Eksperti i sigurisë tregon krejt procedurat për kryerjen e shërbimit ushtarak, nëse miratohet ideja e Kurtit

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nën qeverisjen e tij, kryerja e shërbimit ushtarak do të jetë e detyrueshme.

Nga foltorja e Kuvendit ky njoftoi disa ndryshime që do ndodhin kur ai të jetë në qeveri, u shpreh se dhe shërbimi ushtarak do jetë i detyruar, në kohëzgjatje për 3 muaj.

Kjo gjë sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, është ide e qëlluar, por që sipas tij kjo merr kohë dhe se mund të ketë implikime financiare.

Ibishi në një prononcim për Periskopin, tha se përfshirja në shërbimin ushtarak do të jetë nga mosha 18-45 vjeç.

“Kjo çka u tha nga Kurti për tre muaj mendoj që është mjaftueshëm që ata të kalojnë një program trajnues për njohjen e elementeve ushtarake. Sa i përket përfshirjeve të grup moshës prej 18 sa edhe hynë rinia në moshë më të pjekur e deri në 45 ose 50 vjeçar, e ku e gjithë kjo ka me pas implikime financiare, mandej programore, stafit të trajnues, infrastruktura etj që kanë me qenë përcjellës të këtij programi”, tha ai.

Eksperti Ibishi për Periskopin ka treguar se i tërë ky proces mund të zgjasë 2-3 vjet.

Ai ka shpjeguar se arsyeja e zgjatjes është për shkak se do të ketë implikime financiare, programore, përgatitja e stafit trajnues e gjëra të tjera që përcjellin këtë program.

“I tërë ky proces do të fillojë në një fazë e cila parashihet të zgjasë 2-3 vjet, ku fillimisht duhet për të parë se si e perceptojnë të rinjtë tanë, por edhe çështje të tjera si raportet ekonomike financiare, shoqërore, mandej edhe përfshirja e aspektit të gjinisë femërore. Mendoj që do të sjellë një trend të ri ushtarak. Në fazën e parë do të jetë fazë vullnetare, ndërkaq fazat tjera pritet të jenë obligim.

Ai tha se shërbimi ushtarak përfshinë edhe të rinjtë që studiojnë ose punojnë, pasi që këte obligim mund ta përmbushin përgjatë kohës që janë në pushim.

“Ekziston pushimi veror në mes të semestrave, ku ata kanë mundësi të shfrytëzojnë kohën e pushimeve për të shkuar, ku ka alternative tjera që ata mos ti ndajnë qoftë nga procesi i shkollimit a po punësimit ”,ka thënë Ibishi. /Periskopi/