe 3) të parapara sipas vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/862 të datës 10/10/2017 dhe vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/639 datë 28.09.2018. ( Shih ne ueb faqe te FM/UP-se listën tabelore të të gjithë kandidatëve për transfere të pranuar, dhe jo të pranuar me arsyeshmëri për secilin veç e veç)”.

Dekanja renditi arsyet pse një transfer i tillë do të ishte i dëmshëm pasi, sipas saj, do të ishte në kundërshtim me Agjensionin e Akreditimit (pranimi i numrit më të madh të studentëve se sa që është e lejuar me akreditim);

Tutje sipas saj, mund ta dëmtojë cilësinë e mbarëvajtjes së rregullt të mësimit; ka implikime buxhetore (ku në bazë të një kalkulimit të përafërt është: 742 mije 966 euro; nuk ka infrastrukturë dhe personel akademik të mjaftueshëm për mbajtje të mësimit; kriteret për pranim apo mos pranim duhet të jenë të njëjta për studentët nga UT ashtu sic janë për studentët tonë të FMUP-së, sepse përndryshe do ishte diskriminim ndaj studentëve tonë të FMUP-së.

Ajo shtoi se “Ne qëndrojmë parimisht prapa kritereve për transfere që janë paraparë sipas vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/862 të datës 10/10/2017 dhe vendimit të Senatit të UP-së ref/ nr. 2/639 datë 28.09.2018”.

Në anën tjetër, KALLXO.com lidhur me këtë çështje e pyeti edhe Luan Jahën, këshilltarin e kryeminstrit Ramush Haradinaj. Ai shtoi se edhe Fakulteti i Mjekësisë është për rritjen e numrit të studentëve.

“Praktika te transferit ka pasur edhe me herët dhe nuk janë presedan. Madje transferi është i rregulluar edhe me Statut. Gatishmëri për rritje të numrit të studenteve ka pasur edhe nga Fakulteti i Mjekësisë edhe nga Rektorati, ndërsa mjetet shtesë për asistente dhe mjete konkretizimi që do të ndahem nga Qeveria në rast të transferit do të garantojnë që ky transfer nuk do ta demtojë cilësinë e mësimdhënies”, tha Jaha.

Lidhur me këtë çështje, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka thënë se përbën shkelje flagrante të pavarësisë së universitetit .

“Kjo pikë përbën ndërhyrje eklatante në autonominë akademike të Universitetit.  Kjo kërkesë është dashur të refuzohet me automatizëm nga Rektori, i cili sot ka dështuar t’i plotësojë detyrat e tij që burojnë nga Statuti i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky Statut ashtu si edhe Ligji për Arsimin e Lartë në Kosovë kanë përcaktuar se Universiteti ka autonomi për çështje akademike. Kjo autonomi …nuk mund të cënohet nga kërkesa të tilla absurde që vijnë nga Kryeministri dhe këshilltarët e tij për interesa të ngushta të tyre apo familjarëve të tyre”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Ata shtuan se një ndërhyrje e tillë mund të ketë edhe pasoja sikurse përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga EQAR.

“Përvoja jonë me ndërhyrjet e Kryeministrit dhe këshilltarëve të tij është e hidhur, si shembull vjen përjashtimi i Kosovës nga EQAR, të cilin përjashtim po mundohemi ta përmbysim me shumë përpjekje si shoqëri, institucione e organizata joqeveritare. Prandaj ORCA e fton Kryeministrin që të merret me punët e Republikës që i takojnë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të vendit, ndërkohë luftën për cilësi në arsim do ta bëjnë ata që nuk pengohen nga interesat të tyre apo të fëmijëve të tyre”, thuhet tutje në reagim.

Kryeministri që ia ka propozuar vendimin senatit të UP-së e çmojë lartë këshilltarin e tij. Në një intervistë për 100 ditëshin e punës së tij, Haradinaj kishte vlerësuar lartë personalitetin e Jahës dhe punën e tij.

“Luani është bukur polivalent, nuk e them pse është këshilltar i imi. Është ndoshta prej njerëzve më të zot që e çmoj në shëndetësi. Unë e njoh qe disa vjet, e di që ka zhvilluar plot aftësi me shtesë profesionale. Luani është këshilltar i jashtëm për shëndetësi, është njeri bukur i gjanë, me dije e shkencë. Nuk është që ka bagazh profesional mangët, e sa ka tepër nuk e di”, tha Haradinaj.

Senatorëve të UP-së u kërkohet sërish vota për klientët e dekanes Manxhuka

Periskopi.com Lajme

Fakulteti i Mjekësisë nuk i është bindur kërkesës së Senatit të Universitetit të Prishtinës për të propozuar për profesorë të kirurgjisë kandidatët me kredenciale shkencore shumëfish më të mëdha se ato të Floren Kavajës dhe të Fahredin Veselajt, të dy klientë të dekanes Suzana Manxhuka.

Mëngjesin e së enjtes, senatorët do t’i kenë sërish para vetes emrat e këtyre të dyve, meqë fakulteti këmbëngul se vetëm këta duhet bërë profesorë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vetëm dy javë më parë, me shumicë votash, ky forum i Universitetit më të madh publik në Kosovë i ka kthyer mbrapsht propozimet për t’i bërë profesorë Kavajën e Veselajn.

Shumë senatorë kanë ofruar dëshmi, sipas së cilave kandidatët meritorë ishin lënë jashtë, ndërsa ata me kredenciale minimale shkencore ishin propozuar për t’u avancuar në thirrje akademike. Prandaj, i ishte kërkuar Fakultetit që t’i rishqyrtonte propozimet.

Nëntë punonjës të Fakultetit të Mjekësisë marrin rrogë në QKUK pa punuar fare

Periskopi.com Lajme

Hatixhe Latifi-Pupovci, ligjëruese në Fakultetin e Mjekësisë, tash e disa vjet merr pagë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës pa punuar fare. Në disa nga institutet paraklinike, përveç Pupovcit janë të “angazhuar” me letra edhe disa kolegë të tjerë të saj nga Fakulteti.

Në listën që e ka Koha Ditore, punonjësit e Fakultetit të Mjekësisë që marrin rrogë nga QKUK-ja dhe që nuk ushtrojnë asnjë aktivitet aty janë: Besa Lumezi, Hasime Qorraj-Bytyqi, Rexhep Hoxha, Violeta Lokaj-Berisha e Shaip Krasniqi (Instituti i Fiziologjisë); Hatixhe Latifi-Pupovci (Alergologjisë); Bajram Nura e Sadi Bexheti (Anatomisë), dhe Ruke Beqiraj (Katedra e Histologjisë).

Listën e përfituesve dhe të vërtetën e pagesës së tyre e ka konfirmuar për gazetën edhe drejtori i Instituteve Paraklinike, Ramadan Sopa.

Pagesa e dyfishtë për punonjësit e Fakultetit të Mjekësisë është bërë e mundur nëpërmjet një memorandumi të vitit 2006. Memorandumi i mirëkuptimit ishte nënshkruar më datën 19 prill të vitit 2006 në mes të tri institucioneve. Palët nënshkruese ishin Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

“Operacioni” për t’i bërë profesorë klientët e dekanes së Mjekësisë

Periskopi.com Lajme

Një “operacion” është duke e zhvilluar menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë nëpërmjet të të cilit synon t’i bëjë profesorë të kirurgjisë dy mjekë të lidhur me spitale private – Floren Kavajën, babai i të cilit është pronar i spitalit “Kavaja”, dhe Fahredin Veselajn, bashkëshortja e të cilit është pronare e spitalit “Vita”. Të dyja këto institucione ku punojnë të dy mjekët janë “klientë të mëdhenj” të laboratorit “Patohistologjia-S”, pronare e të cilit është dekania e Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, shkruan sot Koha Ditore.

Dy komisione vlerësuese, përbërja e të cilave është propozuar nga dekania dhe është miratuar nga Këshilli i fakultetit, kanë propozuar që titulli akademik “Profesor asistent” për lëndë të kirurgjisë t’u jepet Kavajës e Veselajt.

Kjo, pavarësisht se në konkurrencë për këtë titull akademik kishte kandidatë me kredenciale shkencore shumëfish më të mëdha. Profesorë në Katedrën e Kirurgjisë, që ishin anëtarë të komisioneve recensuese, por që ishin dorëhequr shkaku i presioneve, e edhe konkurrentët e pakënaqur, kanë lansuar akuza për përzgjedhje të dirigjuar nga Dekanati, pastaj për të dhëna të rreme që anëtarët e komisioneve recensuese kanë përshkruar në raportet vlerësues në favor të dy kandidatëve të propozuar për t’u zgjedhur profesorë, e edhe për fshehje kredencialesh shkencore për kandidatët që nuk janë propozuar.

Sulmon profesorin e mjekësisë në Prishtinë, nuk ia kaloi gruan nga provimi

Periskopi.com Lajme

Profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Milaim Sejdini është sulmuar fizikisht nga një person i njohur për organet e rendit. Rasti ka ndodhur të enjten e 5 korrikut të këtij viti, kur i dyshuari F.Dobra e kishte sulmuar profesor Sejdinin pasi ky i fundit e kishte kthyer prapa nga kollokviumi gruan e tij.

Sejdini, ndonëse e ka konfirmuar rastin nuk ka dashur të flas gjatë për ngjarjen, duke thënë se tani organet e rendit po merren me trajtimin e rastit.

“Nuk dua të flas gjatë për atë rast, pasi atë e kam paraqitur në polici dhe janë organet e hetuesisë ato që merren me të”, ka thënë Sejdini për Indeksonline.

Ai tha se studentja (gruaja e të dyshuarit) ka hyrë në kollekvium, mirëpo ka qenë e dobët dhe e ka kthyer prapa, kurse më vonë burri i saj, sipas profesorit, në shenjë hakmarrje e ka sulmuar fizikisht atë.

Ky rast është paraqitur menjëherë në Stacionin e Policisë Nr.4 në Prishtinë ndërsa hetuesit kanë kryer punën e tyre duke intervistuar viktimën dhe të dyshuarin.

Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale në Prishtinë ka thënë për Indeksonline se rasti është paraqitur me 5 korrik ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti rast është kualifikuar “Sulm”.

“Rasti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është cilësuar “Sulm”. Personi i dyshuar është intervistuar nga zyrtarët policor ndërsa me urdhër të prokurorit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt”, ka deklaruar Ahmeti.

Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarit ndërsa tani janë organet e drejtësisë ato që do ta trajtojnë tutje sulmin fizik ndaj profesorit të mjekësisë.