Hudhet poshtë aktakuza ndaj Gazmend Muhaxheri

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Pejë e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarin të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili akuzohet për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i rastit, Sejdi Blakaj.

Ai ka thënë se është aprovuar kërkesa e të akuzuarit Muhaxheri, për hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tij.

Sipas gjykatësit Blakaj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Muhaxheri e ka kryer një vepër të tillë penale.

Ai ka thënë se lidhur me vendimin dhe arsyetimin më të gjerë, palët do të njoftohen me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.

Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.

Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27.04.2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanaj lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës.

Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.

Tentoi t’i ikë policisë me 26 kilogramë marihuanë, dënohet me 2 vjet burg

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me dy vjet burgim të pandehurin që ka tentuar t’i ikë si nëpër filma Policisë me 26 kilogramë marihuanë.

Më datë 06.02.2019, të pandehurit me inicialet V.K., i janë gjetur në veturën e marrë me qira, 26 kilogramë marihuanë në fshatin Staradran të Istogut.

“Gjatë patrullimit të policisë, të njëjtit e vërejnë të pandehurin dhe e përcjellin në distancë prej tre kilometrash, ku në një moment edhe fillon të largohet me vrull, por pas një kohe të shkurtër ndalohet dhe pas kontrollimit të automjetit, në bagazh gjenden tetë paketime të mbështjella me ngjitës izolues me ngjyrë kafe me substancë narkotike të llojit Marihuanë”, thuhet në komunikatën për medie.

“Ndaj të pandehurit gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh, e në të cilin dënim me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”.

Pasi shpallet fajtor, i akuzuari grushton avokatin e tij

Periskopi.com Lajme

Një avokat është sulmuar sot në Gjykatën e Pejës nga klienti i tij.

Me gjasë i pakënaqur me vendimin e Gjykatës, e cila e shpalli fajtor dhe e dënoi, i akuzuari M.N. e ka sulmuar fizikisht mbrojtësin e tij, avokatin Flamur Kelmendin.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Pejës, M.N. pasi ka dëgjuar lartësinë e dënimit nga ulësja e tij ka reaguar dhe e ka goditur dy herë me grusht mbrojtësin e tij.

Avokati Kelmendi në një prononcim për kallxo.com tha se sulmi nga klienti i tij e kishte zënë në befasi.

“Për mua ka qenë befasi sulmi, të të sulmoj klienti. Unë kam qenë avokat i angazhuar sipas detyrës zyrtare, jo me pagesë. E kam dhënë një fjalë përfundimtare shumë profesionale për favorin e tij e tash çka i ka ndodh atij, si duket shqetësimi që është dënuar për një vepër shumë të rëndë”, tha avokati Kelmendi.

Ai veprimin e klientit të tij e konsideroi “tinëzar”.

“Unë kam qenë më së afërmi tij. Ka reaguar edhe më kapi, mu vërsul mua, kaq ka qenë. Për mua ka qenë e papritur edhe veprimi ka qenë tinëzisht, mbas shpine. Ai i ka ikur edhe policit, gardianit mirëpo Policia ka vepruar menjëherë edhe e ka penguar”, shtoi më tej Kelmendi.

Në lidhje me sulmin ndaj avokatit Flamur Kelmendi ka reaguar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila përmes një komunikate ka shprehur shqetësim të thellë për sulmin ndaj avokatit Kelmendi.

Sipas Odës së Avokatëve, sulmet ndaj avokatëve janë bërë të shpeshta prandaj përmes kësaj komunikate u është bërë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore me qëllim të hetimit të plotë të këtij rasti si dhe Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës i është vënë në vëmendje se e kanë për obligim ligjor të mbrojnë dhe sigurojnë avokatet gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.

Gjykata e Pejës, më e korruptuara në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ka rezultuar se Gjykata më e korruptuar, konkretisht më e ndikuar nga politika, është ajo e Pejës, e pasuar nga Gjykata e Ferizajt dhe ajo e Gjilanit.

Korrupsioni, sipas perceptimit të qytetarëve, bëhet përmes avokatëve.

Nga ndikimi i avokatëve korrupsioni më i lartë ka rezultuar se është në gjykatën e Prizrenit, e pasuar nga Gjykata e Prishtinës, si dhe Gjykata e Gjakovës.

Në Gjykatën e Prizrenit, sipas raportit, është kërkuar mito më shumë se dyfishi i të gjitha gjykatave tjera së bashku.

Gjatë prezantimit të raportit, Brian Martalus, nga Misioni i USAID-it në Kosovë, ka thënë se qytetarët po kërkojnë gjyqësor transparent, i cili u ofron shërbime efikase dhe u jep llogari.

Ndërkaq, udhëheqësi i Programit për Fuqizim të Sistemit të Drejtësisë në USAID, Andrew Boname, ka shprehur rëndësinë që ka matja e kënaqshmërisë së qytetarëve me gjykatat dhe për këtë ka thënë se hulumtime duhet të bëhen çdo vit.

Përfaqësues të gjykatave i kanë mirëpritur gjetjet e raportit, por kanë kundërshtuar pjesën e korrupsionit.

Kryetari i Gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxha, nga Gjykata e Prizrenit, ka deklaruar se në përgjithësi gjetjet janë të pranueshme, por se nuk pajtohet me atë se gjykata ku ai punon është e para për sa i përket korrupsionit nga ndikimi i avokatëve.

Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Gjykata e Ferizajt ka dalë si më e mira në aspektin e ofrimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarë.