Qeveria i qetësoi grevistët me premtime të vjetra

Periskopi.com Lajme

Me premtime të vjetra Qeveria e Ramush Haradinajt ka arritur që ta stopojë presionin e minatorëve të “Trepçës”, punonjësve në administratën e gjykatave e prokurorive dhe atë të punëtorëve të Postës së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Grevat e filluara javën e kaluar u ndërprenë me një ujdi gojore mes Qeverisë dhe grevistëve, me përjashtim të minatorëve të “Trepçës”, që këtë marrëveshje e hodhën në letër. Edhe pse janë skeptikë në përmbushjen e premtimeve nga Qeveria, ata thonë se nuk kanë derë tjetër se kujt t’i besojnë. Por, në rast të mospërmbushjes së tyre ashtu siç është paralajmëruar, ata kanë paralajmëruar se do t’u kthehen grevave dhe protestave si “armë për t’i realizuar kërkesat e tyre”.

Greva e minatorëve të “Trepçës”, e filluar më 9 korrik, është pezulluar të premten pasdite, me një marrëveshje mes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Kësaj greve i kishte paraprirë një protestë, në të cilën ishte kërkuar që në statutin e “Trepçës”, i cili javë më parë nga Qeveria është përcjellë në Kuvend, të përfshihen edhe asetet e ndërmarrjes që janë lënë jashtë si dhe rregullimin e çështjeve sociale të punëtorëve.