Filarmonia e Kosovës me muzikë shënon formimin e Ushtrisë

Periskopi.com Lajme

Pas një viti me shumë koncerte, festivale e organizime artistike, viti 2019 për Filarmoninë e Kosovës ka filluar me “Tingujt e Flautit”.

Përveç repertorit të pasur që ka sjellë Filarmonia e Kosovës, këtë herë e veçantë ishte premiera e veprës, “Mag-Hyllus”. Me këtë marsh, autorët dhe orkestra, në mënyrë shumë modeste shënuan formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ky koncert e festoi formimin e ushtrisë, përkujtimin e të rënëve gjatë luftës si dhe u përmbyll me “Mag-Hyllus”, raporton “Express” i KTV-së.

Kompozitori Liburn Jupolli, është siguruar që emërtimi i kësaj vepre të jetë në Ilirishten e vjetër.

Në marshin “Ylli i Madh”, përveç melodisë me motive ushtarake, publiku pati rastin të dëgjojë edhe tinguj të njohur shqiptar, të performuar nga Shaqir Hoti, një ndër artistët më të merituar kosovarë të muzikës popullore e burimore.

Përveç instrumentistëve tanë, në këtë koncert, orkestrës së Filarmonisë së Kosovës iu bashkua edhe flautisti turk, Bülent Evcil, i cili po ashtu tregoi edhe disa detaje rreth punës së tij si flautist.

“Salla ishte e mbushur plot, e ndjeva energjinë dhe entuziazmin e publikut dhe u kënaqa shumë gjatë performancës. Puna ime si flautist më jep mundësinë të udhëtoj nëpër gjithë botën. Deri tani kam vizituar 43 shtete për shkak të profesionit tim, po të kisha punë tjetër, ndonjë punë të zakonshme, do të mund t’i shihja këto vende vetëm si turist. Muzika më jep mundësinë të udhëtoj dhe ta prezantoj vendin dhe kulturën time, andaj ndihem shumë me fat, sepse e kam kthyer hobin tim në biznes.”

Koncerti i së dielës u dirigjua nga francezja Nathalie Marin. Ajo ka performuar në Kosovë edhe dy vjet më parë, ndërsa thotë se sheh shumë zhvillim brenda Filarmonisë. /Koha.net