Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare dhe nxitja e lehtë që u jep aktiviteteve të Prishtinës, siç është rasti me formimin e Ushtrisë së Kosovës, ka kontribuar që të gjitha ekipet e Prishtinës që shkojnë për negociata në Bruksel të kenë të kaluar nga lufta, i tha TV Pink të Beogradit nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.
“Kjo bëhet me qëllim që, në një anë, të shpërlahet e kaluara e atyre njerëzve, dhe që ata të prezantohen si dofarë politikanësh dhe paqësorësh që tash duhet të arrijnë paqen”, është shprehur ai.
I pyetur rreth vendimit që shefi i ri ekipit të Prishtinës për dialog me Beogradin të jetë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, Simiq është përgjigjur se në Prishtinë është e vështirë që ndër politikanët aktivë shqiptarë të gjesh ndonjërin pa histori brenda UÇK-së së dikurshme.
Në pyetjen nëse mund të pritet zgjidhje me kompromis kur në krye të ekipit negociator të Prishtinës është dikush si Fatmir Limaj, Simiq u përgjigj se dje e kishte parë propozimin që kryeministri Haradinaj ua ka prezantuar ambasadorëve të SHBA, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë e Italisë, si dhe përfaqësueses speciale të BE-së Natali Apostolloves, dhe “më besoni jo vetëm që ai përbën listën e dëshirave të shqiptarëve të Kosovës, por është listë me të cilën synohet poshtërimi absolut i popullit serb dhe shtetit të Serbisë, por edhe i robërimit të popullit serb në këto hapësira”, është shprehur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Igor Simiq.
Ai tha se ekipi i Kosovës për negociata me Serbinë në Bruksel përbëhet nga Fatmir Limaj, Shpend Ahmeti, Enver Hoxhaj, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Jagcilar, si dhe Visar Ymeri e Dukagjin Gorani, këta dy të fundit si zëvendësim nëse LDK e VV refuzojnë të dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Nga kjo listë rezulton se pjesëmarrës me rol aktiv në luftën e UÇK-së është vetëm Fatmnir Limaj, që e bën të pasaktë pohimin e Simiqit, rikujton Koha.net.