Në Kuvend nderohen heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Periskopi.com Lajme

Në Kuvendin e Kosovës po bëhen homazhe për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.

Qytetarë, miq e bashkëluftëtarë të heronjve po bëjnë nderime para trupave të cilët sot do të rivarrosen në varrezat e deshmorëve në Velani të Prishtinës.

Homazhe kanë bërë edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ish presidenti Fatmir Sejdiu, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandanti i FSK, Rrahman Rama dhe pjesëtarë të tjerë të Forcës. Homazhe do të bëjë edhe presidenti Hashim Thaçi e kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Për të nderuar heronjtë sot në Prishtinë do të mbahet edhe akademi përkujtimore.

Këto aktivitete sot bëhen nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Kujtojmë se kohë më parë Qeveria e Kosovës kohë ka miratuar vendimin për rivarrimin e dëshmorëve të kombit dhe propozim-vendimi për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, si dhe Agron Rrahmani, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani./G.Kadrija/

 

Rivarrosen heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani

Periskopi.com Lajme

Katër heronjtë e kombit, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, do të rivarrosen sot në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në lagjen Velania në Prishtinë.

Prej orës 10:00 deri në ora 11:30 bëhen homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa prej orës 12:00 mbahet një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Prej orës 13:00 mbahet ceremonia e rivarrimit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani në Prishtinë, pranë Adem Demaçit.

Aktivitetet bëhen nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohë më parë ka miratuar vendimin për rivarrimin e dëshmorëve të kombit dhe propozim-vendimi për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, si dhe Agron Rrahmani, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani, para festës së 28 Nëntorit të këtij viti.

Thaçi nderon sakrificën e ushtarëve britanikë: Ata janë heronjtë e Republikës së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Presidenti, Hashim Thaçi k kujtuar 200 gratë e burrat që humbën jetën si pjesë e misionit të KFOR-it gjatë luftës në Kosovë, përcjellë Periskopi.

Përmes një shkrimi, gjatë ditës së sotme, ku po nderohet sakrifica e 14 ushtarëve britanikë që ranë në krye të detyrës, ai tha se këta ushtarë janë heronj të Republikës së Kosovës.

Më poshtë keni të plotë shkrimin e Thaçit në facebook. /Persikopi

 

Haradinaj: I bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, Xhemajl Fetahaj dhe bashkëluftëtarit të tij Milazim Shala, në kuadër të Manifestimit Tradicional ”Ditët e Shqipes 2019”, që u organizua nën patronatin e Kryeministrit.

Duke evokuar kujtime nga e kaluara, kryeministri Haradinaj tha se janë mbledhur sot për të shprehur respektin për bashkëluftëtarët shumë të zot, heronjtë tonë që i bashkoi lufta për liri, që i bashkoi Brigada emblemë  138 ”Agim Ramadani”, dhe që i bashkoi epopeja e UÇK-së në Koshare, epope e cila siç tha kryeministri, vërtet i dha dimension tjetër luftës sonë për liri.

”Secili nga ne mundohemi të nxjerrim në dritë të vërtetën për këta bashkëluftëtarë, sepse kemi çfarë të tregojmë për këta heronj të shquar dhe t’ua themi brezave”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj  tha se sa i përket familjes Fetahaj në Raushiq, është një familje që ka tradita të atdhedashurisë për atdheun dhe për kombin e që është e gjatë, ndër breza.

”Është një familje tipike shqiptare e çmuar dhe e respektuar nga të gjithë dhe nuk është aspak çudi që Xhemajli dhe gjithë familja janë ndodhur në vijat e para të frontit me fillimin e luftës kombëtare në Dukagjin, fillimisht në Gllogjan, pastaj zonat përreth”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Ai theksoi se është një rast i çmuar dhe mirë i paraqitur se si një familje shqiptare me atdhedashuri të ngulitur në vete nëpër dekada e breza, menjëherë kur është shfaqur nevoja për t’i dalë zot atdheut, janë mobilizuar vet, kanë shkuar për furnizim dhe kanë ndihmuar furnizimin e vendit të vet, të atyre trevave dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, duke përkrahur vijat e para të luftës.

”Bëhet fjalë për ata që nuk kanë pritur që dikush t’i ftojë në luftën për liri, për të drejtën e atdheut, por ishin vetë aty”, tha kryeministri.

Duke folur për periudhën e luftës, kryeministri Haradinaj tha se Baballoqi ka përjetuar intensitetin më të madh të luftimeve menjëherë në fillimet e vitit ’98, dhe gjitha popullata e atij vendi pësoi goditjet dhe vuajtjet e para.

”Nuk është rastësi që një djalë nga Baballoqi ka ndodhur krah për krah me Agimin, Saliun, Xhemajlin dhe me gjithë të tjerët përballë armikut, duke mos hequr dorë nga e drejta e tyre për liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se është nder që çdo herë të bëhemi bashkë dhe të nderojmë heronjtë tanë, ta nderojmë rrugën e tyre deri në liri dhe të shprehim respekt jo vetëm për aktin e flijimit të tyre, por për të gjithë kontributet e çmuara që e bëjnë popullin tonë kudo që është që të mburret për rrugën tonë deri në liri.

”Ndërtimi i lirisë, forcimi i shtetit tonë është një proces, kërkon sfida, njerëz të sakrificës, njerëz që kanë dhënë besë dhe kanë besnikëri ndaj bindjeve për liri, për atdhe dhe për shtet dhe unë jam thellë i bindur se do të dimë të ecim rrugës së heronjve dhe do t’i nderojmë ata përjetësisht”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë në këtë akademi përkujtimore e mbajtën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa në emër të Brigadës 138 ”Agim Ramadani” foli ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Në emër të familjarëve, të pranishmit i përshëndeti Erëza Fetahaj, vajza e Heroit, Xhemajl Fetahaj.

 

Veseli: Të flasësh për heronjtë në Skenderaj, është shumë e vështirë

Periskopi.com Lajme

Me akademi përkujtimore në Skenderaj, janë kujtuar në 20 vjetorin e rënies dëshmorët Beqir Meha, Mustafë Qorraj, Ilir Lushtaku dhe Avdullah Kodra.

Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, ka thënë se po përkujtojnë veprën e dëshmorëve.

“Jemi mbledhur në këtë akademi për të përkujtuar veprën e dëshmorëve. Ata u rreshtuan në vargun e atyre që e dhanë jetën për çlirimin e atdheut tonë. Kjo është sakrifica më sublime që ne të jetojmë të lirë dje të barabartë me popujt e tjerë. Sot po përkujtojmë 20 vjetorin e rënies së këtyre dëshmorëve. Që populli ynë të jetojë i lirë, qëllim ky i cili dikur ishte vetëm ëndërr për popullin tonë. Dëshmorët janë nderi dje krenari jonë, sepse liria ishte e shtrenjtë, u desht të paguhet me gjak. Sakrifica e këtyre dëshmorëve na thërret që vendin tonë ta dërgojmë përpara, të jemi më të bashkuar. Duke nderuar dëshmorët nderojmë atdheun”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se sot po përkujtohen katër dëshmorë që ranë që Kosova të ketë lirinë.

Ai ka pasur një porosi edhe për qytetarët e Skenderajt dhe udhëheqësit e Komunës.

“Me ardhë me fol në Skenderaj për heronjtë është shumë e vështirë. Përkujtojmë 4 dëshmorët që ranë që Kosova të ketë lirinë. Këtë përkujtim e bëjmë për të treguar se sa e shtrenjtë ishte liria. Ne sot jemi në Drenicë, ju qytetarë duhet të ndjeheni krenarë, pasi toka juaj është vatra e shumë rezistencave që populli ynë i ka bërë për liri dhe për shtet. Sot i përkujtojmë këta 4 heronj për të treguar se Drenica, Skenderaj ka ende çka t’i jap lirisë dhe duhet të jap më shumë, vizionin tonë për të ardhmen, vizionin tonë strategjik e cila është Kosova shtet i pavarur dhe sovran, Kosova shtet perëndimor, Kosova shtet i zhvilluar ekonomikisht. Kjo është edhe një arsye më shumë pse të gjithë qytetarët e në mënyrë më të veçantë ata të cilët bartin petkun e udhëheqjes në Drenicë dje në Skenderaj duhet të jenë edhe më të bashkuar dhe më të fuqishëm që ta dërgojnë përpara amanetin e këtyre heronj ve të rënë për liri, për vetë faktin se jemi në gjysmë të rrugës, për vetë faktin se duhet të bëjmë edhe më shumë dhe e kemi obligim të bëjmë edhe më shumë për lirinë e Kosovës dhe për gjeneratat të cilave do t’iu lëmë trashëgim shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, tha Veseli.

Hysni Gucati, nga Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, u shpreh se gjaku i dëshmorëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes.

“Këtu 20 vjet më parë në Skenderaj bëj luftë për liri të popullit. Sot jemi tubuar këtu për të përkujtuar dëshmorët që luftuan deri në rënie. Sakrifica e tyre, gjaku i gjithë dëshmorëve duhet të na shërbejë si udhërrëfyes për të ndërtuar shtetësinë. Heroizmi i tyre është mesazh që neve na obligon të vazhdojmë më tutje”, tha Gucati.

Djali i dëshmorit Mustafë Qorraj, Shpëtim Qorraj, tha se duhet të jenë gjithmonë të bashkuar për t’i përkujtuar dëshmorët.

“Në emër të familjeve ju falënderojmë të gjithëve dhe urojmë që gjithmonë kështu të bashkuar të përkujtojmë heronjtë dhe të jemi të bashkuar për Kosovën”, u shpreh ai.

 

Veseli takoi familjarët e heronjve të cilët janë vendosur në pullat postare

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim familjarët e heronjve të cilët janë vendosur në pullat postare të Kosovës: Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Sllaku dhe Ismail (Imer) Thaqi.

Në takim, kryeparlamentari Veseli tha se për Kosovën është nder që figura heronjsh e veprimtarësh si Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Sllaku, Ismail Thaqi e shumë të tjerë, të jenë imazh përfaqësues i saj.

Ai tha se u takon të gjithëve të nderojnë figurat e shquara kombëtare, të cilët me veprën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në përpjekjet e popullit tonë për liri, duke u bërë frymëzim për gjeneratat dhe brezat pasues, të cilët vazhduan dhe çuan më tej kauzën e popullit tonë.

Familjarët e veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, nga ana e atyre, falënderuan kryetarin Veseli dhe nëpërmjet tij institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tyre, po lartësojnë figurat e shquara kombëtare, duke i bërë kështu nder të kaluarës së lavdishme dhe të ardhmes së kombit tonë.

Haradinaj: Heronjtë amerikanë janë edhe heronj të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e “Ditës së Veteranit” të SHBA-së është shprehur mirënjohës për kontributin tyre dhënë Kosovës.

Ai ka shkruar se ushtarët amerikanë në mbrojtje të vendit të tyre dhe kombeve tjera i sollën botës lirinë dhe paqen.

Haradinaj heronjtë amerikanë i ka quajtur edhe heronj të Kosovës.

Ja postimi i plotë i tij:

Me rastin e 11 Nëntorit-Ditës së Veteranit, përkujtojmë guximin dhe sakrificën e veteranëve të luftës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mbrojtje të vendit të tyre dhe kombeve tjera, ata i sollën botës lirinë dhe paqen. Republika e Kosovës mbetet përherë mirënjohëse ndaj ShBA-së për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në çlirimin dhe ngritjen e vendit tonë. Heronjtë amerikanë janë edhe heronj të Kosovës.