”Humbëm shansin për liberalizim nga paaftësia e Isa Mustafës për ta bindur Vjosa Osmanin ta dëgjojë Amerikën”

Periskopi.com Lajme

Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Kosova ka humbur shumë kohë nga dy qeveritë ajo e Isa Mustafës dhe së fundi me atë të Ramush Haradinajt.

Ai përmendi edhe kohën se si erdhi deri tek heqja dorë e postit më të rëndësishëm institucional, ajo e kryeministrit, duke thënë që Isa Mustafa nuk ishte i aftë të zbatonte vendime të mëdha të asaj kohe, njofton Klan Kosova.

”Në 2017 ne bëmë një marrëveshje në momente të fundit duke e bërë Ramush Haradinajn kryeministër. Pjesa pozitive që mund ta quaj ka të bëjë me faktin që kemi ruajtur një stabilitet politik, brenda Kosovës dhe periudha brenda 2014 -2017 ka të bëjë me ballafaqimin e konsolidimit ndërkombëtar si shtet. Përkundër numrave që kishim mbi 2/3-tat Isa Mustafa si kryeministër nuk ishte i aftë të zbatonte vendimet që ishin të asaj kohe”.

”E kam mbështetur si opsion duke dashur t’i jap mundësi një qeverie që ka bazën nga UÇK, pasi e vetmja parti politike që përfaqëson UÇK-në është PDK, po ashtu e ka edhe AAK me Ramush Haradinajn një ndërlidhje me UÇK por edhe Fatmir Limaj po ashtu e kam besuar se mund të jetë një Qeveri e fuqishme për tu ballafaquar me këto sfida”.

”Gjatë rrugës kjo nuk funksionoi, ka pasur një diskrepancë në funksionimin tonë qeverisës. Këtë qeveri e kam parë më objektivisht sesa të kaluarën, për shkak të detyrës që kam pas si kryetar i grupit më të madh të koalicionit qeverisës. Nganjëherë partitë politike duke qenë nën zellin e garës dëshirojnë të krijojnë konceptcione që duan me çdo kusht të krijojnë Qeveri. Sot nuk është e drejtë të thuhet se jemi pishman aboslut që jo sepse nga secila nxjerrim mësime”.

”Ajo që mua më dhemb është fakti që në këto dy qeveri ne kemi humbë kohë”.

Krasniqi pohon në Zonën Zgjedhore, që në Qeverinë Mustafa Kosova humbi rastin për liberalizim të vizave duke theksuar që kjo ishte paaftësi e Isa Mustafës për të mos bindur Vjosa Osmanin të dëgjonte rekomandimet e Amerikës, njofton Klan Kosova.

”Në Qeverinë me Isa Mustafën ne kemi humb shansin jetik për të pasur liberalizim të vizave për shkak të paaftësisë së tij për ta kontrolluar grupin e LDK-së, për shkak të paaftësisë së tij për t’ja mbush mendjen Vjosa Osmanit që duhet me i dëgju Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe gjysmës së grupit të vet. Humbëm një shans të madh që nuk u kthye për shkak të ndryshimeve të konstalacionit politik europian”.

”E shansa e dytë e humbur është në qeverinë e fundit, për shkak të qëndrimeve rigjide të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj u ballafaquam me dëmtim substancial të raporteve bilaterale mes Kosovës e partnerëve ndërkombëtar gjë që është një nga dëmet më të mëdha për Kosovën”.