Polici nga Mitrovica, darkë e birra me personin që dyshohet për 5 vepra penale (Foto)

Periskopi.com Lajme

Hulumtimi i KALLXO.com në lidhje me hetuesin e Policisë të Rajonit Policor të Mitrovicës, Bujar Sinani, i cili shoqërohej me një person i cili dyshohet për të paktën 5 vepra penale, po trajtohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Zyra për media e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas IPK-së, shoqërimi i zyrtarëve policorë me persona të dyshuar nuk konsiderohet vepër penale por është shkelje disiplinore.

“Sa i përket informatës në lidhje me zyrtarin policor në fjalë, IPK ka pranuar këtë informacion nga Policia e Kosovës dhe e njëjta është trajtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe se fillimisht nuk janë gjetur elemente të veprës penale, pasi që shoqërimi me persona të dyshuar nuk konsiderohet vepër penale, por është shkelje disiplinore. Rasti është përcjellë për trajtim në aspektin disiplinor në Drejtorinë për Standarde Profesionale të Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Hulumtimi i KALLXO.com, i publikuar në gusht të këtij viti, sjell fotografi nga shoqërimi i hetuesit policor në Mitrovicë, Bujar Sinani, me një person të dyshuar për vepra penale, emri i të cilit është Arsim Ferizi i njohur si “Cima”.

Veprat penale të Arsim Ferizit janë të regjistruara saktësisht në stacionin policor ku Bujar Sinani është hetues. /Periskopi

Skandaloze: Vdes gruaja 37 vjeç pas lindjes, Prokuroria nis hetimin për mjekët në QKUK

Periskopi.com Lajme

Një grua nga Vushtrria ka vdekur në QKUK pasi kishte lindur fëmijën e tretë. Fillimisht, gjithçka kishte shkuar mirë por gjendja e saj ishte përkeqësuar një ditë pas lindjes.

Një grua nga Vushtrria ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi lindi fëmijën e tretë. Fillimisht gjithçka shkoi mirë, por gjendja e pacientes u përkeqësua vetëm një ditë pas lindjes.

Burri i Zyrafete Ademit, nga fshati Begaj, po fajëson mjekun që e operoi, por ky i fundit, thotë se vdekja e 37 vjeçares ka ndodhur për shkak të problemeve me zemër, e jo operacionit. “Ajo është dashtë me u operu, janë bërë analizat, me lejen e anesteziologut kemi hy në operacion.

Nuk ka vdekë si pasojë e operacionit ka qenë krejt në rregull, ka vdekë si pasojë e sëmundjeve kardiopulmonale. I është dhënë anestezioni spinal, para se me fillu e kemi pyet a po i ndien dhimbjet, ka tregu që po i ndien edhe e ka pi krejt, do të thotë nuk e ka kapë anestezioni spinal dhe e kanë shti në të përgjithshëm, se s’shkon me ja dhanë anestezionin pas lindjes”, ka thënë Zahiti.

Ndërsa për këtë rast, Prokuroria ka nisur hetimet dhe po pret për raportin e obduksionit, transmeton gazetametro.net.

Ndërkaq prokurori Njazi Rexha i cili është duke e hetuar këtë rast, ka thënë se nuk mund të thotë asgjë deri në marrjen e analizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Prokurori Njazi Rexha, që po e heton këtë rast, ka thënë se nuk mund të thotë asgjë deri në marrjen e analizave nga IML. “Deri në marrjen e autopsisë nuk mund të themi asgjë për këtë rast”, ka thënë Rexha. Sidoqoftë, burri i së ndjerës, Hysniu, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.

“Në ora nëntë ka fillu operacioni, pas gjysmë ore e ka lindë beben. Gruan e kanë lanë në intensivë deri kah ora 12:00. Kur e kam taku pas lindjes, ka qenë pak e lodhun por nuk ka qenë keq, ka folë me mu, më ka tregu krejt qysh ka shku operimi. Një anestezion ia kanë dhanë, por gjatë operimit gruaja i ka dëgju mjekët krejt kur e kanë operu, kur ja kanë nxjerrë beben, kështu më ka thanë, iu ka tregu edhe mjekëve që i ka ndje krejt dhimbjet, e pas lindjes mjeku ia ka dhanë edhe një anestezion tjetër”, shpjegon Hysniu./Periskopi

Policia nis hetimet për sulmet kibernetike nga Serbia

Periskopi.com Lajme

Ka një javë që domenet qeveritare po sulmohen nga hakerët, që dyshohet se këto sulme po vijnë nga Serbia.

Sistemi i postës elektronike javën e kaluar ishte sulmuar, email-at e zyrtarëve të shtetit dhe adresat e zyrtarëve diplomatikë. Për të gjitha këto raste, Policia e Kosovës ka iniciuar rast hetimi. Kështu të paktën kanë deklaruar për Gazetën Express për këto raste shqetësuese.

Javën e kaluar, ishte faqja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli që u sulmua. Përmes një videoje të publikuar në Twitter, në llogarinë e Veselit, u bë e ditur se një grup hakerësh serbë i titulluar “Serbian Hackers Kim”, kishin vërshuar në faqen e kryeparlamentarit.

Një ditë pas, Institucionet e Kosovës u goditën nga një sulm i fuqishëm kibernetik që vinte nga Serbia. Sistemi i postës elektronike ishte sulmuar në tërësi dhe për këtë Gazeta Express kishte siguruar njoftimin e Qeverisë së Kosovës dërguar ambasadave kosovare për t’i njoftuar rreth këtyre sulmeve.

Në kuadër të tyre, u goditën edhe email-at e zyrtarëve të shtetit

Express ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dihen se çka po ndërmerret që këtu sulme të parandalohen ose të identifikohen nga po vijnë.

E policia tha se tashmë kanë iniciuar rast hetimi lidhur me sulmet kibernetike drejtuar domenit qeveritar.

“Për njoftim tuajin, sektori kompetent pranë Policisë së Kosovës ka iniciuar rast hetimi lidhur me sulmin kibernetik që ka ndodhur drejtuar domenit qeveritar”, thuhet në përgjigjen e PK’së për Express.

Qeveria e Kosovës i kishte njoftuar të gjithë institucionet javën e kaluar se kanë pasur një sulm masiv që vinte nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia.

Por, edhe pse tashmë është nisur hetim nga policia, ekziston frika se sulmet ndaj shërbimeve të tjera kosovare elektronike mund të rriten.

Për këto sulme, kishte reaguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, të cilët gjithashtu kishin thirrur takim urgjent të Këshillit Shtetëror të Sigurisë Kibernetike.

Përmes njoftimit të MPB’së, u bë e ditur se nuk kanë afektuar asnjë sistem elektronik të institucioneve të Kosovës, dhe asnjë adresë elektronike zyrtare.

Kjo ministri, megjithatë, thanë se Këshilli ka marrë masat e duhura dhe ka njoftuar institucionet lidhur me hapat që duhet të ndërmarrin për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të tilla.

Vlen të theksohet se vetëm në tri vitet e fundit në Kosovë, janë raportuar 116 raste të tilla.

Rastet kanë të bëjnë me hyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim të kartelave bankare dhe të kreditit, si dhe pornografi të fëmijëve përmes internetit. Për gjithë këto vepra, Policia i ka vënë pas prangave 41 persona, ndërsa është ngritur kallëzim penal ndaj 74 të tjerëve.

Haradinaj: Kanë filluar hetime ndaj KEDS, nuk tolerohen ndërprerjet e rrymës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur sot se është duke u hetuar KEDS-i për shkak të mos furnizimit të rregullt me energji elektrike të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka thënë se fillimisht është takuar me zyrtarët e lartë të KEDS-it, KOSTT-it, KEK-ut dhe të ZRRE-së lidhur me mungesën e madhe të energjisë elektrike.

Haradinaj ka thënë se u ka bërë të qartë se nuk tolerohet që në emër të defektit të ketë ndalje të energjisë elektrike me orë të tëra.

“I kam ftuar para tri dite pikërisht për këtë [mungesën me energji elektrike v.j] sepse ka ekzistuar njëfarë praktike me ia lënë fajin njëri-tjetrit. Për këtë ftova edhe KEDS-in edhe ata që kishin ardhur nga Ankaraja dhe Stambolli, por edhe këta në Kosovë. Pastaj ftova KEK-un, KOSTT-in kemi pasur edhe ZRRE-në, pra që të gjithë kanë qenë”.

“Kemi biseduar si me ju qas më tej punës. KEDS-it duhet të bëjë kujdes të madh se kontrata e obligon me furnizua me energji elektrike. Nuk bën që në emër të defektit mos me e furnizua qytetarin se është çmimi i shtrenjtë atje ku blihet. Këto janë si ta quaj obligime sepse i ke marrë obligime me kontratën”, ka deklaruar Haradinaj, për Insajderin.

Më tej ai ka thënë se për shkak të kësaj çështje është duke u interesuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit.

“Nuk qenë në pushtet kur është bërë kjo marrëveshje, apo kur është privatizuar distribucioni. Prej kohës kur e kam marr detyrën i kam trajtuar me respekt por edhe kam kërkuar të respektohet”.

“Nëse nuk respektohet prishen marrëdhëniet sepse nuk mund ta heshti faktin që në vendin tim të ndalet rryma me orë të tëra. Kam dëgjuar që ka ndodh një interesim edhe i Prokurorisë edhe i Policisë hetuese. Pra për këto ndërprerje. Nëse eventualisht krijohen probleme duhet me e rishikuar këtë marrëdhënie”, ka deklaruar Haradinaj.

Erdogan: Të martën bëjmë publike hetimet për vdekjen e gazetarit saudit

Periskopi.com Lajme

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se do të bëjë publike të martën detajet e e hetimit të Turqisë për vrasjen e gazetarit saudit, raporton AP.

Organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” i bëri thirrje dje Arabisë Saudite të dorëzojë trupin e gazetarit Khashoggi, në mënyrë që të kryhet menjëherë autopsia. Raportet fillestare treguan se Khashoggi u vra më datë 2 tetor.

Arabia Saudite ka pranuar vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe njoftoi se Princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, do të udhëheqë hetimin një-mujor. Qeveria saudite tha se ka shkarkuar pesë zyrtarë të lartë dhe ka arrestuar 18 sauditë të tjerë si pasojë e hetimeve fillestare.

Ndër të shkarkuarit është Saud al-Qahtani, një këshilltar i afërt i princit, si dhe zëvendës drejtori i shërbimit të zbulimit, Gjeneral Major Ahmed al-Assiri.

Në Uashington, protestuesit marshuan nga Shtëpia e Bardhë drejt Departamentit të Shtetit për të kërkuar një përgjigje më të ashpër nga administrata Trump pas njoftimeve nga Turqia se zoti Khashoggi u vra dhe u copëtua brenda konsullatës saudite në Stamboll më datë 2 tetor, nga një ekip saudit prej 15 vetësh që hynë në Turqi dhe u larguan me një avion të posaçëm po atë ditë.

Takimi të martën i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo me princin saudit të kurorës u kritikua nga disa ligjvënës amerikanë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.

Sekretari Pompeo i mbrojti takimet e tij me sauditët gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, dhënë dje në Mexico City për Greta Van Susteren.

Prokuroria në Prizren mbyll hetimet për vdekjen e dy nxënëseve

Periskopi.com Lajme

Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, më datë 12 tetor, ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënëseve D.K dhe A.D., të shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.

Sipas një komunikate të Prokurorisë, prokurori i shtetit, i ngarkuar me rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – sektori rajonal i hetimeve, ka zhvilluar veprime hetimore intensive, duke përfshirë por pa u kufizuar në intervistim të numrit të madh të dëshmitarëve, aplikim të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, foto-albumi i vendit të ngjarjes, shikimi i incizimeve nga kamerat e vendit të ngjarjes, raporti psikiatrik i njësisë së shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshent, raporti i ekspertimit të forenzikës, raporti i autopsisë etj., dhe nga të gjitha këto informacione të siguruara Prokuroria Themelore në Prizren, ka ardhur në përfundimin se vdekja e dy nxënëseve nuk është shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave tjerë.

​Prokuroria e Gjakovës fillon hetimin për veteranët mashtrues

Periskopi.com Lajme

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, ka mbajtur takim me prokurorët e kësaj prokurori ku ka caktuar dy prokurorë të cilët do të merren me trajtimin e listave të veteranëve të luftës, të cilat po dyshohen për manipulime.

Kryeprokurori Selimaj, ka kërkuar nga prokurorët e caktuar intensifikimin e veprimeve hetimore për rastin e mashtrimeve me listat e veteranëve të luftës.

Po ashtu, Prokuroria e Gjakovës në koordinim të plotë me njësinë e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Gjakovë, ka filluar hetimet paraprake për identifikimin dhe verifikimin e 191 personave të dyshuar si veteranë dhe akterët e tjerë të përfshirë në procesin e rekrutimit, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumentit”,  “mashtrim dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Vlen të theksohet se Prokuroria Themelore në Gjakovë, është e përkushtuar që ta trajtojë çdo rast me seriozitetin më të lartë moral e profesional.

​Franca, Gjermania, SHBA-ja dhe Kanadaja mbështetin hetimet e Londrës në çështjen Skripal

Periskopi.com Lajme

Franca, Gjermania, SHBA-ja dhe Kanadaja njoftuan sot në një deklaratë të përbashkët se kanë krejtësisht besim në përfundimet e policisë britanike në hetimin për helmim me Noviçok në mars të një ish-agjenti rus në Angli.

“Ne kemi krejtësisht besim në përfundimet britanike sipas të cilave dy të dyshuarit ishin oficerë të shërbimeve sekrete ushtarake ruse dhe ky operacion me shumë mundësi është miratuar në një nivel shumë të lartë të qeverisë (ruse)”, deklarojnë krerët e katër fuqive perëndimore në një komunikatë të publikuar nga “Downing Street” dhe e firmosur gjithashtu nga Londra, një ditë nga lëshimi i mandatarresteve europiane kundër dy personave.

“Ne i kërkojmë Rusisë t’i japë OPCW-së (Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike) informacione të plota në lidhje me programin e saj Noviçok”, theksohet në këtë deklaratë.

Londra konsideroi sot presidentin rus, Vladimir Putin si përgjegjës për helmimin e Serguei Skripal dhe të vajzës së tij Julia, më 4 mars në Salisburi, në jugperëndim të Anglisë. Një ditë më parë, kryeministrja britanike Theresa May kishte pohuar para Parlamentit se sulmi ishte përgatitur nga dy oficerë të shërbimve sekrete ushtarake ruse (GRU).

 

Vrasja e biznesmenit në Shkodër, hetime në disa pista

Periskopi.com Lajme

Hetimet për të zbardhur vrasjen e biznesmenit Arjan Ferracaku po zhvillohen intensivisht, edhe pse deri tani nuk ka asnjë të dhënë që mund të hedhë dritë mbi motivet dhe autorët e krimit.

Në orët e vona të së shtunës, policia ka shoqëruar në Komisariat më shumë se 30 persona, duke shpresuar se dëshmia e tyre do të hedhë më shumë dritë mbi krimin, por pa rezultat.
Nga dëshmia e tyre nuk është përfituar asnjë e dhënë për identifikimin e autorëve, por policia, pjesës më të madhe të personave të shoqëruar u ka marrë gjurmët e gishtave.

Dy janë pistat ku po përqëndrohen më së shumti hetimet, atë të përplasjeve mes grupeve kriminale dhe një gjobëvënie të mundshme që mund t’i jetë vendosur 30-vjeçarit, i cili ka kundërshtuar dhe nuk ka paguar.

Dy personat që e shoqëronin Ferracakun mbi kalë, fatmirësisht i kanë shpëtuar më së miri plumbave të kallashnikovit. Dy personat mësohet se janë marrë në ruajte nga Policia e Shkodrës. Ata janë larguar me vrap, duke tentuar të fshihen, nga frika se mos ndiqen nga autorët dhe të ekzekutoheshin si shoku i tyre.

Dy personat, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë shoqëruar me urgjencë në Policinë e Shkodrës, ku janë marrë gjatë në pyetje, në prani të drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe vet Ardi Veliut, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që mbëriti me urgjencë në Shkodër.

 

Trafikuan 800 kg drogë, hetimet zbulojnë grupin e shqiptarëve që ‘mbyti’ Gjermaninë me kokainë

Periskopi.com Lajme

Një rrjet trafiku ndërkombëtar i kokainës është goditur nga autoritet ligj-zbatuese gjermane. Tetë persona, mes tyre edhe shqiptarë, janë vënë në pranga, referuar raportimeve në mediat gjermane.

Autoritet ligj-zbatuese gjermane kanë arritur të shtien në dorë një sasi prej rreth 800 kg kokainë, që u trafikua nga Amerika e Jugut në Gjermani. Rezultatet e këtij hetimi të koduar “Paraguaj” u bënë të ditura këtë të hënë, raportojnë mediat gjermane.

Në dhjetor, rreth 250 kg kokainë u kapën nga autoritet ligj-zbatuese gjermane në Saarland, në një fabrikë të pjekjes së bananeve në Neunkirchen. Nëse hidhej në treg, nga shitja e kokainës vlerësohet të fitoheshin rreth 50 milion euro.

Hetimet zbuluan se vetëm pak javë më parë, rreth 310 kilogramë kokainë ishte transportuar në të njëjtën kompani në Neunkirchen.

Një grup trafikantësh shqiptarë, që ishte në dijeni për ngarkesën, hyri në kompani dhe vodhi rreth 250 kg kokainë. Raportohet se punëtorët e fabrikës ku magazinohej droga e fshehur në ngarkesa me banane, nuk ishin në dijeni të trafikut. Pikërisht nga kjo vjedhje, raportohet se hetuesit ranë në gjurmët e grupit.

E njëjta skemë është përdorur nga grupi disa herë edhe në zona të tjera të Gjermanisë.

Në vrazhdën e hetimeve, u sekuestruan gjithsej rreth 800 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Gjermani sipas mediave lokale.

Tetë persona u arrestua gjatë hetimeve, përshirë trafikantët edhe financuesit. Emrat e personave të arrestuar nuk bëhen me dije, por raportohet se ishin pjesë e një grupi shqiptarësh.

Gjatë një kërkimi në një hotel në Neunkircher gjatë javës së kaluar, hetuesit e narkotikëve të Saarlandit raportohet se mundën të siguronin prova të reja.

Grupi i trafikut drogës po planifikonte të transportonte nga Gjermania në Holandë sasi të mëdha kokaine. /Panorama

Hetimet për vetëvrasjet e dy nxënësve në Prizren, drejt fundit

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Prizren, është në fazën përfundimatre të hetimeve për vetëvrasjen e dy nxënësve të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në këtë qytet.

Prokurori, Metush Biraj, tha se deri më tash janë intervistuar disa persona.

“Janë kryer disa intervistomë. Tash jemi në fazën përfundimtare të hetime, prandaj nuk mund të flas asgjë më shumë sepse mund ta prishim procesin”, ka thënë Biraj për RTV Besa, transmeton “PrizrenPress”.

Donjeta Kafexholli dhe Alketa Dakaj, i kanë dhënë fund jateës, duke kërcyer nga katet e larta të banesave.

Ato, kanë qenë shoqe të klasës.

Ende nuk dihen motivet që kanë shtyrë dy nxënëset që t’i japin fund jetës.

 

Mbyllen hetimet për Shpend Ahmetin

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka mbyllur hetimet ndaj kreut të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe zyrtarëve të tjerë komunalë, të cilët një vit më parë ishin paditur nga Dega e PDK-së në Prishtinë për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.

Prokuroria thotë se nuk gjeti prova të mjaftueshme se Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë komunalë i kishin kryer këto vepra penale. E, në PDK thonë të mos jenë informuar për mbylljen e këtyre hetimeve.

Në shtator të vitit të kaluar , PDK-ja në Prishtinë kishte marrë një vendim që të padiste kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe disa zyrtarëve të tjerë të komunës me dyshimet për krim të organizuar.

Sipas këtij kallëzimi, Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë të komunës në bazë të preferencave partiake u kishin lëshuar leje ndërtimore militantëve partiak dhe grupeve të interesit të afërta me zyrtarë të Vetëvendosjes.

Kallëzimi gjithashtu thoshte se me marrëveshje të dyshuarit u kishin mohuar lejet e ndërtimit qytetarëve të Prishtinës në kushte të barabarta derisa a militantëve të partisë u ishte lejuar leja e ndërtimit në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.

Por gati 10 muaj më vonë Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë vendim që t’i mbyllë hetimet për këtë rast.

Mungesa e provave, sipas prokurorit special, Sylë Hoxha, ka bërë që të mbyllet ky rast.

KTV-ja ka kontaktuar me sekretarin e PDK në Prishtinë, Bujar Cakolli, i cili e kishte dorëzuar në Prokurori këtë kallëzim penal vitin e kaluar. Cakolli shkurt ka thënë se nuk është dijeni se janë mbyllur hetimet për këtë rast andaj nuk mund të flas për këtë çështje.

 

Në tetor priten rezultatet e hetimit rreth dëbimit të shtetasve turq

Periskopi.com Lajme

Nga mesi i muajit tetorit të këtij viti, pritet që Komisioni hetimor parlamentar të paraqes konkluzionet zyrtare të Kuvendit të Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi. Kështu, të paktën kanë paralajmëruar nga komisioni i sapoformuar hetimor në Kuvend.

Komisioni hetimor, i cili është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ka marrë mbështetjen e partive parlamentare, parashihet që të hetojë dhe ndriçojë rrethanat dhe procedurat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë mjek.

Pas këtij zhvillimi, Kuvendi i Kosovës, më 17 prill, kishte miratuar një rezolutë për themelimin e një komisioni hetimor, lidhur me dëbimin e këtyre shtetasve të Turqisë.

Xhelal Sveçla, kryetar i Komisionit Hetimor nga Lëvizja Vetëvendosje, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se gjatë kësaj jave pritet konsolidimi i stafit të komisionit si dhe pajisja me dokumentacione të nevojshme. Pas kësaj periudhe, tha ai, priten hapat e veprimit në aspektin e dëshmive dhe dëgjimin e personave të përfshirë në këtë çështje.

Sveçla tha se ky komision do të jap epilogun përfundimtar, pavarësisht faktit që ka, sipas tij, përpjekje nga qarqe të caktuara për të penguar këtë proces.

“Me vetë faktin që ky komision po fillon punën dy muaj me vonesë është një pengesë në vete. Vërehet një intencë e qarqeve të caktuara që ta defunkionalizojë punën e këtij komisioni apo që të vështirësojë punën”, tha ai.

“Por, ne jemi të vendosur që të shtyjmë përpara këtë çështje. Mendojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme. Meqenëse, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur atë ditë është pika më e zezë e veprimit institucional që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash”, tha Sveçla.

Hetime lidhur më dëbimin e shtetasve turq ka bërë edhe Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, sipas të cilave janë konstatuar shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe lirive të njeriut. Ky raport me rekomandime të publikuar iu është dorëzuar institucioneve kompetente.

Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë se ende është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, në bazë të të gjeturave gjatë hetimeve shtetasit turq nuk janë dëbuar, por janë ekstraduar nga Kosova.

“Çdo vonesë e mëtejme e komplikon procesin sepse mekanizmat tjerë ndërkombëtar, kam dëgjuar se kanë filluar të trajtojnë këtë çështje. Tashmë kjo çështje tejkalon nivelin vendor”, theksoi Jashari.

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ishte një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.

Kryeministri Haradinaj pati liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Pas kësaj, në muajin maj, familjarët e shtetasve turq kanë ngritur padi kundër institucioneve përgjegjëse ndaj vendimit për urdhër-largimin e tyre me forcë dhe për revokimin e leje-qëndrimit të gjashtë shtetasve turq. ndërsa, tashmë janë duke përgatitur dosje për ta dërguar çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

‘Ky qenka më në rregull se ne’, psikiatri ndryshon rrjedhën e hetimit- Ja dyshimet për Qemal Selën

Periskopi.com Lajme

Policia e Dibrës ka dyshime të forta se krimi në familjen Sela ku djali i sapokthyer nga Anglia vrau nënën dhe babain e tij, ka ndodhur për shkak të parave dhe se shëndeti mendor i 26-vjeçarit të jetë inskenuar prej tij pas ngjarjes së rëndë.

I riu Qemal Sela dyshohet se ka debatuar nëpërmjet telefonit me familjarët e tij që kur ai ndodhej ende në kamp dhe priste deportimin. Burime nga Policia bënë të ditur se gjatë vizitës paraprake të 26- vjeçarit te mjeku psikiatër, ky i fundit është shprehur me rezerva sa i përket gjendjes mendore të të arrestuarit për vrasje.

DYSHIMI

Ndonëse Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi shtrimin e përkohshëm në Spitalit e Burgut të Qemal Selës, pasi kishte dyshime se ai vuante nga çrregullime psikike, burime nga Policia e Dibrës bënë të ditur se tashmë sjellja e tij brenda ambienteve të spitalit po mbahet në “përgjim”, pasi ka dyshime të forta se ai është i shëndoshë mendërisht. Në një rezultat të tillë paraprak është arritur duke analizuar mjaft detaje të sjelljes së të riut dhe historikut familjar, çka ngre dyshime se ai e ka kryer krimin me paramendim, sepse prindërit i kishin shpenzuar kursimet e tij. Oficerë të Policisë që kryen shoqërimin e Qemal Selës nga Dibra drejt Tiranës, u shprehën se gjatë udhëtimit 200 kilometra e kanë pyetur të riun rreth ngjarjes së ndodhur. Ai ka folur normalisht për gjithçka pyetej, por vetëm kur flitej për vrasjen e dy prindërve rrekej ta anashkalonte bisedën. Emigranti i ardhur në vendlindje ka pohuar se gjatë qëndrimin shtatëvjeçar në Angli ka punuar shumë dhe paratë e fituara ua ka dërguar familjarëve, të cilët kishin ngritur një biznes në llixhat e Peshkopisë. Pas vendimit të Gjykatës që Qemal Sela të qëndronte përkohësisht në Spitalin e Burgut Tiranë, ai është dërguar për vizitë te mjekët specialistë. Oficerët që e kanë shoqëruar Qemal Selën te mjeku psikiatër thanë se janë befasuar nga sjellja e tij, totalisht ndryshe nga çfarë kishin parë në Peshkopi. “Qemali iu përgjigj normalisht të gjitha pyetjeve të mjekut. U pyet për vitet e qëndrimit në Angli, punën e bërë atje, krimin e kryer, etj. Mjeku në fund u shpreh se: ‘Ky qenka më në rregull sesa ne’. Kjo ka bërë që hetimet të marrin drejtim tjetër, pra, të dyshohet se krimi është kryer me koshiencë. Po përdoren metoda speciale të hetimit dhe shumë shpejt do të zbardhet e vërteta.

DESHMIA NE GJYKATE

Gjatë marrjes në pyetje në Gjykatë, autori i krimit, Qemal Sela, ka shfaqur sjellje që ka vënë në pikëpyetje trupin gjykues për shëndetin mendor të tij. I pyetur rreth ngjarjes, ai është shprehur se: “Vrava dy maska, m’u dukën si hije. Nuk kam vrarë prindërit e mi. Nënën time e njoh nga dhëmbët. Nuk është ajo që vrava. Ai tjetri e ka emrin Flamur, por nuk është babai im”.

 

KMDLNj kërkon të vazhdojnë hetimet në rastin Dehari

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar që të vazhdohen hetimet deri në zbardhjen e rastit të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, i cili vdiq në qendrën e Paraburgimit në Prizren me 5 nëntor.

Periskopi.com Lajme

Përmes një kumtese për media, KMDLNj, kërkon nga institucionet vendore që ekspertët mjeko-ligjorë, të angazhuar nga familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje të kenë qasje në të gjitha të gjitha Provat materiale “që do t’u ndihmonin në përpilimin e një raporti profesional e që do të kontribuonte në ndriçimin e rastit”.

Po ashtu ky këshill ka bërë thirrje publike të mos pengohet vazhdimi i hetimeve dhe të mos paragjykohet fajësia e askujt pa vendim të një gjykate kompetente.

“Çdo përpjekje për pengimin e hetimeve, nga kushdo qoftë tregon se ka interesim të fshehët e vërteta dhe të mbrohen ata që janë përgjegjës për këtë rast tragjik. Vetëm hetimi i papenguar, i pandikuar politikisht, ku të gjithë, pa asnjë përjashtim , nëse ofrojnë fakte do të kontribuojnë në zbardhjen e rastit, arritjen e drejtësisë përmes një procesi hetimor dhe gjyqësor transparentë”.

“Nga përgjegjësia nuk duhet të përjashtohet askush, nëse duam drejtësi”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj, gjithashtu e ka përkrahur edhe vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, për suspendimin e drejtuesit të burgut të Prizrenit dhe tre zyrtarëve të tjerë deri në përfundim të hetimeve.

Ramadani: Suspendime të vonuara, besoj jo të fundit në rastin e Deharit

Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për suspendimin e  katër zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Gashi, në këtë qendër, për ekspertin e sigurisë Burim Ramadanin më i dobishëm do  të ishte po të merrej në ditët e para pas rastit, derisa beson se nuk do të jetë vendim final.

Periskopi.com Lajme

Ramdani, në një prononcim për Periskopin ka thënë se në mënyrë që procesi i hetimeve të këtij rasti të jetë më i besueshëm, duhet të ketë më shumë transparencë.

“Unë besoj se së pari vendimi i marrur prej Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që është i nevojshëm, por besoj se do t’i kontibuonte më shumë ambientit të përgjithshëm dhe besueshmërisë së procesit nëse vendimi do të merrej në ditët e para. Por, megjithatë besoj se ka një vlerë jashtëzkonisht të rëndësishme, sidomos si vendim që e ka pasuar realisht edhe kërkesën për hetime të pavarura. Definitivisht ka nevojë për rritje më të madhe të transparencës në mënyrë që procesi i hetimeve me qenë i besueshëm edhe për publikun dhe jo vetëm një pjesë më të ngushtë, nromalisht edhe për familjen”, ka thënë Ramadani.

Ramdani gjithashtu ka shprehur bindijen e tij se vendimi për suspendimin e këtyre zyrtarëve nuk është vendim final duke shtuar se ka më shumë përgjegjësi institucionale.

“Unë besoj që vendimet e tilla hapin rrugë për hetime më gjithëpërfshirëse, më të pavarura dhe më të besueshme. Nuk besoj se suspendimi i këtyre katër zyrtarëve në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është vendimi final. Besoj se ka përgjegjësi zingjirore insitucionale më shumë dhe në të njëjtën kohë besoj që vendimet duhet të përcillen edhe më tutje, por me kushtin që të ketë transparencë shumë më të madhe”, ka shtuar ai./Periskopi/