Pa flokë, mjekër e vetulla, ish-kampioni i Sampdoriasi i tmerruar nga kanceri: “Kam frikë se kthehet”

Periskopi.com Sporti

Gianluca Vialli është kthyer të flasë për luftën e tij kundër tumorit në pankreas. Një betejë e egër, që ish-kampioni i Sampdorias ka rrëfyer për Times, duke treguar edhe gjithë frikërat e tij për të ardhmen.

“Fizikisht jam mirë e kam rifituar muskujt – shpjegoi ai -, por jam ende i frikësuar dhe i shqetësuar”. “Sa herë zgjohem ose shkoj në shtrat me pak dhimbje barku ose koke, apo me pak temperaturë, mendoj menjëherë ‘o Zot, u kthye’. Besoj do të duhet kohë përpara se të arrij ta lë pas këtë ndjesi”, shtoi ai.

Një frikë që vështirë se mund të kontrollohet, e shënjuar thellësisht nga ndërhyrja kirurgjike, nga kemio e nga radioterapia. Dy vite të tmerrshëm, në të cilin Vialli ka humbur gati 16 kg, flokët, mjekër e vetulla.

E edhe sigurinë. “Në këtë situatë je i brishtë e nuk mund ta dish nëse e ke mundur sëmundjen deri kur kalojnë disa vite pa patur probleme”, ka shpjeguar Vialli duke treguar frikën e tij.

Në luftën kundër kancerit, përkrah Gianluca ka qenë gjithnjë gruaja e tij angleze Cathryn e dy vajzat adoleshente.

Një prezencë konstante që i ka dhënë qetësinë e i ka kthyer dëshirën për të buzëqeshur. “Vajzat e mia më kanë ndihmuar duke më pikturuar vetullat e i kam kërkuar këshilla gruas për të përdorur turkim – ka treguar Vialli -. Kemi qeshur, duhet të qeshësh, ke nevojë të gjesh anën zbavitëse, nëse mundesh”. “Por kishte ditë që mbyllesha në banjë për të mos më parë kur qaja”, përfundoi ai.