Policia dhe Prokuroria për vrasjen e fëmijës rom: Me zemër dhe shpirt ndajmë dhimbjen me familjen

Periskopi.com Lajme

Janë bërë më shumë se një javë që kur u gjet i vrarë 12 vjeçari në Fushë Kosovë, për të cilin u arrestua një 20 vjeçar me iniciale S.O, i dyshuar për dhunim e vrasje të tij.

Derisa Prokuroria e Shtetit s’pati asnjë deklaratë deri sot, Policia kishte thënë se “e ka kryer pjesën e saj të punës”.

Tri herë besohet se 12 vjeçari kishte raportuar rastin për ngacmim nga po i njëjti person, derisa Policia s’mori asnjë masë, tek pas vdekjes së tij.

Por në një deklaratë të përbashkët Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, “ndajnë dhimbjen për familjen e të ndjerit”.

“Më 17 korrik, një djalosh i vogël nëntë vjeç u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë”, është reagimi i sotëm i Prokurorisë, ndonëse i mituri ishte 12-vjeçar dhe ka vdekur më 11 korrik.

“Policia e Kosovës pas ndërmarrjes së veprimeve të vazhdueshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin e raportuar me datën 11.07.2019, e cilësuar në fillim si “vdekje e dyshimtë”, me datën 16.07.2019 rreth orës 19:55 nga njësitë policore të Stacionit Policor të Fushë Kosovës është arrestuar personi i dyshuar me inicialet S. O. mashkull/ashkali/kosovar lindur me 1999”, thuhet në raportin policor”, thuhej në raportin policor.

E Prokuroria e Shtetit, tek sot kujton se “Vrasësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim”.

“Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme. Do të punojmë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda”, përfundon komunikata e Prokurorisë.

Aktivistë e qytetarë të shumtë kanë reaguar për neglizhencën e Policisë së Kosovës ndaj këtij rasti, madje, edhe heshtjes së institucioneve në përgjithësi.

Sot, në Fushë Kosovë do të protestohet për këtë rast.

Kapërcimi i habitshëm i Haradinajt: Nga rasti i vrasjes së fëmijës rom, u apelon mërgimtarëve të mos vozisin shpejt

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite pune në Komunë  e Fushë Kosovës është pyetur për vdekjen tragjike të 12 vjeçarit rom, i cili ishte abuzuar seksualisht për vite me radhë – raporton Periskopi.

Por, kapërcimi i kryeministrit nga kjo temë tek apelimi i mërgimtarëve që të mos vozisin shpejt thjeshtë të lë pa mend.

Kryeministri Haradinaj fillimisht tha se ishte lajm i trishtueshëm vdekja tragjike e 12 vjeçarit dhe që për këtë është prekur shumë, pasi edhe vetë është prind.

“E para, ishte lajm i trishtueshëm. U shpreha ngushëllime të gjithëve. Na ka trishtuar sepse jemi prindër dhe e ndjejmë këtë. Dhunë në familja apo dhunë te personat e pambrojtur, si femrat apo fëmijët, është shqetësim. Policia ka ngritur vigjilencën ndaj këtyre raste, por natyrisht që ka vend për përmirësim. Edhe Policia po përballet me punë voluminoze që nuk janë të lehta për t’u trajtuar”, ka thënë Haradinaj.

Teksa po pyetej për rastin tragjik të fëmijës rom, Haradinaj seç u ngatërrua dhe përfundoi tek një apelim ndaj mërgimtarëve që vinë në Kosovë për pushime.

“Apeloj te diaspora që vinë për gëzime, që të bëjnë kujdes në vozitje, mos ta kthejnë këtë periudhë të bashkimit, ta kthejnë në vaj. Ne po bëjmë punë vazhdimisht…këto tema marrin ma shumë kohë, dhe kërkojnë ma shumë kohë”, ka thënë Haradinaj tutje./PERISKOPI

 

‘E kam goditur me guri në kokë’ – 21-vjeçari pranon se vrau të miturin në Fushë Kosovë

Periskopi.com Lajme

 Veseli, 9 vjeçar, mundim pas mundimi, dhunim pas dhunimi, braktisje pas braktisjeje, përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme, i rrahur deri në vdekje. I dyshuari për vrasjen e tij, Sefedin Osmani, i cili si duket e ka dhunuar seksualisht në vazhdimësi të riun e komunitetit rom, e ka pranuar para hetuesisë se e ka kryer krimin. Tani që të gjitha kanë filluar ta dalin në shesh, po zbulohet se edhe reagimin i institucioneve për mbrojtjen e të riut nuk ishte i duhur.

Dhunimin e parë seksual, fizik e psikologjik tashmë i ndjeri K.Veseli e përjetoi në moshën 8-vjecare.

Ai bashkë me nënën e tij, Makfiren, vëllezërit e motrat, po kërkonin gjësende nëpër kontejnerë në lagje të ndryshme të Fushë Kosovës. Pikërisht derisa ishte “në vendin e tij të punës” duke  kontrolluar nëpër bërllok për të siguruar pak para,  K.Veseli po ngacmohej nga një djalë 10 vjet më i madh se ai, nga  19 vjecari me emrin Sefedin Osmani.

Rastin, K.Veseli bashkë me nënën e tij,  e kishte raportuar në policinë e Kosovës, në janarin e këtij viti. Por, Sefedini, që tani është i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të mitur të komunitetit rom, edhe pse po përballej me akuza për abuzim seksual, po vazhdonte të qëndronte në liri.

Policia e Kosovës në marsin e këtij viti, ishte mjaftuar vetëm me një kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për kryerjen e këtij akti.

“Me datën 29 janar 2019, kemi pranuar informatën për një rast te keqtrajtimit seksual. Informata është trajtuar nga ana e policisë, me pas është iniciuar rast. Me datën 15 prill është ngritur kallëzim penal ndaj personit te dyshuar dhe i njëjti rast është proceduar ne prokurori”, kanë deklaruar për gazetën nga policia.

Për më shumë se gjashtë muaj, K.Veseli po torturohej fizikisht e psiqikisht nga fqinji i tij, Sefedini. Përgjatë kësaj periudhe ai ishte dhunuar seksualisht dy herë.

Por, rasti i dhunimit të parë i bërë gjatë vitit 2018 ndaj 9-vjecarit nga i dyshuari Sefedin Osmani nuk kishte qenë i vetmi. Ai ishte dhunuar edhe një herë tjetër nga Sefedini.  Këtë herë gjatë vitit 2019.

E edhe gjatë kësaj radhe, nëna e tij, Makfirja bashkë me të birin ishin ankuar në institucionet përgjegjëse duke kërkuar ndihmë.

Në shkurtin e vitit 2019, K.Veseli bashkë me të ëmën, Makfiren kishin folur për menaxherin e Qendrës Sociale në Fushë Kosovë, Bahri Bislimin, të cilit ia kishin treguar hallin e tyre.

Personi nga Qendra Sociale, Bahri Bislimi,  që është  marrë me familjen e të ndjerit K.Veselit, ka deklaruar se informatën për abuzimin seksual që 9-vjecari po e përjetonte e kishin marrë gjatë vitit 2018.

“Me datë 31.01.2018, ne jemi njoftuar nga policia se dyshohet se një person e ka keqtrajtua fëmiun. Ne kemi shku me polici e kemi vizituar fëmijën. Ai ka hezituar që të tregojë mbi rastin”, ka sqaruar menaxheri i rastit.

K.Veseli, në atë kohë nuk e kishte pranuar para punonjësve të Qendrës se ishte dhunuar. Por, pas 3 muajve, ai i ishte rrëfyer psikologes së Qendrës duke ia rrëfyer të gjithë rastin.

“Me datë 13.03.2019, ne e kemi ftu psikologun këtu në Qendrën për Punë. Fëmija nuk ka dashur që të ndahet nga nëna, por gjatë seancës psikologjike, ai ka pranuar se është keqtrajtuar seksualisht nga personi i dyshuar”, ka deklaruar Bislimi nga Qendra për Punë Sociale.

Por me gjithë këto raportime të nënës së viktimës, Prokuroria  e shtetit, rastin e kishte lënë rastin në procedurë të rregullt, dhe kishte pritur kapjen e të dyshuarit, që ndodhi në muajin korrik, pra pas më shumë se gjashtë muajve.

Përgjatë janarit e deri në korrik kur edhe viktima vdiq, institucionet nuk janë marrë me sigurinë dhe mirëqenien e tij.

Fitim Malokaj, i cili është avokat i të dyshuarit për vrasjen e 9-vjecarit, K.Veseli tha për Express se gjatë intervistimit nga hetuesit, klienti i tij ka pranuar se ka pasur kontakt me viktimën, K.Veseli dhe se e ka goditur atë me mjete të forta por që sipas tij ai nuk ka besuar se viktima ka vdekur.

“Mbrëmë sipas detyrës zyrtare më kanë thirr policia dhe kam shku në stacionin policor, departamenti për krime të rënda. Personi në fjalë është intervistu në cilësinë e të dyshuarit.  Kallëzimin penal policia e ka dërguar në prokurori. Prokuroria ende nuk e ka dërgua kërkesën për caktimin e paraburgimit. Gjatë intervistimit të të dyshuarit, ai e ka pranu veprën të cilën dyshohet se ka kryer. E kam goditë me guri, por nuk e kam ditë që e kam vra”, ka deklaruar avokati i të dashurit për vrasje.

 

Një tjetër fëmijë rrëfen abuzimin nga i dyshuari për vrasjen e 12 vjeçarit në Fushë-Kosovë

Periskopi.com Lajme

Kanë kaluar 6 ditë qëkurse u gjet i vdekur 12-vjeçari në Fushë Kosovë.

Të martën mbrëma, Policia e Kosovës arriti ta arrestojë një person me inicialet S. O., i cili dyshohet se ka vrarë të miturin nga Fushë Kosova, raporton KTV.

Mirëpo, K. V., sipas banorëve, nuk është i vetmi fëmijë në lagje që ishte ngacmuar nga ky person.

Edhe një 15-vjeçar i së njëjtës familje, tregon se ishte dhunuar nga i dyshuari e pastaj edhe kërcënuar.

E kjo familje vazhdimisht kishte pasur probleme me të dyshuarin S. O. Ai ia ngacmonte fëmijët pothuajse çdo ditë, tregon Mustafë Tatari.

Ata thonë që kishin kërkuar në vazhdimësi ndihmën e policisë, por nuk kishin arritur ta gjenin S. O.

Ndërkaq, e ëma e të miturit që u vra në Fushë Kosovë, Makfire Ilazi, tregon se nuk ishte hera e parë që i biri i saj po keqtrajtohej nga i dyshuari.

K. V., 12-vjeçar jetonte në afërsi të të dyshuarit S. O. Për këtë arsye, Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë e kishte strehuar familjen e tij.

KTV-ja ka qëndruar edhe shtëpinë ku sulmuesi banon, por aty nuk ka qenë askush nga familja e tij.

Policia e Prokuroria po e heton S. O. për vrasje të rëndë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të kërkojë paraburgim për të.