Nis kursi i gjuhës kroate, pritet memorandum për shkëmbim studentësh Kosovë-Kroaci

Periskopi.com Lajme

Prej sot, studentët e Universitetit të Prishtinës do të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën kroate në ambientet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, në hapje të kursit të gjuhës kroate, tha se gjuha është hapi i parë përmes së cilës hapen shtigjet për të njohur shoqëri dhe kultura të reja.

“Ju e keni mundësinë që të mësoni gjuhën kroate, por edhe të shkëmbeni kulturat duke njohur shoqëri të reja. Duke e mësuar gjuhën kroate, ju do të keni mundësinë që të ndiqni studimet e masterit në Kroaci”, u shpreh ajo.

Lindita Sejdiu – Rogova, dekane e Fakultetit Filologjik, tha se ideja e këtij projekti është e kahmotshme.

Ajo pohoi se është një investim reciprok i cili vlen shumë, pasi që siç tha ajo, vetë hapja e këtij kursi nënkupton se do të hapet një katedër e gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit.

“Shpresojmë që vitin tjetër qeveritë tona të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për shkëmbime të studentëve”, tha ajo.

Ndërsa, profesoresha Ivançica Bankoviq – Mandiq, tha se është shumë e lumtur që ka rastin të vazhdojë punën e palodhshme me studentë.

Ndryshe, deri më tani janë lajmëruar 30 studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë shprehur interesim për të ndjekur kursin e gjuhës kroate.