Hardh Fest n’pandemi i “Shnosh si kokrra” !

Periskopi.com Lajme

Festivali “Hardh Fest”, këtë edicion të VI-të vjen me “ONLINE EDITION’ , më datë 4-5 dhe 6 shtator. Kjo si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

E ky edicion i Hardh Fest do të mbahet nën slloganin “Shnosh si kokrra”.

Slogani u mendua ti përshtatej periudhës në të cilën po jetojmë. Në situatën e zymtë të pandemisë duhej një slogan i hareshëm dhe idea lindi prej pyetjes që është bërë më shpesh kohëve të fundit, “Si je?” – me përgjigjet ‘shnosh e mirë’, ‘mirë vallai’ etj., dhe sidomos në vendlindjen e Hardh Festit, në Rahovec kjo pyetje shumicën e herave pritet me një përgjigje shumë krenare, ‘shnosh si kokrra e rrushit’.

Andaj edhe lindi slogani “Shnosh si Kokrra”, duke dashur të percjellim një mesazh mbështetës anembanë!

Aktualisht po punohet në organizimin e aktiviteteve të cilat mund të mbahen edhe ne formë ONLINE me të cilat mund të shënojmë edicionin e VI-të të Hardh Fest në menyrë simbolike.

Festivali, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 70 mijë vizitorë nga mbarë bota.

Festa në Rahovec vazhdon edhe sot (Foto)

Periskopi.com Lajme

Festë e madhe dhe me mijëra pjesëmarrës po vazhdon në Rahovec, ku po mbahet Hardh Fest.

Kjo është dita e tretë dhe e fundit e Festes së Vjeljes së Rrushit Hardh Fest, ku nga ora 10:00, do të hapet panairi i rrushit, rakisë, verës dhe gaztronimisë. Ndërsa, turistët do të kenë mundësi të përjetojnë udhëtimin me tren në pjesët më të bukura por edhe vjeljen e rrushit.

Gjithashtu do të ketë edhe digjej të ndryshëm dhe aktivitete për fëmijë por edhe demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit. Ndërsa, nga ora 18:00 do të mbahet aktiviteti Hardh Poezi, në Muzeun e qytetit të Rahovecit.

Kurse, në mbrëmje pritet një atmosferë mjaft e mirë, pasi do të jenë grupe të ndryshme muzikore.

Po ua sjellim disa fotografi nga festa që po ndodhë në Rahovec.

​Dita e dytë e Hardh Fest-it, promovohen produktet dhe bukuria e kësaj pjese

Periskopi.com Lajme

Që në orët e mëngjesit shumë qytetarë ia kanë mësyrë panairit të Hardh Fest-it. Hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë solli produkte të shumta të verës e përtej.

Krahas panairit u organizua “Hardh Treni Tour”, rreth e rrotull Rahovecit, ku qytetarët patëm mundësinë të shëtisin me tren për të parë bukurit e kësaj pjese. Ndërsa, organizimet vazhduan me “Hardh Mini Maratona” 6 kilometërshe.

 

Ylber Bajraktari, menaxher i kompanisë Stone Castle, kompani e cila është partnere e këtij panairi krahas produkteve të Stone Castle, tha se këtë vit kanë sjellur konjakun “Verak” 25 vjeçar  të vjetër.

Promovimi i produkteve vendore po i pëlqen  Rasim Gashit, arsye për të cilën tha se po e viziton panairin.

Përpos verës së mirë, në panair u promovuan punime artistike në shishet e verës, e që nuk po mungon interesimi për to. Kështu tha Mustafa Kafexhiu, punues figurash artistike në shishe.

Mjaltin vendore Mustaf Mustafa ka ardhur ta promovojë në panair. Ai pret më shumë vizitorë ditën e dytë të panairit.

Ndërrimi i datës së panairi si duket ka ndikuar në numrin e vizitorëve. Për Bejtullah Shehun, menaxher i kompanisë ‘Kosova Wine’,  temperaturat e larta kanë ndikur që vizitorë të ketë më pak, por se pret vizitorë nga të gjitha trevat. Ai pret që ditën e dytë të rriten fluksi i vizitorëve.

Nga diaspora kishte ardhur te vizitojë panairin. Elez Bytyqi  pjesëmarrës për herë të parë në këtë panair tha se pastërtia duhet të jetë më në nivel, dhe se duhet të ketë më shumë drunjë dhe hije.

Në vrazhdën e aktiviteteve të ditës së dytë të , Hardh Fest, u zhvillua edhe “Hardh Mini Maratona” 6 kilometërshe. Mjetet që do të grumbullohen do të dhurohen për shoqatën për Fibrozë Cistike Kosovë, në mbështetje të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje.

I kënaqur me pamjet u nda Nuredin Qeska.

Organizatori i kësaj Mini Maratone, Betim Zllanoga, anëtar i këshillit organizativ të Hardh Fest, tha se pas një kampanje të gjatë, kjo MiniMaratonë po mbahet me qëllim grumbullimin e mjeteve që do të dhurohen për shoqatën për Fibrozë Cistike  Kosovë.

Vendin e parë në MiniMaratonë e zuri, garuesi Bajazit Hoti, vendin e dytë Betim Sharku, ndërsa të tretin  Bledi Morina.

Gjatë ditës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme deri në orën 01:00 pas mesnatës.

Hardh Fest ka filluar dje dhe do të mbyllet nesër me aktivitet të shumta e koncerte zbavitëse.

Ilir Meta nga Rahoveci: Shpresoj që shkëmbimet mes dy vendeve tona të rriten edhe më tej

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka marrë pjesë në hapjen e “HardhFest”-t 2019, në Rahovec.

Meta tha se nuk mund të mungonte në një festë tradicionale si kjo e sotmja. Ai shpreson se shkëmbimet e mallrave mes dy vendeve të rriten dhe që të mësojnë sa më shumë nga njëri-tjetri.

Postimi i plotë nga Meta:

Nuk mund të mungoja sot në “Festën Tradicionale të Vjeljes së Rrushit – Hardh Fest 2019?” në Rahovec, ku së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, ndamë urimet për prodhim të mbarë, mirëqenie dhe begati për vreshtarët, jo vetëm të kësaj zone, por të mbarë Kosovës.

Shpresoj që shkëmbimet mes dy vendeve tona të rriten edhe më tej, në të gjitha aspektet, në radhë të parë përsa u takon prodhimeve të bujqësisë dhe zhvillimeve të agro-turizmit. Duhet të mësojmë më shumë nga njëri-tjetri!

Veseli nga Rahoveci: Me luftën kundër korrupsionit, të rinjtë s’do të kenë nevojë të largohen dhe punojnë tokën e tjetërkujt

Periskopi.com Lajme

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, njëherësh Kryeparlamentar i vendit, sot ua ka bërë edhe një argat pune vreshtarëve në nisjen e vjeljes së rrushit në Rahovec. Veseli ka thënë se me burimet që kemi dhe me një luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, të rinjtë tanë më nuk do të kenë nevojë të largohen dhe ta punojnë tokën e tjetërkujt.

“Rrushi u poq dhe në vjeljen që nisi sot në Rahovec një argat e bëra edhe unë. Vreshtarinë dhe verëtarinë i kemi traditë të trashëguar me krenari ndër breza. Vreshtarëve u urova prodhimtari edhe më të madhe në vitin që vjen. Së bashku me turizmin rural, këta sektorë përbëjnë potencial të madh zhvillimi dhe kanë nevojë për mbështetje edhe më të madhe.  Me burimet që kemi dhe me një luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, të rinjtë tanë më nuk do të kenë nevojë të largohen dhe ta punojnë tokën e tjetërkujt”, ka shkruar Veseli.

 

Në Konak të Rahovecit nis Hardh Fest 2019

Periskopi.com Lajme

Një nga manifestimet më të rëndësishme në Kosovë, e që ka qëllim promovimin e kulturës dhe traditës vendore, festivali “Hardh Fest” nis sot, për të vazhduar me aktivitete të shumta edhe nesër e pasnesër.

“Konaku” i Rahovecit pritet të jetë plot vizitorë të cilët do të mund të mësojnë më shumë për vreshtarinë, e edhe do të shijojnë muzikë nga performues të ndryshëm botëror, përcjellë me lojëra e aktivitete të shumta, që tashmë janë tradicionale në festivalin e vjeljes së rrushit.

Hardh Fest, organizim që mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, synon promovimin e rajoneve vreshtare të Kosovës.

Drejtori artistik në Hardh Fest, Gardalin Shtavica, tha se qëllimi mbetet promovimi i turizmit në Rahovec.

“Ne si festival ndoshta më tepër kontribuojmë në promovimin e verës, promovimin e rrushit të Rahovecit, promovimin e vet qytetit të Rahovecit. Ne si qëllim e kemi po ashtu promovimin e turizmit në Rahovec, se zakonisht jemi mësuar që festivalet e mëdha të mbahen në vende të mëdha si Prishtina e Prizreni, ndoshta ka qenë befasi që në Rahovec, por ka qenë shumë tërheqës për njerëzit që me ardh në një vend pak më ndryshe”, thotë ai.

Ruajtja e traditave dhe zakoneve që lidhen me vreshtarinë dhe etnologjinë, shihet më së miri në Rahovec, sidomos në kohën e këtij festivali. Një mikpritje e rrallë, nën hijen e vreshtave, u bëhet të gjithëve që vizitojnë Rahovecin, dhe interesohen për kulturën e këtij vendi.

Sivjet, Hardh Fest organizon edhe minimaratonën, si fushatë vetdijësuese, në bashkëpunim me shoqatën e fëmijëve me fibrozë cistike.

Paraqitja kryesor në HardhFest do të jetë nga artisti Ronnie Romero, vokalist i grupit Rainbow. Sivjet, për Hardh Fest, Komuna e Rahovecit ka ndarë 15 mijë euro.

Hardh Fest, festival që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, sivjet organizohet nën moton “Një got’ për mot”.

 

Hardh Fest sivjet vjen me risi

Periskopi.com Lajme

Me sloganin, “Një gotë për mot”, do të mbahet edhe këtë vit festa e vjeljes së rrushit, Hardh Fest.

Dea Luma, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun, ka treguar të rejat e këtij edicioni.

“Kemi prerjen e kalaveshit të rrushit, kemi demonstrimin e rrushit. Sivjet e kemi fushatën për sensibilizimin për fibrozën cistike, ka edhe HardhCamp, aktivitete për fëmijë”, tha Luma.

Gardalin Shtavica, drejtor artistik ka treguar se kush do të performojë gjatë këtyre tri ditëve në Hardh Fest.

“Përveç që bëhet promovimi i verës së rrushit do të ketë edhe muzikë, me 16, 17, 18 gusht. Do të dëgjoni muzikë shumë të mirë. Përveç rock grupeve do të ketë edhe dj, ku këtë vit të gjitha do të jenë femra, Jehona, Ana Malo”, tha ai.

Në këtë festival do të performojë edhe Ronnie Romero, i cili do të jetë edhe kryesori i këtij festivali.

Nora Boshnjaku, përfaqësuese e komunës së Rahovecit ka treguar se për këtë vit komuna ka ndarë 15 mijë euro, të cilat janë siguruar në kuadër të kodit për subvencione në bujqësi.

“15 mijë euro kemi ndarë për këtë festival, në kuadër të subvencioneve për bujqësi. Me vendim të kryetarit të komunës është formuar edhe këshilli organizativ. Ne jemi të gatshëm për fillimin e këtij festivali”, tha Boshnjaku.

Hatri i mërgimtarëve ‘Hardh Fest’ mbahet në gusht e jo në shtator

Periskopi.com Lajme

Me sloganin “Një got’ për mot!” këtë vit nga 16 deri 18 gusht mbahet edicioni i 5-të i festivalit tradicional Hardh Fest n’Konak të Rahovecit (tek Shtëpia e Verës).

Në konferencën për media në kuadër të PRE Hardh Fest Party, drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli si dhe drejtori kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosën sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit.

Përveç idesë prapa sloganit dhe aktiviteteve tradicionale, në konferencë u prezantuan edhe disa aktivitete të reja që do të mbahen sivjet, siç janë, veç tjerash “Be Hardh Fest”, “Hardh Eks”.

Drejtori i Bordit të Hardh Fest, Agron Sokoli theksoi se këtë vit festivali do të mbahet jo në shtator si vite më parë, por më 16, 17 dhe 18 gusht.

Mbajtja e festivalit në verë, ka qenë kërkesë e madhe e mërgatës nga Kosova, ndërsa, sipas Sokolit në festivalin e sivjetshëm do të marrin pjesë edhe turistë të huaj nga Japonia, Amerika dhe Zvicra.

“Aktivitet janë tradicionale të Hardh Fest, risi sivjet janë tri aktivitete që do të jenë “Be Hardh Fest”, ku do të marrin pjesë ndërkombëtarët, të cilët mund të përjetojnë një ditë duke vjelë rrush, po ashtu është ‘Hardh Eks’ ku do të ketë gara për pirjen e rakisë në gotën 003, do të jetë një atraktivitet më shumë se sa garë”, theksoi Sokoli.

Drejtori Kreativ, Agi Haxhimurati, shpalosën sloganin e Hardh Fest 2019, “Një got’ për mot!” si dhe programin e festivalit, sipas të cilit për sukseset e Hardh Fest njihen edhe ndërkombëtarët.

“Sivjet në pesë vjetorin e festivalit e lansojmë me sloganin ‘Një got’ për mot!’, një gotë për shumë shëndet, për të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe për të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e festivalit.  ‘Një got’ për mot!’,  për gjithë suksesin që ka përjetuar festivali që tashmë njihet edhe nga ndërkombëtarët”, deklaroi Haxhimurati.

Sipas Haxhimuratit në këtë 5 vjetor, Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikpritja rahoveciane deri te Hardh Camp, e më pas ka aktivitete, të cilat synojnë promovimin e prodhimeve të rrushit.  Festivali organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës.

 

Të dielën mbahet PRE Hardh Fest Party

Periskopi.com Lajme

Do të zbulohet slogani dhe programi i Hardh Fest 2019.

Këtë të diel, më 14 korrik, duke filluar nga ora 18:00, në Shtëpinë e Verës në Rahovec, do të mbahet PRE Hardh Fest Party. Nga ora 18:00 do të fillojë konferenca për media, ku do të zbulohet slogani dhe programi i Hardh Fest 2019, e më pas do të mbahet Ora Poetike dhe muzikë LIVE.

Në Orën Poetike do të interpretohen poezitë e autorit Xhevdet Bajraj nga librat “Kur qajnë hardhitë” dhe “Vitet që nuk e sollën pranverën”.

Xhevdet Bajraj është poet i njohur ndërkombëtar i lindur në Kosovë, që jeton dhe vepron në Meksikë. Ndërsa, Florent Abrashi & Funky Guru, do të përkujdeset për atmosferën me muzikë LIVE. Warm up, DJ Fisnik Kuqi.

Hardh Fest sivjet mbahet më 16, 17 dhe 18 gusht. PRE Hardh Fest mbahet me përkrahjen e MKRS (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit). Radiotelevizioni 21 tradicionalisht është sponsor medial i Hardh Fest-it.

Hardh Fest për herë të parë vjen në muajin gusht

Periskopi.com Lajme

Festa e vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 61 mijë vizitorë nga mbarë bota.

Festivali që sjell më së shumti turistë në Kosovë, Hardh Fest, këtë vit po vjen me një ndryshim të madh.

Për herë të parë, ky festival tradicional do të mbahet në muajin gusht, konkretisht në datat 16, 17 dhe 18 gusht, në konak të Rahovecit dhe është jubileu i 5 vjetorit të ribrendimit të festivalit më të vizituar ne Kosovë.

“Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikëpritja Rahoveciane deri te Hardh Campi që  ka një pamje të bukur të vreshtave të Rahovecit, e më pas ka aktivitete të cilat kanë për qëllim promovimin e prodhimeve të rrushit por edhe mjedisit, kulturës dhe artit, një ngërthim ky që tashmë është shndërruar në storie suksesi. Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit”, thuhet në njoftim.

Rock grupi nga Suedia, e këndon “Xhamadani vija vija” në koncert

Periskopi.com Showbiz

Një ngjarje jo shumë e zakontë ka ndodhur në Rahovec.

Më 7,8 dhe 9 shtator është mbajtur festivali i vjeljes së rrushit, “Hardh Fest” në Rahovec.

Aty kanë performuar shumë artistë e grupe, vendorë e të huaj, përveç aktiviteteve tjera.

Një nga performuesit ka qenë edhe grupi Madman’s Choice nga Suedia.

Madman’s Choice është një grup i rokut suedez.

Ata megjithatë e kanë përgatitur një befasi për publikun. E kanë mësuar këngën e famshme shqiptare “Xhamadani Vija Vija” dhe e kanë performuar live për publikun, duke qenë edhe një nga momentet më kulmore të festivalit.

Ndiqeni videon për më shumë.

 

​Në natën e dytë të Festivalit “Hardh Fest” performon Kee Marcelo

Periskopi.com Lajme

Ish anëtari i grupit muzikor “Europe”, Kee Marcelo theksoi se kur ka mbërri në Rahovec, ka mbetur i mahnitur nga pamja e bukur, vreshtat e shumta, ndërsa premtoi se sonte do të përformojë hitet më të mira të grupit “Europe” të viteve të 80-ta dhe të 90-ta.

Marcelo bëri këtë deklaratë në konferencën e organizuar në ditën e dytë Festivalit të rrushit “Hardh Fest” që mbahet në Rahovec.

Ai paraqiti përshtypjet e tij të para për Rahovecin dhe Kosovën, ku tha se ka bërë një video dhe ia ka dërguar gruas se tij, e cila e ka mbetur e mahnitur nga ajo që ka parë dhe e ka pyetur ”A je në parajsë?”.

“Unë kam përgatitur për të përformuar një listë të veçantë të këngëve të grupit “Europe”, janë këngët më të rëndësishme të periudhës sime dhe të karrierës sime që kam pasur në grupin “Europa”. Është hera e parë që jam në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që përformoj për ju me këngët e kohës sime. Ju do t’i dëgjoni të gjitha hitet e periudhës sime, që kemi pasur me grupin gjatë viteve të 80-ta dhe të 90-ta”, tha ai.

Ai tha se qytetarët e Kosovës janë shumë miqësore dhe janë të ngjashëm me suedezët.

“Nuk është se kam dëgjuar shumë për Kosovën, por njerëzit e din pak a shumë historinë dhe unë kam përshtypjet jashtëzakonisht të mira për Kosovën. Ajo që së pari kam pa kur kam arritur këtu, është se njerëzit këtu janë shumë të dashur, janë shumë miqësor. Flasin me ju. Njerëzit mi kujtojnë suedezët”, tha ai dhe shtoi se do të kthehet përsëri në Kosovë, pasi siç tha ”sapo të më mbarojnë verërat dhe djathi do të vi sërish për të blerë në Kosovë”.

Koncerti do të jetë falas për të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta përcjellin.

 

Sot nis festa e vjeljes së rrushit në Rahovec

Periskopi.com Lajme

Me sloganin “Me Pamje Kah Vneshta”, këtë vit mbahet edicioni i 17 i festës së vjeljes së rrushit – Hardh Fest, që do të nis sot dhe do të zgjasë deri më datën 9 shtator, n’Konak të Rahovecit, tek shtëpia e verës.

Ceremonia zyrtare e hapjes së festës fillon nga ora 11:30, me prerjen zyrtare të kalaveshit të rrushit, si dhe adresimet zyrtare.

Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit. E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Kee Marcello, ish anëtar i grupit Europe, i cili me bendin e tij, do të performojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2018.

 

Nesër nis Festa e vjeljes së rrushit ‘Hardh Fest 2018’

Periskopi.com Lajme

Me sloganin “Me Pamje Kah Vneshta”, këtë vit mbahet edicioni i 17 i festës së vjeljes së rrushit – Hardh Fest, që do të nis nesër ( e premte ) më 7 shtator dhe do të zgjasë deri më datën 9 shtator, n’Konak të Rahovecit ( tek shtëpia e verës).

Festivali tashmë tradicional organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

E veçanta e këtij edicioni është ardhja e legjendës së muzikës rock, Kee Marcello, ish anëtar i grupit Europe, i cili me bendin e tij, do të performojë gjatë koncertit të Hardh Fest 2018.

Rahoveci fton të gjithë të kthehen me pamje kah vneshta

Periskopi.com Lajme

Në Rahovec çdo gjë është gati për mbajtjen e festivalit të rrushit, që tashmë është tradicional “HardhFest”, pasi sivjet pritet të jetë më i veçantë, meqë do të sjellë në Rahovec për performancë, njërin prej kitaristëve dhe vokalistëve më të fuqishëm në botë.

Në shtator, Rahoveci merr pamje krejt tjetër. I mbushur me turistë, ky vend, këto ditë mirëpret si asnjëherë tjetër të gjithë ata që duan të njihen prej afër me veçantitë që posedon.

Monumente historike e fetare, si jo çdokund tjetër, këtu takon tolerancën ndërfetare. E  në pjesën më të madhe sheh vneshtat, që varësisht prej stinës, marrin pamje tjetër.

Bukuritë, veçantitë e historinë e Rahovecit krejt lehtë i mëson nëse e viziton atë në këtë fillim të shtatorit.

Sigurisht, e përjeton prej afër edhe festivalin që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, HardhFest.

Festivali mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës dhe ka përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Diasporës.

Festivali i rrushit në Rahovec synon të promovojë rajonin vreshtar të luginës së Rahovecit.

Si çdo vit tjetër, edhe sivjet mbahet në datat 7, 8 dhe 9 shtator, me shumë organizime e mysafirë të njohur botërisht.

HardhFest 2018 do të sjellë të famshmin Kee Marcello, nga ish grupi muzikor Europe, i  cili do të përformojë në natën e dytë të festivalit.

Agron Sokoli, drejtor artistik i festivalit, tregon për KosovaPress për rrjedhën e përgatitjeve të HardhFest 2018, dhe shpalos shumë prej aktiviteteve që do të mbahen.

“Festivali HardhFest 2018, këshilli organizativ është para finalizimin të aktiviteteve. Të rejat e HardhFest 2018 janë HardhBike touri, Hardh Mini-Maratona dhe Hardh three touri. Hardh Bike touri mbahet në rrugë fushore dhe përfundon këtu në kampin ku gjendemi”, thotë ai.

Sivjet, pritet të jenë mbi 50 vizitorë, e ata që dëshirojnë të qëndrojnë gjatë tri ditëve të festivalit, mund të akomodohen në hotele në Rahovec e përreth, por edhe në kampin të cilin e ofron festivali, i njohur si Hardh Kamp. E kjo pjesë mban një pamje piktoreske.

Ani pse HardhFest nuk ka buxhet të madh, grupi organizues duket se janë familjarizuar me të dhe çdo vit po arrijnë të sjellin diçka të bukur dhe të paharruar për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë festival.

“Ky Festival tash është shumë i madh edhe është pak problem ta mbulojmë, punojmë me një buxhet shumë të vogël por me rëndësi shumica e këshillit organizativ e kanë më shumë mision këtë festival, e bëjnë për zemër se sa për një buxhet shumë të madh që mundemi ende me rrit kualitetin, sepse aq më i madh është buxheti, aq më i madh është edhe kualiteti i festivalit. Përveç Ministrisë së Kulturës, HardhFestin e ka përkrah edhe Ministria e Diasporës. Kemi edhe aktivitetet mjedisore gjatë festivalit, do të thotë janë aktivitetet ku pastrohen vendet afër vreshtave në qoftë se kanë papastërti, do të thotë për ngritjen e vetëdijes që vreshtat duhet me u ruajt”, thotë ai.

Ajo që sivjet e veçon këtë festival është pjesëmarrja e të famshmit Kee Marcello.

“Çdo vit HardhFest ndryshon emrat. Sivjet kemi një dj nga Holanda, dj shumë i njohur është DJ Nouveabeats i cili ka performuar në Amerikë, në Gjermani, në Spanjë, ka performuar me DJ të njohur botëror, do të ketë edhe rock bande të ndryshme. Është një rock band suedez dhe shumë risi tjera”, thotë ai.

Të gjithë që duan të jenë pjesë e festivalit HardhFest, sivjet i presin shumë aktivitet si gara për shpejtësinë e vjeljes së rrushit, panairi i verës, demonstrimi i pjekjes së rakisë rreth kazanit, e shumë të tjera.

HardhFest po vazhdon të ruaj traditat me vreshtarinë dhe promovimin e produkteve vendore dhe turizmit.

Nga data 7 deri më datën 9, Rahoveci fton të gjithë me pamje kah vneshta.

 

Lansohet promo zyrtare e Hardh Fest 2018 (Video)

Periskopi.com Showbiz

Tashmë është lansuar edhe promo zyrtare e Festivalit Hardh Fest 2018, që do të mbahet më 7, 8 dhe 9 shtator në Rahovec, shkruan Periskopi.

Në një publikim në Facebook bëhet e ditur se edhe këtë vit promo zyrtare e Festivalit është realizuar nga Artvision.

”Në vazhdim mund të gjeni promon zyrtare të edicionit të 17-të të festivalit të vjeljes së rrushit “HardhFest” të realizuar nga sponsori tradicional Artvision. Për ilustrimin e promos është kujdesur Florent Pista, përderisa muzika është e realizuar nga Elton Dema Shtavica”.

”Me peisazh piktoresk e me pamje kah vneshta, me atmosferën e jashtëzakonshme n’Konak t’Rahovecit, me paraqitjen e Rockerëve më të mirë të rajonit  si dhe me legjendën e Rockut, Kee Marcello, ish anëtar i grupit Europe, do t’ju mirëpresim me 7, 8 & 9 shtator në Rahovec. Mos harroni, një gote verë shijon më shumë me pamje kah vneshtat”, përfundon njoftimi./Periskopi

 

Pre Hardh Fest, orë poetike me poetin Xhevdet Bajraj e muzikë live me Flaka Krelanin

Periskopi.com Showbiz

Me Orën Poetike me poezitë e autorit Xhevdet Bajraj dhe me performancë live të këngëtares Flaka Krelani  me Bandin e saj, këtë vit do të jetë një festë e veçantë në  Pre-Hardh Fest, i cili organizohet në kuadër të Festivalit  Hardh Fest, më datë 14 Korrik nga ora 20:00, në Bar “Hardhia”, në Rahovec.

Në një njoftim për media thuhet se së bashku me prezencën e poetit Xhevdet Bajraj, prezentimin e Librit “ Lëngu i Trëndafilave” të poetit Xhevdet Bajraj do ta bëjë Zyrafete Shala. Ndërsa poezitë  do të recitohen nga Betim Zllanoga dhe Beg Popaj.

Festa do të vazhdoj në Bar ”Hardhia”, në Rahovec me performancën live të Flaka KRELANI & Band dhe MAARVEL.

“Xhevdet Bajraj, ka lindur në Kosovë, ndërsa jeton dhe vepron në Meksikë. Është poet dhe përkthyes dhe ka marr shumë çmime letrare. Ndërsa që nga viti 2002 është profesorë në Akademinë e Krijimtarisë Letrare në “Universidad Autonoma de la Cuidad de Mexico” (UACM), ku ligjëron lëndën e poezisë. Gjithashtu në këtë mbrëmje do të jenë prezent edhe Nikoqiri i Festivalit z. Nahit Veseli dhe Ambasadorët e Festivalit z. Shkelzen Dragaj, z.Bujar Berisha, znj.Drenusha Blakaj, z.Skender Rama dhe z.Abaz Krasniqi”, thuhet në njoftim.

Festivali “Hardh Fest” sivjet mbahet më 7, 8 dhe 9 Shtator, nën patronatin e Kryetarit të Komunës Smajl Latifi dhe në përkrahje të Partnerit të Festivalit STONE CASTLE.

Gjithashtu festivali mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe partner medial DIGITALB dhe RTV 21.

Të shtunën, bëhuni gati për një mbrëmje me shumë argëtim, i rrethuar me shoqëri e “Me pamje kah vneshta”.