Zyrtare: Balfin merr 90% të aksioneve të Ferronikelit në Drenas

Periskopi.com Lajme

Grupi Balfin ka bërë të ditur se me sukses ka nënshkruar një marrëveshje për të zotëruar 90% të aksioneve të Newco Ferronikeli, uzina dhe fonderia e integruar e ferro nikelit e ndodhur në Drenas të Kosovës.

Balfin do t’i zotërojë aksionet e Newco Ferronikeli përmes kompanisë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, NKL Limited, njofton Klan Kosova.

Newco Ferronikeli ishte prekur nga rënia e çmimeve të nikelit gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte operuar me kapacitet të plotë gjatë 18 muajve të fundit, ndërkohë që e kishte ndërprerë plotësisht veprimtarinë gjatë 4 muajve të fundit.

Sipas komunikatës zyrtare e cila ka arritur në adresë të Klan Kosovës, Balfin do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë uzinën dhe do ta rikthejë prodhimin me kapacitet të plotë brenda Gushtit, si dhe ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe do të paguajë pagat e pashlyera të punonjësve.

Newco Ferronikeli, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1500 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e uzinës me lëndë të para dhe logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Me blerjen e Newco Ferronikeli-t, Balfin përsërit një eksperiencë të ngjashme si ajo me Albchrome në 2012, çka solli rigjallërimin e industrisë minerare në Shqipëri. Albchrome është duke zbatuar planin e një investimi prej 70 milionë dollarësh i cili prek minierën e Bulqizës për t’ia rritur jetëgjatësinë rezervave të kromit me mbi 20 vjet, si dhe duke rivënë në punë dhe duke investuar me furra të reja në Burrel dhe duke bërë përmirësime domethënëse në fonderinë në Elbasan. Me 2 uzina në të cilat operojnë 4 furra, dhe minierën e Bulqizës, Albchrome ka mbi 1100 punonjës dhe përbën një aktor kyç në sektorin minerar
shqiptar.

Kompleksi i Ferro-nikelit në Drenas përfshin një uzinë të prodhimit të nikelit, ndërkohë që zona përreth është e pasur me depozita minerale. Impianti në fjalë është ndërtuar në vitin 1984, duke përdorur teknologjinë sovjetike të kohës, njofton Klan Kosova.

Grupi Balfin ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Newco Ferronikelli në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 ton në vit, në mbi 10 000 ton në vit.

Grupi Balfin është grupi më i madh i investimeve private në Evropën Jug Lindore, me veprimtari në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje, Austri, dhe Holandë, si dhe veprimtari në sektorin e zhvillimit të pronave të patundshme, si qendrat tregtare në Shqipëri dhe Maqedoni, veprimtaritë e shitjes me pakicë përmes markave të tij kryesore si Neptun, Jumbo, Spar etj, në zhvillimin e resorteve si Green Coast dhe Vala Mar, si dhe në sektorin e minierave me AlbChrome.

Balfin Group mirëpret me kënaqësi Newco Ferronikeli-n në gjirin e tij, thuhet në njoftimin zyrtar.