Edhe Komuna e Vitisë pritet të marrë masa kundër garave me qenë

Periskopi.com Lajme

Komuna e Vitisë pritet të marrë një vendim që ndalon keqtrajtimin dhe vrasjen e kafshëve, duke përfshirë këtu edhe garat mes qenve që organizojnë individë të ndryshëm.

Kështu ka njoftuar për KosovaPress, Jakup Haxhiu, shefi i kabinetit të kryetarit të Vitisë.

Ai tha se e kanë marrë me shqetësim njoftimin për një garë të mundshme mes qenve në fshatin Kabash të Vitisë që ishte paralajmëruar për sot.

“Personalisht, me kërkesën e kryetarit e kam hulumtuar rastin, kam biseduar edhe me policinë, ju garantoj që në Viti nuk është mbajtur një garë e tillë. Qysh nesër, të hënën, do e konsultojmë ligjin edhe me policinë për të marrë një vendim lidhur me këtë dukuri, dhe pastaj do e bëjmë publike”, ka thënë haxhiu për KosovaPress.

Një vendim të ngjashëm para disa ditësh e ka marrë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka nënshkruar një urdhëresë për ndalimin e keqtrajtimit dhe vrasjen e kafshëve.

Përndryshe, gjatë mëngjesit të sotëm, KosovaPress kishte marrë njoftim se në një fshat të Vitisë do të mbahet një garë që nxitë përleshje mes qenve, dhe menjëherë ka kontaktuar policinë dhe komunën e Vitisë, të cilët u treguan shumë bashkëpunues, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e Vitisë, Sokol Halitin.

Si rezultat i kësaj, Haxhiu nga kabineti i kryetarit të Vitisë njoftoi për KosovaPress se tashmë po punojnë për ta parandaluar këtë dukuri.

Ndërkaq, sipas Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve, shfrytëzimi, keqtrajtimi apo vrasja e kafshëve në gara, mund të dënohet me gjobë nga 100 deri në 5000 euro./Periskopi