Fëmijët e kthyer nga Siria, sërish në shkolla

Periskopi.com Lajme

Javën e ardhshme, më 2 shtator, pritet të fillojë procesi mësimor në shkollat e Kosovës.

Bashkë me fëmijët e tjerë, në bankat shkollore do të ulen edhe fëmijët të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Prej 74 fëmijëve sa u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.

Afërdita Jaha nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), tha për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit, kanë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e nxënësve në shkolla.

“Në bashkëpunim me drejtoritë komunale dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, më 2 shtator, do të fillojnë mësimin të gjithë fëmijët e kthyer nga vatrat e luftës. Mësimi do të fillojë për fëmijët prej moshës 6-vjeçare. Në arsimin fillor do të kthehen 25 nxënës, derisa në arsimin parashkollor do të kthehen 5 nxënës”, tha Jaha.

Ajo ka treguar se kanë siguruar kuadro për ofrimin e mësimit të përshpejtuar për nxënësit, mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë për të qenë nxënës të rregullt. Këta fëmijë janë nga Prishtina, Suhareka, Lipjani, Ferizaj, Mitrovica, Klina dhe Gjilani.

Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen nga Siria në Kosovë.

Kthimi i tyre, megjithatë kishte hapur një sfide tjetër për shtetin e Kosovës, përkatësisht, riintegrimi i tyre. Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli, kishte deklaruar kohë më parë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë janë duke kryer punën e tyre. Ai kishte veçuar si sfidë “fazën e rehabilitimit, për faktin se të kthyerit kanë kaluar periudha të vështira në zona të konfliktit, qoftë në vendet ku kanë jetuar, por edhe në kampe të ndryshme, ku ka familje që ka qëndruar për kohë të gjatë”.

“Rehabilitimi dhe riintegrimi i personave që kthehen nga zonat e konfliktit ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë, do të jetë i vështirë, do të ketë sfida të mëdha”, kishte deklaruar Makolli.
Shkrim e plotë e gjeni në REL.

Fëmijët e kthyer nga Siria, në shtator fillojnë mësimin

Periskopi.com Lajme

Në Kuvendin e Kosovës sot është diskutuar për integrimin e shtetasve kosovar të kthyer nga zona e konfliktit të Sirisë. Nga institucionet e përfshira direkt në kthimin dhe ri-integrimin e tyre u tha se ky proces do të zgjasë, por që të kthyerit do të trajtohen në secilën formë, ndërkohë që fëmijët do të marrin arsimimin dhe edukimin e nevojshëm.

Në tryezën e organizuar nga Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, ku u diskutua lidhur me integrimin e shtetasve kosovarë dhe familjarëve të tyre të kthyer nga lufta në Siri, institucionet e përfshira në këtë rast treguan se deri ku ka shkuar procesi i ri-integrimit.

Major Blerim Rama, i cili udhëheq me Drejtorinë kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës, tha se sfidat që po paraqitën tani, pas kthimit të tyre, janë sigurimi dhe përdorimi i provave të procedurës penale, për veprimet që shtetasit kosovarë kanë kryer në zonën e konfliktit në Siri, raporton KSP.

Duke folur për ata që ishin luftëtarë në Siri, ai tha se përdorimi i provave del të jetë problematike.

Rama tha se nga takimet që po zhvillojnë me gratë e kthyera nga Siria, që tashmë janë në arrest shtëpiak, kanë ngritur dilemat se a duhet të njëjtat t’i rrisin fëmijët, meqë ato nuk duken të jenë të kthyera në sistemin e shtetit të Kosovës.

“Një sfidë dhe praktikë, që po kontaktojmë me partnerët tanë po del se shtetet po i trajtojnë gratë në forma të ndryshme disa po i shohin si viktima, disa po i trajtojnë si të dyshimta. Për momentin ne kemi filluar t’i trajtojmë si të dyshimta, të shohim çka po na tregohet, ku janë gjendur, çka kanë bërë, me kohë do t’i marrin vendimet institucionet përkatëse. Një sfidë që e kemi potencuar si drejtori nga takimet që kemi pasur me këto gra, është se a janë këto gra të duhura t’i rritin këta fëmijë, çka duhet bërë ne si institucione që këta fëmijë mos me na i marrë sikur u morën në 2012, 2013, që i dërguan në Siri, çka duhet të bëjë shteti, cilat veprime t’i ndërmarrë. Jo të gjithë, por me disa, nëse këta fëmijë rriten vetëm brenda shtëpisë, nuk e di me çka do të merremi kur këta t’i bëjnë 20-vjeç. Kjo është temë që duhet diskutuar”, tha ai.

Mensur Hoti nga Departamenti për Siguri në Ministrinë për Punë të Brendshme, tha se shqetësim kryesor kanë pasur shëndetin e të kthyerve.

“Shqetësimi kryesor ka qenë, a ka mundësi që të bartin ndonjë sëmundje, e cila mund të rrezikojë sigurinë publike, për popullatën ose familjet. Për me përmbyll është deklaruar Instituti i Shëndetit Publik. Kemi ardhur në përfundim që nuk rrezikohemi prej sëmundjes që mund të përhapet, dhe pas marrjes së dokumenteve dhe procedurave të tjera, ne këta qytetarë i kemi liruar për në shtëpi. Gratë, të gjitha janë në arrest shtëpiak. Para një kohe, kjo masë është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë. Angazhimi kryesor i MPB-së pastaj ka pasur të bëjë me rehabilitimin”, tha ai.

Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Eset Sahiti tha se të gjithë fëmijët në shtator do të integrohen në sistemin arsimor.

“MASHT në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe komunat ofron edhe mësimin në qendrën korrektuese dhe burgjet e Kosovës, tashmë nga Ministria e Punëve të Brendshme i kemi edhe të dhënat për numrin e të kthyerve dhe ne do të hartojmë një plan detal dhe presim ose garantojmë, që në shtator të gjithë fëmijët e kthyer do të integrohen në sistemin arsimor”, tha ai.

Sahiti ka bërë të ditur se MASHT ka të hartuar një udhëzim administrativ për nxënësit që kanë migruar, i cili parasheh ri-sistemimin e tyre në shkollat përkatëse. Gjithashtu, theksoi se nxënësve u mundësohet vazhdimi i mësimit në shkollat ku kanë qenë të regjistruar.

Ai tha se për fëmijët e riatdhesuar MASHT ka të përcaktuar kriteret dhe procedurat e organizimit të mësimit, ndërkohë që edhe për të rriturit e riatdhesuar tha se ekziston mundësia e arsimimit

Ndryshe, në prill të këtij viti, shteti i Kosovës ka arritur të kthejë 110 qytetarë nga zonat e konfliktit në Siri, në mesin e tyre 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë. Operacioni i institucioneve të Kosovës është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.