Jakup Krasniqi vjen me një poezi para nisjes për në Hagë: Kush janë parazitët që janë mësuar nën Serbi

Periskopi.com Lajme

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili mori një ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale pritet që më datë 24 korrik të paraqitet në këtë gjykatë për dëshmi, raporton Periskopi.

Ai mori ftesën në të njëjtën kohë me tashmë ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj i cili pas këtyre ftesave dha dorëheqje nga posti.

Krasniqi në Hagë do të shoqërohet nga bashkë-partiaku i tij, Bilall Sherifi ndërsa vetëm dy ditë para kësaj paraqitje, ai ka shkruar një poezi si kundër-përgjigje për këto ftesa.

Ish-kryetari i Kuvendit përmes kësaj poezie ka përmendur disa “parazitë” siç i quan ai të cilët nuk e kanë problem të që jetojnë nën çdo robëri, “Ashtu siç jetuan sa e sa nën Serbi!”, shkruan Krasniqi.

Poezinë e Krasniqit të postuar në facebook mund ta lexoni më poshtë:

 

IKNI JU, NE MOS NA FTONI!

 

A thua kush do të ishim ne sot

Pa ato jetë të shumta kazamatesh

S’e di as si do të flisnin sot disa

Po të vazhdohej shikimi veç në hava!

 

A thua do të ishim këtu ku jemi

Pa të madhërueshmen tonë Çlirimtare

Ajo që na liroi nga vargonjtë e robërisë

Pa të jo kurrë s’do t’i gëzoheshim Lirisë…

 

A thua ç’gjuhë do të flitej këndejpari

Mohuesit e trimërisë jo s’e thonë kurrë

Ata i nënshtrohen çdo soji e çdo fare

Se jetën e bëjnë besa vetëm për pare!

 

A thua bastardët pyesin për politikë

Tek turrin e bëjnë vetëm për pasuri

Parazitë që jetojnë nën çdo robëri

Ashtu siç jetuan sa e sa nën Serbi!

 

Epo, atë rrugë s’ua ndalim dot

Të ikin sa më parë,madje që sot

Shqiptarët jo kurrë mos i ftoni

Ikni, kështu ju dua, mos hezitoni!

 

Në rrugën e tradhtisë mos na ftoni

Rrugën e Lirisë me Çlirimtaret

Për jetë të jetëve s’do ta ndryshonim

Ato gjurmë të Jetës në Ne janë mishëruar!