Hudhet poshtë padia e Vetëvendosjes që i kishte bërë në vitin 2013, Komunës së Kamenicës

Periskopi.com Lajme

Me konstatimin se Lëvizja Vetëvendosje, nuk i kishte përdorur të gjitha mjetet juridike para se të ushtronte padi në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kjo e fundit e ka hedhur poshtë si të parakohshme, padinë e këtij subjekti politik, të ushtruar në vitin 2013.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Kamenicë, në qershor të vitit 2013, kishte ushtruar padi kundër Komunës së Kamenicës, me pretendimin se nuk i ishte lejuar qasje në dokumente publike, respektivisht nuk i ishin ofruar të dhëna për të drejtën pronësore lidhur me një ngastër në Komunën e Kamenicës.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se “Vetëvendosje” nuk kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit për moslejim të qasjes në dokumente zyrtare, me ç ‘rast nuk kishte shtjerr mjetet juridike, siç është paraparë me Ligjin për Procedurën Administrative.

Lidhur me këtë rast, më 15 tetor 2019, kishte dështuar të mbahet seanca, pasi që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Kamenicë, Bajram Mavriqi kishte kërkuar që seanca të shtyhet.

Kjo me arsyetimin se nuk ishte i përgatitur për mbajtjen e seancës, me kërkesën që në seancën e radhës kjo padi të përfaqësohet nga ndonjë jurist i kësaj Lëvizje.

Ai po ashtu kishte deklaruar se padia ishte ushtruar në emër të “Vetëvendosjes”, nga ish- kolegia e tij, Brikenë Ramabaja, andaj për këtë arsye sipas tij, duhet të njoftohet se cili është interesi juridik për vazhdimin e kësaj procedure.

Por, ndonëse kishte kërkuar që kjo seancë të shtyhet, në seancën e mbajtur më 20 nëntor 2019, nuk kishte përfaqësuar askush nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Ndryshe, më 21 qershor 2013, “Vetëvendosje” kishte ushtruar padi kundër Komunës së Kamenicës, duke kërkuar nga Gjykatat Themelore në Kamenicë, që ta obligojë të paditurën t’i ofronte të dhënat lidhur me pronësinë mbi dy ngastra.

Por, Gjykata Themelore në Kamenicë ishte shpallur jo kompetente dhe çështja ishte deleguar në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përmes padisë, “Vetëvendosje” pretendonte se i është mohuar e drejta për qasje në dokumente publike, me arsyetimin se njëri ndër parimet themelore të pronësisë është publiciteti, e që nënkupton se të çdokush ka të drejtë të dijë se kush është titullar i pronësisë mbi sendin e caktuar.

Me këtë, paditësja pretendonte se i është mohuar në mënyrë të kundërligjshme qasja në dokumente publike.

 

Hudhet poshtë aktakuza ndaj Gazmend Muhaxheri

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore në Pejë e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarin të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili akuzohet për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i rastit, Sejdi Blakaj.

Ai ka thënë se është aprovuar kërkesa e të akuzuarit Muhaxheri, për hudhjen poshtë të aktakuzës ndaj tij.

Sipas gjykatësit Blakaj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Muhaxheri e ka kryer një vepër të tillë penale.

Ai ka thënë se lidhur me vendimin dhe arsyetimin më të gjerë, palët do të njoftohen me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.

Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.

Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27.04.2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanaj lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës.

Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.