Nënkryetari i Mitrovicës: Lista Serbe nuk mund të ndalë përpjekjet për bashkimin e qytetit

Periskopi.com Lajme

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, ka thënë se qëndrimi kundër i ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todisojeviq i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, nuk do të ndalë përpjekjet për bashkim të Mitrovicës në një komunë.

Në Express Intervistën në KTV, Mujka ka thënë se nënshkrimi i peticionit nga më shumë se 16 mijë vetë ishte vullnet i lirë i qytetarëve, “sidomos pas përgjigjes negative nga MAPL”, pas votimit që u bë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Jugore.

Ai ka thënë se pasi kanë parë qëndrimin kundër, komuna e Mitrovicës “ka shfrytëzuar opsionin e dytë, që është peticioni”.

Mujka ka bërë të ditur se ka pasur edhe qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës që e kanë nënshkruar peticionin, teksa ka shtuar se “garanton që edhe shumica e qytetarëve serbë në veri duan një bashkim të tillë”.

Numrin e vogël të nënshkrimeve nga veriu, Mujka e ka arsyetuar se qytetarët janë të frikësuar nga strukturat paralele.

Duke e quajtur shumë serioze përpjekjen për bashkimin e Mitrovicës, Mujka ka thënë se “kemi votat e të gjithë asamblistëve, që vijnë nga secila parti”.

“Nuk e besoj se ministri i gëzohet këtij procesi. Por kjo nuk na shmang. Ne e kemi detyrim ta qojmë përpara vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës. Pa pasur tentative s’mund të aspirojmë për rezultate. Është serioze dhe është votuar unanimisht. Nuk mund të quhet që është joserioze. Asnjë subjekt s’e kam dëgjuar që thotë se është kundër. Sot u dorëzua te kryetari i Kuvendit. Ai u zotua se do t’i shpërndajë te grupet dhe komisionet përgjegjëse. Më pas duhet të dihet pse nuk mund të jetë e bashkuar Mitrovica dhe pse është ndarë”, ka deklaruar ai.

Mujka ka thënë po ashtu se ishte paraparë që të rishikohej vendimi për krijimin e dy komunave të Mitrovicës, por ka shtuar se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

“S’ka pas rishikim të vendimeve, se cilat janë anët pozitive dhe rezultatet e këtyre ndarjeve. Cili është aspekti pozitiv i krijimit të komunës veriore në Mitrovicë, çka kanë përfituar qytetarët, qoftë serbë apo qytetarë. Me pako të Ahtisarit është paraparë një qytet me dy komuna, por Kushtetuta s’i njeh. Më së shumti vuajnë qytetarët shqiptarë në veri. Ata janë pjesa më e diskriminuar në Kosovë. Garantoj që pjesa më e madhe e qytetarëve serbë s’kanë asgjë kundër. Ata duan t’i shfrytëzojnë shërbimet publike çfarë i meritojnë”, ka thënë ai duke shtuar se kundërshtarët e idesë mund ta cekin aspektin e sigurisë, por sipas tij, kjo nuk qëndron.

Mujka në fund ka thënë se ideja për bashkim të Mitrovicës s’ka të bëjë asgjë kundër qytetarëve në veri e kundër komunitetit serb. /Periskopi