Veseli: Nuk jemi parti që gjuhemi me karrige

Periskopi.com Lajme

Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në pasditen e sotme ka marrë pjesë në debat me strukturat e degës së PDK-së në Pejë, i cili u mbajt në qendër të qytetit, në Parkun e paqes “Ibrahim Rugova”.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i shoqëruar nga kryetari i degës së PDK-së në këtë komunë Xhavit Haliti, kanë folur para të pranishmëve për vizionin dhe rolin e PDK-së dhe dekadës së re, duke u fokusuar në obligimet që ky subjekt i ka vënë vetës pas Konventës dhe Kuvendit të ri të sapo mbajtur në nivel vendi.

Të dy, si Haliti ashtu edhe Veseli janë fokusuar në orientimet dhe angazhimet që PDK duhet të ketë në raport me qytetarin e komunës së Pejës. Veseli ka potencuar lëvdatat për shpirtin sipërmarrës të pejanëve dhe i ka ftuar strukturat e degës që të jenë afër sipërmarrësve të rinj, t’i mbështesin dhe t’iu hapin derën gjeneratave të reja të dëshmuara në çdo sferë të jetës.

“PDK çmon individin por nuk është në shërbim të individit. Ne jemi për Kosovën dhe interesat e saja nacionale. Peja ka kapacitete të jashtëzakonshme ndaj dhe kam ardhur sot dhe shpresoi se tek ju shumë shpejt do kompletohet edhe kryesia e re. Unë ju ftojë të jeni në komunikim me secilin qytetarë, ta ofroni ta mbështesni, sidomos sipërmarrësit e rinj. Të jeni në komunikim me të gjithë duke qenë korrekt dhe duke hapur derën e PDK-së për ta. Nëse jemi të tillë, atëherë nuk ka nevojë të flitet se kush do jetë kryetar i Pejës. Ajo i takon kualitetit dhe ne kemi kualitete”, tha në mes tjerash Veseli, raporton Njeshi.

Veseli më tej ka thumbuar LDK-në, respektivisht procesin zgjedhor nëpër të cilin po kalon LDK. “Kryetar Haliti unë pas fjalës time, ju kërkoi këtu në mes të Pejës të hapni debat me qytetarë, jam i gatshëm, ne e dini pranojmë edhe kritikën dhe ne nuk jemi parti që gjuhemi me karrige”, shtoi Veseli.

Në takim kanë marrë pjesë edhe drejtor dhe ish-drejtor të drejtorateve të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së.