Deri në gjashtë muaj pritje për gastroskopi dhe kollonoskopi në QKUK

Periskopi.com Lajme

Pritjet për gastroskopi apo kollonoskopi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës shkojnë deri në gjashtë muaj. Aparatura e re e gastroskopisë dhe kollonoskopisë është blerë në gusht të vitit të kaluar. Megjithatë, ajo nuk e ka zvogëluar listën e pritjes së pacientëve, shkruan sot Koha Ditore.

Me aparaturën e re në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hematologji kryhen dy funksione: incizimi i pjesës së sipërme të zorrëve – gastroskopia, edhe incizimi i pjesës së poshtme – kollonoskopia.

Drejtori i Klinikës së Gastroenterologjisë, Zaim Gashi, ka thënë se kjo listë e gjatë e pritjes është për shkak se në këtë klinikë janë duke punuar vetëm me një aparaturë.

“Nëse punohet me një aparat kjo listë e pritjes është normale, për arsye se ata që punojnë me katër ose pesë aparate e kanë listën e pritjes prej dy deri në tre muaj. Këtë aparaturë po duhet ta lëvizim prej një salle në sallën tjetër dhe bartja e kësaj aparature nga një vend në tjetrin mund të krijojë defekte pas një kohe”, ka thënë Gashi.

Klinika e Gastroenterologjisë në mjerim, i mungojnë pajisjet elementare

Periskopi.com Lajme

Klinika e Gastroenterologjisë ka mbetur pa tri aparatura të rëndësishme, të cilat shërbejnë për ekzaminimin e disa organeve të sistemit të tretjes, e kjo pasi ato janë vjetërsuar dhe janë jashtë funksionit.

Drejtori i Klinikës së Gastroenterologjisë, Zaim Gashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se trajtimi i pacientëve në mungesë të aparaturës së gastroskopisë dhe të kolonoskopisë ka qenë shumë i vështirë, derisa ka bërë të ditur që gjatë këtyre ditëve është prishur edhe aparatura e hiperendoskopisë.

Sipas tij, u është dashur që të huazojnë aparatura nga klinikat tjera për t’i trajtuar pacientët, të cilët kanë qenë të hospitalizuar.

“Gastroskopi i ka dy vjet që nuk punon, ndërsa kolonoskopi qe një vit nuk punon. Prej asaj kohe ne i kemi huazuar këto aparatura nga ku kemi mundur, prej Qendrës Emergjente ose prej Kirurgjisë një kohë. Edhe një hiperendoskop, i cili është i paraparë për incizim të zorrës së trashë me të cilin mund të ekzaminohet vetëm 30cm – 40cm e zorrës, edhe ai është prishur për arsye se është aparaturë e vjetër, nuk pritet me të të punohet 15 vjet”, ka thënë ai.