Kosova kërkon maksimumin në Maltë për ta pritur e qetë Azerbajxhanin

Periskopi.com Sporti

Me dy barazimet ndaj Azerbajxhanit, Malta e ka ndihmuar rrugëtimin e Kosovës, rrugëtim që shpresohet të përfundojë në “Euro 2020”. Ndihmë tjetër nga Malta nuk mund të pritet. Tani Kosovës i duhet të fitojë ndaj Maltës, për herë të dytë, që t’i afrohet synimit të madh. Ndeshja Malta – Kosova luhet të shtunën (sot) prej orës 18:00 në Ta’Qali të Maltës.

Kosova fiton grupin në rast të fitores dhe në ndeshjen tjetër Azerbajxhani nuk arrin fitore ndaj Ishujve Faroe. Por edhe në rast se nuk fiton grupin, Kosova i afrohet këtij suksesi me fitore ndaj Maltës, shkruan sot Koha Ditore.

Në të vërtetë fitorja e Kosovës edhe pritet, bazuar në cilësinë e dy përfaqësueseve e po ashtu në formën e shfaqur së fundi. Malta është në seri prej 12 ndeshjeve pa fitore, në të cilat ka tri barazime e nëntë humbje. Kosova është në seri prej shtatë ndeshjeve pa humbje. Ka pesë fitore e dy barazime.

Më 11 tetor në Prishtinë, Kosova dëshmoi se ka dukshëm më tepër cilësi se Malta. Fitoi me shifrat 3:1 takimin e Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pas katër xhirove, Kosova është e para në këtë grup me tetë pikë. Azerbajxhani është i dyti me gjashtë, Ishujt Faroe mbajnë vendin e tretë me katër pikë, ndërsa Malta inferiore është e fundit me dy pikë, falë dy barazimeve që ia nxori Azerbajxhanit. Ndeshjet e fundit të grupit luhen të martën. Kosova e pret Azerbajxhanin në ndeshjen që mund të vendosë për vend të parë, ndërsa takimi Malta – Ishujt Faroe mund të jetë më shumë për statistika.