Hiqet homologimi për automjetet e reja, njofton ministria

Periskopi.com Lajme

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ka dhënë detaje rreth heqjes së homologimit të automjeteve të reja.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), ka bërë të ditur se është hequr homologimi për automjetet e reja.

Sipas njoftimit, ky vendim vjen duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ku edhe kanë filluar procedurat e liberalizimit të procesit të homologimit.

“Në kuadër të kësaj, ju informojmë se MIT ka marrë vendim që veturat e reja, të importuara nga kompanitë e licencuara, nuk do t’i nënshtrohen më homologimit nga kompania e autorizuar për kryer atë”, thuhet në njoftim.

Për verifikimin e të dhënave nga prodhuesit, MIT ka bërë të ditur se përgjegjës do të jenë kompanitë e autorizuara për shitjen e tyre në tregun e Kosovës.

I njëjti verifikim sipas MIT-së do të vlejë edhe për blerësit kur kryejnë regjistrimin e veturave.

MIT ka bërë të ditur se ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe uljes së kostos të cilën duhet të paguajnë qytetarët.

Hiqet homologimi për veturat e reja, kërkohet të shfuqizohet edhe për të vjetrat

Periskopi.com Lajme

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, thotë se ky është hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës.

BE po ashtu ka kërkuar që kjo qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE, përfshirë automjetet e dorës së dytë.

“Bashkimi Evropian Kosova mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë ✖ homologimin për automjete të reja të importuara ?? të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, thuhet në reagimin e BE-së.

Tre muaj më parë në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologim.

Në këtë seancë u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.

Ankohen tregtarët e veturave: Homologimi, plaçkë e Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Kosovarët paguajnë 4 milionë € në vit për homologim të veturave. E krejt këto para shkojnë në arkën e vetëm të një kompanie vendëse.

Për këtë qëllim të premten e kaluar u mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku deputetët diskutuan shumë, por që në fund nuk arritën të marrin një vendim.

Ekipi i EkonomiaOnline qëndroi këtë të diel në tregun e automjeteve në Fushë Kosovë, për të marr qëndrimin e shitësve të veturave, por edhe të blerësve përkitazi me këtë temë.

Të gjithë të intervistuarit u shprehen se procesi i homologimit është i panevojshëm dhe se duhet të hiqet menjëherë.

Fatbardh Dakaj, është njëri prej shumë kosovarëve që u përballë me këtë proces.

Ai thotë se javën e kaluar u detyrua të bëjë homologimin e një veture të ardhur nga Gjermania.

Thotë se iu bë vetëm sa për t’ia marr 125 euro.

“Një veturë që vjen nga jashtë ajo është e homologuar, kur vjen këtu përsëri duhet me shku në homologim veç sa për sy e faqe. Unë i pyeta ata në homologim se çka kontrolloni në veturë më thanë jo vetëm pamjen e jashtme. Ajo kryesorja nuk kontrollohet në homologim, motorin e veturës nuk e kontrollojnë aty ku mundet me qenë defekti më i madh i një automjeti”, tha ai.

E për një qytetar tjetër homologimi është bërë vetëm për një qëllim.

Afrim Salihu, thotë se veturat e sjella nga jashtë nuk kanë nevojë për homologim.

“Unë mendoj që homologimi s’ka dashur me qenë hiq, kjo është një plaçkë e popullit, prej plaçkave të tjera është një më shumë, se ne po e bëjmë kontrollimin teknik këtu S’ka nevojë më mirë është me ia mundësua kontrollin teknike se me bë homologim. 125 euro i marrin vetëm një plaçkitje më tepër. Po i sjellim prej Gjermanisë boll paguajmë atje, paguajmë doganë plus të tjerat, e homologimi përse. Bile nëse është homologimi me qenë dy tri kompani e jo veç një, na boll jemi tu pagua gjëra të tjera”

Milazim Krasniqi po mendon se homologimi është vënë si pasojë e politikës së dështuar.

Thotë se shkak i homologimit po rritet edhe kostoja e veturave.

“Homologimi ndaj veturave është dashur të mos jetë fare, sepse e bastardon ekonominë kosovare dhe është direkt në gjepin e qytetarëve, por homolgimi është pasoj e politikës së dështuar të cilët kanë formuar klane të mjerueshme të cilat janë të gjitha në kurriz të qytetarit. Homolgimi ua rrit koston e çmimit të veturave dhe ajo shkon direkt të gjepi i qytetarëve, janë gjana që i shohin të gjithë se më këto gjëra që po i bëjnë pushtetarët e sotëm nuk i shërbejnë kombit”

Një tjetër vendim që po konsiderohet i dëmshëm për biznesin me vetura, por edhe për vet blerësit, është edhe ai për mos vlefshmërinë e regjistrimit pas shitjes së automjetit.

Tregtari Afrim Salihu, thotë se janë dëmtuar shumë nga ky vendim i Ministrisë së  Infrastrukturës.

“Unë jam tregtarë i veturave, e regjistroj një veturë pas 5 minutave e blerësi që e blen ka me pagua edhe 300 euro të tjera, kjo është çmenduri e madhe vetëm që e kanë propozua e leje ma me shti në ligj”, tha ai.

Për procesin e homologimit dhe monopolin në këtë fushë, ditë më parë ka reaguar edhe shefja e BE-së, Natalyia Apostolova.

Ajo u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që t`i bëjnë trysni Qeverisë për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ të nxjerrë gjatë vitit të kaluar, i cili ka mundësuar vazhdimin e monopolit për homologimin e automjeteve.

 

 

Konjufca: Fatmir Limaj e Pal Lekaj i bënë dy krime të mëdha me homologimin

Periskopi.com Lajme

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, ka thënë se në Kosovë janë bërë dy krime të mëdha sa i përket homologimit të veturave dhe vendimet e marra kanë qenë antikushtetuese.

Për krimin e parë ai fajëson ministrin e atëhershëm Fatmir Limajn.

“Krimi i parë është ai i vitit 2008. Atë udhëzim e ka marrë ministri i atëhershëm Fatmir Limaj. Në vitin 2008 duke e keqinterpretuar qëllimisht ligjin e atëhershëm për siguri në komunikacion, ai shkon dhe e shkruan një udhëzim administrativ duke e pasur në mendje një kompani të caktuar të cilën e përgatisin të ja japin një fushë siç është kjo procedura e homologimit në Kosovë. Ajo kontratë i ka 10 vite afat”, ka thënë Konjufca për krimin e parë.

Ndërsa për krimin e dytë Konjufca tha se fajtor është Pal Lekaj.

“Krimi i dytë është bërë kur kësaj kontrate i është ofruar fundi, dhe në vend se më shfrytëzuar këtë për ta ndërprerë kontratën, Pal Lekaj e merr udhëzimin administrative të tij i cili ia siguron vazhdimësinë monopolist në homologim, kompanisë “Eurolabi”, tha ai.

 

Krasniqi: Dyshoj se seanca për homologimin rrëshqet në temë politike

Periskopi.com Lajme

Në seancën e jashtëzakonshme për heqjen e monopolit të homologimit, në të cilën nuk është duke marr pjesë asnjë anëtar i Qeverisë, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, fillimisht ka shprehur zhgënjimin e tij që kolegët e opozitës nuk iu kanë ofruar mundësinë pozitës që të behën bashkë thirrës të kësaj seance.

Sipas tij ditë më parë në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik është shqyrtuar kjo çështje dhe ka pasur qëndrime në shumicën e pikave të rëndësishme, mjaft të përafërta.

Për këtë, Krasniqi tha se PDK-ja është  në favor të konkurrencës së lirë, fer, dhe lojale për mundësi të barabarta dhe kundër monopoleve si dhe në pajtim me rendin dhe ligjin.

“Sikur të kishim vullnetin që këtë seancë ta bënim bashkë nuk do të rrezikonim atë që me dyshim e kam thënë edhe në mbledhje të Komisionit, që kjo temë të rrëshqet edhe një herë si një temë politike dhe jo një temë e karakterit kryesisht ekonomike që ndërlidhet me konkurrencën. Po shpresoj që nuk ka qenë ky qëllimi, por ashtu edhe po duket. E dyta më vjen keq, që duhet ta them, që nuk kemi përfaqësues të qeverisë sot këtu, sepse ne po diskutojmë për një çështje që legjislacioni i ka bërë kompetencë qeverisë dhe së paku në këto raste, ne do të duhet të kishim personat përgjegjës për të pasur edhe imputet nga ana e tyre ose perspektivën nga an a tyre. PDK, është fuqishëm pro ekonomisë së tregut të lirë, kjo buron prej konceptit tonë ideologjik si parti e qendrës së djathtë”, theksoi Krasniqi.

Shefi i GP të PDK-së, tha se çështja e homologimit është e vjetër dhe është diskutuar herë pas herë ndër vite dhe ndër legjislatura.

Krasniqi tha se na takimin e fundit në komision parlamentar, ka kërkuar nga ministri I MI-së Pal Lekaj që të bëhen ndryshimet e Udhëzimit në mënyrë që të krijohet hapësira për treg të hapur, sepse nuk është normale për një veturë të re që importohet në Kosovë prej BE-së me iu nënshtruar një procesi të verifikimit në Kosovë.

 

Kurti: Qeverisja publike duhet të ndahet nga tajkunët privatë

Periskopi.com Lajme

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se sot kemi nevojë për ndarjen e qeverisjes publike nga tajkunët privatë pasi sipas tij tashmë nuk kemi vetëm korrupsion në institucione, por edhe institucione në korrupsion.

Pak para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur nga partia e Kurtit për heqjen e monopolit të homologimit të veturave, ai tha se edhe homologuesit duhet t’i homologojë shteti.

“Homologuesit duhet t’i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët”, shkroi Kurti.

Shkrimi i plotë i Albin Kurtit:     

Kush do t’i homologojë homologuesit?Ashtu sikurse që Glass Steagall Act nga viti 1933 në ShBA i ndante investimet nga bankat komerciale, në Kosovë sot kemi nevojë për ndarjen e qeverisjes publike nga tajkunët privatë. Sepse tashmë nuk kemi vetëm korrupsion në institucione, por edhe institucione në korrupsion.

Shteti i korporatës shpie në fashizëm. Këtë e kemi parë në Gjermani e Itali midis dy luftërave botërore. Ish Presidenti i ShBA-ve, Franklin Delano Roosevelt, në porosinë që ia dërgon Kongresit të ShBA-ve më 29 prill 1938 thotë: “Liria e demokracisë nuk është e sigurt nëse njerëzit e tolerojnë rritjen e pushtetit deri në pikën ku ai bëhet më i fortë sesa vetë shteti demokratik. Kjo, në esencë, është fashizëm – pronësi e qeverisë nga një individ, nga një grup apo nga cilado fuqi private kontrolluese”.

John Ralston Saul thekson tri qëllime të lëvizjes korporatiste në vitet e ’20-ta të shekullit të kaluar në tri shtete (Gjermani, Itali dhe Francë) të cilat kaluan nëpër fashizëm: 1) të zhvendoset pushteti direkt te grupet ekonomike ose shoqërore të interesit; 2) të shtyhet iniciativa biznesore në fushat që normalisht janë të rezervuara për organet publike; 3) të shlyhen kufijtë ndërmjet interesit publik dhe privat, pra, të sfidohet ideja e interesit publik.

Homologuesit duhet t’i homologojë shteti i së drejtës, kundër monopoleve në ekonomi, kundër korrupsionit në institucione, kundër dorëzimit të shtetit te privatët.

Oda Ekonomike e Kosovës prononcohet për çështjen homologimit

Periskopi.com Lajme

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është duke përcjellë me vëmendje deklaratat dhe debatet e ditëve të fundit në lidhje çështjen e kontrollit të automjeteve rastin e importit në Kosovës.

“Duke marrë parasysh faktin qe shumë nga anëtaret e Odës ndikohen nga çdo akt ligjor qe ka efekte ekonomike, ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që aktet e tilla të jenë me efekte pozitive për komunitetin e biznesit, duke respektuar standardet evropiane dhe parimet e ekonomisë së tregut”, thuhet në një komunikatë për media të OEK.

OEK thotë se raportet nga instancat e ndryshme të Bashkimit Evropian, përfshirë Raportin e Progresit dhe ekspertizen nga ekspertet e TAIEX-it duhet të jenë udhërrethyes, për vendimmarrje në çdo segment që rregullon tregun e brendshëm.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është e gatshme të lehtësoje një proces rregullativ në këtë fushë, me përfshirje të gjtiha palëve të interesit, konform standardeve evropiane dhe në harmoni të plotë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.