Ismaili pritet të intervistohet pse QKUK’ja furnizohet me infuzione të kompanisë serbe

Periskopi.com Lajme

Një kompani serbe është listuar si furnizuese e QKUK-së me infuzion, në muajt prill dhe maj të këtij viti, raporton KTV .

Shqetësimin e ka ngritur ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili ka thënë se do të hetojë kush e ka lejuar këtë tender.

Por, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se edhe nëse ka kompani serbe që i kryejnë këto shërbime atëherë, sipas tij, ato me siguri kanë paguar taksën ndaj produkteve serbe.

Megjithatë, deputetja Besa Baftiu ka thënë se nëse kjo është e vërtetë, atëherë ministrin Uran Ismaili do ta ftojnë për raportim në Komisionin për Shëndetësi.

Përderisa në SHSKUK thonë se nuk kanë asnjë kontratë me operatorë ekonomikë nga Serbia.

“SHSKUK ka kontratë me operatorë ekonomikë të Kosovës me produkte serbe, të transferuara nga Ministria e Shëndetësisë, me Ligjin e buxhetit të vitit 2019. Ka problem me një numër të caktuar të produkteve esenciale për pacientët e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, përkundër se operatorët ekonomikë kanë kontrata valide për ato produkte tani e një kohë të gjatë”, thuhet në përgjigjën e SHSKUK-së .

Megjithatë, aty shtojnë se menaxhmenti i SHSKUK-së, së bashku me Departamentin e Prokurimit, janë në fazën përfundimtare të marrjes së masave ligjore ndaj operatorëve të cilët kanë vonesë në liferimin e produkteve të kontraktuara.