Bytyçi i PDK’së: Liburn Aliu po na flet për UÇK në stilin “hajde babë t’i kallxoj arat”

Periskopi.com Lajme

Ish-ushtari i UÇK-së njëherësh Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të VV Liburn Aliu i cili akuzoi sot krerët e luftës së UÇK.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Liburn Aliu po flet për Kadri Veselin dhe ushtarët e UÇK në stilin “Eja babë ti tregoj arat”.

Deklarata e plotë e deputetit Gazmend Bytyçi:

Liburn Aliu paska folur me inat e me arrogancë kundër Kadri Veselit dhe paska marrë guximin që neve, ushtarëve, të na e tregojë historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I gjithë populli i Kosovës e di mirë që Kadri Veseli, si themelues i UÇK-së, ka qenë ndër të parët që ka veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndër të fundit që e ka hequr atë.

Ushtarët e kanë parë vetë, me sytë e tyre, në llogoret e betejave më të ashpra, ndërsa populli e ka parë kur shpëtonte refugjatët duke koordinuar me telefon satelitor sulmet e NATO-s.

Të na i tregojë Liburni neve vijat e frontit, është si ajo fjala e moçme popullore, “Eja babë, t’i tregoj arat!”

Për sa i përket asaj se kush e ka rehabilituar Serbinë, atë e shohim sot me veriun dhe me 1000 testet lëmoshë, që Qeveria Kurti ia mundësoi Vuçiqit të dalë si një hero, që po e ndihmon Kosovën.

Kohë e çuditshme, përçudnim i njerëzve deri në tentim përçudnimi edhe të historisë.