Prokurori i Hagës që dikur ndiqte Millosheviqin për krimet në Kosovë, tash do të mbrojë ish- luftëtarët e UÇK-së si avokat

Periskopi.com Lajme

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Geoffrey Nice, i cili ndiqte penalisht ish presidentin serb Sllobodan Milloshevic për krimet që ndodhën në Kosovë, ka pranuar të bëhet avokat mbrojtës i Sami Lushtakut në procesin e tij në Gjykatën Speciale.

Nice është ndër prokurorët që i kishte dalë përballë edhe Carla Del Pontes duke akuzuar atë që kishte fshehur prova kundër Millosheviqit dhe Ratko Mlladiqit.

Sipas tij janë lënë në “terr” dokumentet që kanë të bëjnë me transkriptet e Këshillit suprem të ushtrisë së ish-Jugosllavisë. “Ato dokumente janë hapur në gjykimin kundër ish-gjeneralit Momçillo Perishiç, kurse shumë boshnjakë besojnë që pikërisht pjesët e fshehura të atyre dokumenteve do të ishin kyçe për dënimin e Serbisë për gjenocid”, pati deklaruar Nice.

Sipas Nices Del Ponte kishte improvizuar edhe me rastin ndaj Ramush Haradinajt në Hagë. Ai iu pati thënë mediave ndërkombëtare se juristët e angazhuar në rastin e Ramush Haradinajt kanë sugjeruar që nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktpadi, por Carla del Ponte ka instruktuar dy juristët që aktpadia megjithatë të ngrihet. “Ajo ka pritur që duke akuzuar Haradinajn do ta bindë palën serbe për të arrestuar Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mlladiçin”, pati thënë Nice.

Tani Nice, i njohur me fakte nga lufta e Kosovës, ka vendosur të mbrojë ish luftëtarët e UÇK-së. Ai është avokat i Sami Lushtakut në procesin ndaj tij në Gjykatën Spceciale në Hagë. /Periskopi