Nuk arriti të marr as 800 vota, Mustafa vazhdon punën në vizita jashtë shtetit

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm në detyrë, Ekrem Mustafa ka marrë vetëm 774 vota në zgjedhjet e 6 tetorit. Por, kjo shifër shqetësuese nuk po e ndalë atë drejt obligimeve si ministër në detyrë.

Mustafa mori pjesë në ministerialin e Salzburgut, i cili po zhvillohet në Vjenë (Austri). Në ministerial përfaqësohen vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, ndër to Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në këtë Forum u diskutuan çështja e migrimit të paligjshëm, kontrolli kufitar, lufta kundër kontrabandimit me emigrant dhe çështje të tjera të sigurisë.

Në këtë takim i cili po udhëhiqet nga ministri i Brendshëm i Austrisë, z. ëolfgang Peschorn, ministri Mustafa theksoi nevojën e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, vendeve të origjinës së migrantëve, si dhe në nivel të Bashkimit Evropian.

Mustafa njoftoi shtetet pjesëmarrëse me veprimet që janë ndërmarrë në menaxhimin e fluksit të emigrantëve, si edhe veprimet e policisë në luftimin e kontrabandimit me emigrantë.

Gjatë konferencës, Mustafa u përball disa herë me përfaqësuesen serbe të Ministrisë së Brendshme, e cila duke përdorur mentalitetin e regjimit të Millosheviqit, u mundua të paraqiste fëmijët kosovarë të kthyer së fundmi nga Siria si terroristë dhe të rrezikshëm për rajonin dhe Evropën.

Mustafa kërkoi nga përfaqësuesja serbe që të përmbahej nga deklarata të pavërteta, që nxisin urrejtje dhe të mos përzihet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesja serbe mbeti e vetmuar në përpjekjet e saj të dështuara për shfaqur të pavërteta të tjera, pasi që nuk iu dha më fjala dhe nuk mori asnjë përkrahje nga të pranishmit.

Ministri në detyrë Mustafa i njoftoi të pranishmit se kthimi i 110 shtetasve nga Siria, prej tyre 74 fëmijë dhe 32 gra, ka vendosur një standard të ri dhe me këtë Republika e Kosovës ka treguar përkushtim e saj në marrjen e përgjegjësive shtetërore. Ai, gjithashtu theksoi se për këtë operacion Republika e Kosovës është vlerësuar lart nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare.

Forumi i Salzburgut është një partneritet i sigurisë së Evropës Qendrore të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në këtë forum, shtetet anëtare bashkëpunojnë në fushat e bashkëpunimit policor, emigracionit të paligjshëm, mbrojtjen e dëshmitarëve, luftën kundër drogës, sigurinë në trafik dhe fusha të tjera të sigurisë së brendshme. Ata gjithashtu përqendrohen në koordinimin e pozicioneve dhe avancimin e interesave të përbashkëta në Bashkimin Evropian në fushën e sigurisë së brendshme.