Për 6 muaj në Shqipëri vdesin 102 persona në aksidentet rrugore

Periskopi.com Lajme

Numri i aksidenteve rrugore këtë sezon veror ka pasur një trend në rritje krahasuar me muajt e parë të këtij vitit. Vetëm gjatë javës së fundit të muajit korrik u regjistruan 10 aksidente, ku ndër to, 3 u shënuan në Qarkun e Korçës ditën e shtunë, me pasojë 7 të plagosur.

Gjashtë mujori i 2019-ës, ka regjistruar 714 aksidente në të gjithë vendin, me pasojë 858 të plagosur dhe 102 persona të vdekur.

 

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, gjashtë mujori i këtij viti numëron 4 persona më shumë të vdekur dhe 113 persona të plagosur më pak.

Muaji qershor i këtij viti, mban rekordin e numrit të aksidenteve për 6 mujorin e parë të 2019-ës, duke regjistruar 131 aksidente. Për pasojë, kanë mbetur të vdekur 26 persona dhe të plagosur 161.

Shkaktarët kryesore në aksidente vazhdojnë të mbeten drejtuesit e mjeteve. Për qershorin, rreth 92% e aksidenteve janë shkaktuar nga ta. Problematike mbetet tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, përdorimi i celularit, apo edhe mosruajtja e distancës së sigurisë në rrugë.

Pjesa tjetër e shkakut të aksidenteve i takon këmbësorëve të cilët refuzojnë të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kaluar me semafor të kuq, apo në mungesë të mbikalimeve ose refuzimit të tyre, kalojnë mbi trafikndarëse, shkruan tch.

Numri i lartë i aksidenteve gjatë sezonit veror lidhet me fluksin e madh të automjeteve që hyjnë në vendin tonë. Kthimi i emigrantëve dhe pushuesit, e rëndon trafikun dhe qarkullimin në rrugët kryesore të vendit.

Megjithatë, policia rrugore prej nisjes së sezonit veror ka shtuar masat me qëllim reduktimin e trafikut dhe shmangien e aksidenteve rrugore. Sezoni veror ka regjistruar gjithmonë rritje te aksidenteve per shkak se pjesa me e madhe e drejtuesve te mjeteve ne sezon pushimesh janë më të pavëmendshëm, ecin me shpejt dhe përdorin më shumë alkool.