Gërvalla – zyrtarit të VV’së: Mos rrej në emër timin, gjoja në mbrojtjen time

Periskopi.com Lajme

Ish-kryetarja e degës së LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla i ka reaguar përmes një postimi aktivistit të Vetëvendosjes, Frasher Oseku për komentet e tija se Vjosa Osmani kishte vazhduar takimin edhe pas përjashtimit të saj Gërvalles nga mbledhja e LDK-së.

Ajo i ka thënë Osekut se nuk është mirë se po gënjen në emër të saj.

Gërvalla ka sqaruar duke thënë se Vjosa Osmani nuk e ka vazhduar mbledhjen pas largimit të saj.

Tutje, ajo ka thënë se Osmanin nuk e shoqe por me të i ka lidhur përpjekja për të çuar përpara reformat në LDK.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë të Donika Gërvalles:

Gënjeshtrat elektorale – Vjosa dhe Donika

Frasher Oseku më paska etiketuar në një koment të tijin në Facebook. Pretendon se Vjosa Osmani e paska vazhduar mbledhjen, kur Donika Gërvallën e paskan përjashtuar nga mbledhja dhe madje zhagas. Meqenëse e dëgjoj herë pas here nga drejtime të ndryshme këtë pretendim, po e publikoj më poshtë përgjigjen time:

rashër Oseku, kështu nuk bën. Edhe rrenë edhe në emër tim dhe atë gjoja në mbrojtjen time. Ky stil nuk po më pëlqen fare dhe po më detyron të sqaroj disa çështje:

  1. Nuk është aspak e vërtetë që znj. Osmani pas skandalit në Këshillin e Përgjthshëm ka vazhduar mbledhjen. Vjosa Osmani është E VETMJA që atë ditë ka dalë nga mbledhja për të parë se çfarë po ndodh para derës. Pas pengimit tim për të marrë pjesë në mbledhje si kryetare e atëhershme e degës në Gjermani dhe incidentit fizik në korridor, znj. Osmani ka hyrë përsëri në sallë, ka marrë mikrofonin, ka shpjeguar se çfarë po ndodh para dere dhe u ka bërë thirrje të gjithë atyre “burrave” dhe grave të ulura në sallë që kjo situatë të përfundojë menjëherë. Reagimi ka qenë zero. Posa ka përfunduar fjalën, Vjosa Osmani ka dalë përsëri dhe ka qëndruar me mua në korridor, ndërkohë që brenda vazhdonte mbledhja. Me lutjen time ajo pas një kohe të gjatë është futur përsëri brenda në momentin kur është diskutur në sallë rreth disa pikave kyçe të statutit të LDK-së. Pas diskutimit të saj, përfundimin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm e ka pritur me mua në korridor, ndërkohë që kolegët tanë i binin korridorit rreth e rrotull korridorit për të shkuar në kafe, vetëm që të mos kalojnë kah këmbët tona. Për këtë janë dëshmitarë të pranishmit në sallë si dhe gazetarët e shumtë, të cilët gjatë gjithë kohës kanë përcjellë të gjitha lëvizjet.
  2. Kapriçot me feminizmin e një kandidati për kryeministër të vendit, janë vetëm filozofi boshe. Po të kandidonte znj. Osmani për postin e Kryetares së Forumit të Gruas të LDK-së apo të kryeredaktores së revistës “Kosovarja”, do ta kuptoja këtë debat. Por ajo kandidon për të drejtuar për një periudhë të kufizuar kohore fatin e vendit, të burrave, grave, fëmijëve dhe pleqve të Kosovës. Që znj. Osmani me përvojën e saj si nënë, profesore, politikane të ketë një qasje më të natyrshme ndaj problemeve specifike të femrës shqiptare në përgjithësi, sesa një Kadri Veseli apo një Ramush Haradinaj është krejt e kuptueshme dhe nuk don shpjegim.
  3. Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla për një kohë të gjatë kanë qenë anëtare të së njejtës parti politike në funksione të ndryshme. Vjosa dhe Donika nuk janë „shoqe“ që po i mbajnë krahun njëra-tjetrës. Asnjëherë nuk kanë pirë kafe në banesë të njëra-tjetrës dhe as nuk i kanë takuar ndonjëherë fëmijët e njëra-tjetrës. Me njëra-tjetrën i kanë lidhur përpjekjet për të çuar përpara reformat në LDK.
  4. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për qendrimin stoik të znj. Osmani kur merreshin vendime të rëndësishme për Kosovën. A mund të them që znj. Osmani është e pagabueshme dhe që secili vendim i saj ka qenë i drejtë dhe i mençur? Jo, këtë nuk mund ta them as për Vjosa Osmanin, as për Donika Gërvallën dhe as për asnjë person tjetër që merr guximin të marrë vendime. Por më tepër se gabimet e veçuara vlen qëndrimi konstant për një periudhë të gjatë.
Kandidatura e znj. Osmani është një dimesion krejt i ri në politikën kosovare dhe jep shpresë për zhvillime pozitive.
  5. Dhe çfarë po më irriton tepër gjatë ditëve të fundit është që disa prej atyre që e shohin Albin Kurtin si zgjidhjen më të mirë për vendin, duket se duke u marrë me znj. Osmani i kanë harruar Thaçin, Veselin, Haradinajn. Kanë harruar komplet që zgjedhjet e reja i donin për të hequr nga pushteti strukturat kriminale e jo për të evituar kandidaturën e znj. Vjosa Osmani.