Hekurudhat e Kosovës në veri, nën administrimin e Serbisë

Periskopi.com Lajme

Linja ndërkombëtare hekurudhore që lidh Kosovën me Serbinë, është nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë të Veriut, thonë autoritetet kompetente të hekurudhave në Kosovë.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, thotë për Radion Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë.

Teknikisht kjo linjë hekurudhore, shton Thaçi, është në rregull, por që nuk menaxhohet nga autoritetet e Kosovës.

“Ne operojmë deri në Mitrovicën e Jugut, deri tek Ura e Ibrit, ndërsa në pjesën tjetër operon një organizatë e Serbisë dhe ne momentalisht nuk jemi përgjegjës për të operuar pa ndonjë marrëveshje apo urdhëresë”.

“Le të shpresojmë që viti 2020 të jetë vit që do të zgjidhet ajo çështje në mënyrë që ne të kalojmë në menaxhimin dhe administrim edhe në atë pjesë të hekurudhës, pasi që nuk ka kuptim që ne t’i kemi policët, doganorët tanë në Jarinjë të Poshtme, e atje të qarkullojë treni tjetër pa asnjë leje, pa asnjë pëlqim të autoriteteve të vendit”, thotë Thaçi.

Thaçi shton se në vazhdimësi kanë shtruar kërkesën te Qeveria e Kosovës që të bëhet një zgjidhje për marrjen nën administrim të kësaj pjesë të hekurudhave, pasi që i takon Kosovës.

Sipas tij, linja hekurudhore në veri do të duhej të jetë një nga temat e diskutimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë zyrtarët të Qeverisë së Kosovës dhe ish-përfaqësuesit e ekipit negociator në bisedimet Kosovë- Serbi, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, për shkak të, siç ishte thënë atëherë, politikës destruktive të kësaj të fundit ndaj Kosovës .

Për këtë shkak, Serbia nuk ka pranuar më që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, ndërkaq Kosova ka refuzuar ta heqë taksën.

Sadullah Avdiu, profesori i lëndës “Projektimi i Hekurudhave”, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet në hekurudha janë milionëshe dhe Kosovës i duhen investitorë.

Por, siç thotë ai, askush nuk do të investonte në hekurudhat e tipit të mbyllur, prandaj sipas tij, duhet gjetur zgjidhje për linjën ndërkombëtare hekurudhore me Serbinë që lidhet nga Mitrovica e Veriut.

“Në gjendjen që janë sot hekurudhat nuk janë funksionale, janë larg asaj që quhen funksionale, por është dashur të investohet. Investimet janë të mëdha dhe Kosova nuk dihet se sa është në gjendje të investojë me mjete vetanake”, thotë ai.

“Por, vështirë është të gjendet edhe një investitorë i cili do të investonte në një hekurudhë të mbyllur, prandaj duhet të ketë një zgjidhje për linjën ndërkombëtare që lidhet me Serbinë. Serbia e ka të zgjidhur transportin hekurudhor me korridorin e 8-të, kështu që për sa kohë t’ia lejojë asaj bashkësia ndërkombëtare këtë mundësi, do ta mbajë transportin hekurudhor të Kosovës të tipit të izoluar (hekurudha nacionale që nuk kalojnë në transportin ndërkombëtar)”, thotë Avdiu.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.

Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhave, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.

Linja hekurudhore që përshkon Kosovën më Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, është 250 kilometra e gjatë, prej së cilës 148 kilometra janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Rehabilitimi i linjave hekurudhore në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i ‘Infrakos’ Agron Thaçi, ka filluar në këtë vit dhe pritet të finalizohen në vitin 2021.

“Këtë vit ne kemi nënshkruar kontratën e parë dhe punimet kanë filluar për segmentin Fushë Kosovë – Hani i Elezit më gjatësi 65 kilometra të rehabilitimit dhe modernizmit të këtij segmenti. Paralelisht kemi filluar me përgatitjen e segmentit të dytë dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi kompaninë për këtë segment në mënyrë që të zhvillojnë punimet. Segmenti i parë pritet të zgjasë dy vjet, segmenti i dytë pritet të zgjasë një vit e gjysmë”, thotë Thaçi.

Kosova, shton Thaçi, me përfundimin e projektit të rehabilitimin të hekurudhave të Kosovës do të përfitojë hekurudha me standarde të Bashkimit Evropian dhe do të jetë pjesë e rrjetit rajonal hekurudhor dhe më gjerë.

Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.

Hekurudhat gjermane që kërkojnë punëtorë: paga deri në 50,000 euro

Periskopi.com Lajme

Me gjithë rritjen e ngadalësimit në ekonominë e parë të BE-së, hekurudhat gjermane janë të dëshpëruar për stafin, raporton gazeta Bild.

Sipas të dhënave të fundit, kompania do të zëvendësojë madje gjysmën prej 200,000 punëtorëve gjatë pesë vjetëve të ardhshëm.

Arsyeja kryesore për përforcimin e stafit qëndron në faktin se shumë punonjës aktualë do të dalin shumë shpejt në pension, dhe pagat në këtë sektor shkojnë nga 34,000 deri në 52,000 euro në vit, në varësi të pozitës dhe përvojës së punëtorëve.

Martin Seiler, përgjegjës për burimet njerëzore në hekurudhat gjermane, thotë se deri në fund të vitit 2019, kompania duhet të punësojë sa më shumë 24,000 punëtorë të rinj.

Administrata pret të njëjtin numër të të ardhurve vitin e ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, për shkak të paketës ambicioze të ndryshimit të klimës, qeveria federale gjermane planifikon të rrisë investimet hekurudhore dhe do të krijohen 8,000 vende pune në sektor.

Aktualisht, hekurudhat gjermane janë në kërkim të makinistëve të trenave, si dhe stafit të shërbimit dhe IT, inxhinierëve të ndërtimit dhe elektrike.

Brezat e ardhshëm të trenave duhet të jenë “më të saktë dhe më të fortë” për të parandaluar vonesat dhe anulimet e padëshiruara.

Në këtë sektor, paga mesatare varet nga lloji i punës. Kompania aktualisht punëson 500 profesione të ndryshme, përfshirë kuzhinierë, punonjës zyrash, inxhinierë dhe profesionistë të IT-së.

Drejtuesit e lokomotivave fitojnë mesatarisht 38,000 euro, por pagat e tyre mund të arrijnë në 50,000 euro.

Të ardhurat e përcjellësve variojnë nga 34,000 deri në 46,000 euro në vit (shuma bruto), ndërsa punonjësit e restoranteve hekurudhor fitojnë nga 33,000 deri në 37,000 euro në vit.

Punëtorët e shërbimit të klientit fitojnë të ardhura vjetore midis 34,000 dhe 46,000 euro, ndërsa këshilltarët e udhëtimit dhe shitësit e biletave mund të fitojnë deri në 39,000 euro.

Ndërtuesit e hekurudhave marrin mesatarisht deri në 42,000 euro bruto, dhe pagesa e tyre varet nga përvoja e punës dhe ata paguhen për pushime, të diela dhe ndërrime të natës.

Teknikët e kontrollit dhe sigurisë fitojnë, mesatarisht, pagën më të lartë vjetore, e cila mund të jetë deri në 52,000 euro, me shpërndarës të ngarkuar me kontrollin hekurudhor, roli i të cilit është i krahasueshëm me kontrollorët e fluturimit.

 

Treni në Ferizaj kalon para veturave, qytetarët e rrezikuar e raportojnë rastin te Periskopi (Foto)

Periskopi.com Lajme

Një banore e qytetit të Ferizajt, ka raportuar në Periskop një rrezik në të cilën ajo thotë se qytetarët e Ferizajt po i vihen përballë çdo natë.

Ajo ka dërguar një fotografi ku shihet treni duke kaluar para veturës e cila mezi ka arritur të ndalojë, ngase treni ka kaluar pa asnjë shenjë apo paralajmërim. Shenja apo barrikada para hekurudhës ku kalon treni nuk shihet as në fotografi.

“Ju lutem bëni diçka sepse kjo po ndodh çdo natë”, ka shkruar ajo në adresën e Periskopi pa dashur të identifikohet me emër.

Shikojeni fotografinë e dërguar nga banorja e shqetësuar në adresën e Periskopit:

Kjo hekurudhë gjendet afër HIB Petrolit, në rrugën Ferizaj-Shtime.

Kujtojmë se në Kosovë ka probleme me shenjëzimin e zonave të rrezikshme dhe në përgjithësi te zonat ku janë të vendosura hekurudhat. Ky nuk është rasti i parë që një rrezik i tillë raportohet në media. /Periskopi

Në vitin 2026, kosovarët do të mund të udhëtojnë me tren në vendet evropiane

Periskopi.com Lajme

Ka përfunduar procesi i fizibilitetit për hekurudhat nga Fushë Kosova në Han të Elezit e deri në Maqedoni, si dhe nga Fushë Kosova në Serbi, raporton KTV.

Ministri i Infrastrukturës ka treguar se brenda këtij viti do të nisin punimet për pjesën e parë dhe në vitin 2026, gjithçka do të jetë gati për udhëtim dhe bartje të mallrave në vendet e tjera evropiane

Në vitin 2026, banorët e vendit do të kenë mundësinë të udhëtojnë me tren në vendet evropiane.

Po atë vit, Kosova do ta finalizojë projektin infrastrukturor hekurudhor modern, në vlerë prej 194 milionë eurosh.

Ministri i Infrastrukturës tregon se ka përfunduar procesi i fizibilitetit dhe brenda këtij viti, do të nisë rehabilitimi i pjesës hekurudhore Fushë Kosovë- Han i Elezit.

Vitin e ardhshëm pritet edhe nisja e punimeve nga Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, si dhe nga Fushë Kosova deri në kufi me Serbinë.

Lekaj thotë se për t’iu shmangur çdo mosmarrëveshjeje, do të takohet me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Mjetet për projektin janë garantuar nga kredia e marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe ajo Evropiane për Investime, në vlerë të 82.9 milionë eurove.

Dhe, 79.8 milionë euro janë dhënë grant nga Bashkimi Evropian.

Këtë projekt e vlerësojnë edhe njohësit e ekonomisë.

Naim Gashi tregon se shfrytëzimi i sistemit hekurudhor nga bizneset, do ta ulë koston e shpenzimeve.

Afati për pagesën e interesit të kredisë do të jetë për 20 vjet, nga momenti i fillimit të investimeve.

Aktualisht, hekurudha nga udhëtarët më së shumti shfrytëzohet nga Prishtina për në Pejë, ndërsa për mallra çdo mëngjes ka linjë për në Shkup.