Familjarët flasin për aksidentin tragjik në Gllarevë ku humbën jetën 3 persona

Periskopi.com Lajme

Selvije Berisha, 58 vjeçare, nga fshati Kryshec i Pejës, javëve të fundit përballoi dy infarkte dhe një operacion në zemër që i zgjati 13 orë. Për tri javë kishte qëndruar e shtrirë në QKUK derisa ishte shëruar plotësisht, mjekët e lëshuan dje nga spitali. Sëmundjes në zemër i shpëtoi, por jo aksidentit të rëndë që ndodhi dje në Gllarevë. Rrugës për në shtëpi vetura në të cilën ndodhej ajo bashkë me të vëllain Malushin dhe bashkëshortin Jakupin, u aksidentua rëndë me një autobus dhe i la të vdekur që të tre. Familjarët po i prisinin me gëzim të madh në shtëpi, por fatkeqësisht ata pranuan kufomat e tyre.

Familja Berisha në Kryshec të Pejës kanë hapur të pamën. Varrimi i çiftit Berisha, Selvija 58 vjeç dhe Jakupi 62 vjeç do të bëhet nesër në prezencën e dy djemve të tyre, të cilët sot vijnë nga Gjermania. Ata kanë edhe një djalë e një vajzë tjetër të cilët jetojnë në Kosovë.

Vëllai i Selvijes Malush Malushaj 50 vjeç është varrosur sot në orën 14.00 në vendlindjen e tij në fshatin Kotradiq të Pejës.

Kunata e çiftit Berisha, Kimetja ka rrëfyer për   ngjarjen se si ndodhi aksidenti. Ajo tha se pas tri javësh qëndrimi në spital Selvija, dje, po kthehej në shtëpi me burrin dhe vëllain. Vëllai i Selvijes, Malushi po voziste dhe pas një tejkalimi të pasigurt ishte ndeshur me një autobus.

“Selvija u bo operacion në spital, ka qëndru 3 javë, 13 orë i ka zgjatë operacioni, mjekët e shnoshën, dje ka pas me ardhë e shëndoshë, por ka ndodhë aksidenti ne Gllarevë prej Prishtine. Dy herë mjekët e kanë shpëtu prej infarktit, vllau u kan tu i grah kerrit. Në Gllarevë ka tejkalu, i ka ra autobusit, edhe janë mbet dy të vdekur. Malushin e kan çu për Prishtinë, Malushi është vëllai i Selvisë. Deri ne gjysmë të rrugës u kanë i gjallë, në gjysmë të rrugës ka vdekë e kan kthy për Pejë sot e vorrosëm”, rrëfen Kimetja.

Për këtë aksident policia ka dhënë detaje në raportin e sotëm policor. Aty theksohet se janë lënduar edhe tre persona të tjerë të cilët ndodheshin në autobus, por pas tretmanit mjekësor gjendja e tyre është e mirë.

“Rr.Nacionale, Prishtinë-Pejë, fsh.Gllarevë 23.07.2018-14.10. Raportohet aksident trafiku në mes dy automjeteve dhe një autobusi të udhëtareve, me targa vendore, vozitës meshkuj K/Shqiptarë. Si pasojë e aksidentit lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar vozitësi i veturës dhe dy pasagjer një mashkull dhe një femër K/Shqiptar. Kurse vozitësi dhe dy pasagjer në autobusin e udhëtareve, dy meshkuj dhe një femër K/Shqiptare, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin Rajonal Pejë, janë liruar. Rastit ju kanë përgjigjur njësitë relevante policore, si dhe njësiti i zjarrfikëseve. Me vendimin e prokurorit, tre trupat e pa jetë i lirohen familjarëve për ceremoninë mortore. Rasti me vendimin e prokurorit iniciohet dhe mbetet të hetohet nga policia”, tha policia.

Më tej Kimetja rrëfen se Malushi ka qenë veteran i luftës së fundit në Kosovë dhe pas vete ka lënë dy fëmijë, gruan dhe nënën 90 vjeçare.

“Malushi nanën e ka 90 vjeç, veteran i luftës është UÇK u kan, ka edhe fëmijë te vegjël. Qikë dhe djalë”, thotë ajo.

Ajo ka një apel për të gjithë shoferët:

“Kush i gra kerrit, le ti grah ma kadale se më mirë një orë me vonesë me shku se me bo ndeshje”, shprehet Kimetja.

Gazeta Express ka biseduar edhe me zyrtarë nga Policia e Kosovës, Bajram Krasniqi nga zyra për informim në polici ka thënë se v etëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti( janar-qershor) kanë humbur jetën 51 persona nëpër aksidente të ndryshme në komunikacion. Ndërsa vetëm në korrik kanë vdekur gjithësej 14 persona.

Policia e Kosovës vazhdimisht kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugor në mënyrë që bashkërisht të ndikojnë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik./Express./

 

Policia e Kosovës sqaron rrethanat se si ka ndodhur aksidenti tragjik në Gllarevë

Periskopi.com Lajme

Ka shkuar në tre numri i viktimave të aksidentit që ndodhi pasditen e sotme në Gllarevë të Pejës.Më herët u raportua se nga ky aksident kanë mbetur të vdekur dy persona, një mashkull dhe një femër, mirëpo gjatë rrugës për në QKUK, ka ndërruar jetë edhe një person tjetër, i cili ishte i lënduar rëndë.Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate.

“Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetas të Kosovës, një (1) e gjinisë femrore dhe dy (2) të gjinisë mashkullore, një prej të cilëve kanë humbur jetën në vend të ngjarjes, viktima e dytë ka ndërruar jetë rrugës për ne ambulanten e Klinës, kurse viktima e tretë pasi që kishte lëndime të rënda trupore është dërguar me autoambulancë në QKUK Prishtinë por i njëjti ka arritur pa shenja jete, vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka bërë të ditur PK.Tre persona të tjerë, sipas Policisë, kanë pësuar lëndime.“Tre të lënduarit pas marrjes se ndihmë se parë në spitalin rajonal në Pejë lirohen për shërim të mëtutjeshëm në shtëpi”, thuhet në njoftim.

“Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës VW PASAT ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Gllarevë, hyn në tejkalim dhe i njëjti me pjesën e parë ballore përplaset ne autobusi cili ishte duke qarkulluar ne drejtim të Prishtinës dhe pas kësaj goditje përplaset edhe me veturës Jaguar i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës”, bën të ditur Polica e Kosovës.

Aksidenti tragjik në Gllarevë, ky është çifti që ka humbur jetën (FOTO)

Periskopi.com Lajme

Tre është numri i viktimave nga aksidenti i pasdites së sotme në magjistralen Pejë-Prishtinë, në fshatin Gllarevë.

Jakup Rizë Berisha dhe Selvije Berisha janë çifti që kanë mbetur të vdekur si pasojë e këtij aksidenti.

Lajmin e ka bërë të ditur vëllai i viktimës, përmes rrjeteve sociale.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin e hidhur se pasditen e sotme në një aksident trafiku në rrugën Pejë Prishtinë (Gllarevë) humbi jetën vëllai i ynë, Jakup Rizë Gërvalla (Berisha) së bashku me bashkëshorten e tij Selvije Berisha”, ka shkruar ai.

Haradinaj ngushëllon familjarët e viktimave në aksidentin tragjik të Gllarevës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjarët e trë viktimave, të cilët humbën jetën pas një aksidenti tragjik në Gllarevë të Klinës.

Në reagimin e tij, kryeministri Haradinaj ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të rregullave të komunikacionit, raporton Periskopi.
Reagimi i plotë:

Shqetësues fakti i aksidenteve me fatalitet që po ndodhin në Kosovë. Familjarëve të dy të aksidentuarve që humbën jetën, sot, në Gllarevë të Klinës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe respektim të rregullave të komunikacionit, kurse nga policia e vendit respektim të ligjeve.

RH

Shkon në tre numri i të vdekurve në aksidentin tragjik në Gllarevë

Periskopi.com Lajme

Në aksidentin e sotëm të trafikut, që ndodhi në rrugën Prishtinë-Pejë, në afërsi të fshatit Gllarevë të Klinës mbetën të vdekur dy persona si dhe tre të lënduar.

Mirëpo, sipas Policisë, njëri prej të lënduarve ka mbërritur pa shenja jete në QKUK.

Lajmin për vdekjen e të aksidentuarit të tretë e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova.

Zëdhënësi tha se i lënduari në aksidentin që ka ndodhur rreth orës 14 :10 minuta, e i cili ishte nisur për në Prishtinë, ka mbërritur pa shenja jete në QKUK.

Viktimat janë dy burra dhe një grua.

Ndërsa, dy persona të tjerë të lënduar në aksidentin ku ishin të përfshirë dy vetura dhe një autobus po trajtohen në Spitalin e Pejës./Kallxo.com/.

 

 

Aksidenti në Gllarevë, shkon në dy numri i të vdekurve

Periskopi.com Lajme

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur më herët në fshatin Gllarevë të Klinës.

Rastin e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai ka bërë të ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete, një autobus dhe dy vetura.

Si pasojë e këtij aksidenti, dy persona kanë përfunduar me fatalitet ku vdekjen e tyre e ka konfirmuar edhe ekipi mjekësorë.

Po ashtu sipas Rugovës, tre persona kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre njëri në gjendje të rëndë i cili është dërguar për trajtim mjekësorë në QKUK.

Dyshohet për një të vdekur në një aksident në Gllarevë

Periskopi.com Lajme

Një tjetër aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Gllareves të Klinës. Nga aksidenti dyshohet se ka mbetur i vdekur një person.

E shkak i aksidentit, po del të jetë shpejtësia jo e duhur, dhe reshjet atmosferike, ku si pasojë janë përplasur dy vetura.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore.Ndërsa rruga është bllokuar dhe Policia është duke e hetuar rastin.

“Deri më tani krejt, çka dihet është se ka ndodhur një aksident por nuk mund të jap më shumë detaje tani për tani”, ka thënë Driton Rugova, Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Pejës./Blic/