Inspektorët rrënojnë një kat të një ndërtese në Prishtinë: Ishte pa leje

Periskopi.com Lajme

Me vendim të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës sot ka nisur rrënimi i një kati pa leje të një ndërtese në rrugën “Fehmi Agani”, afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Drejtori i Inspektoratit të komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri tha se pjesa më e madhe e këtij objekti është me leje, por që kati i fundit është pa leje, prandaj kanë marr vendim për rrënim të tij.

Tahiri tha se pala është njoftuar 15 ditë më herë me qëllim që ta ekzekutojë vet rrënimin  e mbindërtimit, por meqenëse nuk e kanë rrënuar, atëherë Inspeksioni ka ndërhyrë.

“Pjesa më e madhe e këtij objekti është i ndërtuar me leje, mirëpo javëve të fundit ka filluar që ta ngris edhe një kat pa leje, Inspeksioni ka qenë disa herë në vendin e ngjarjes, ka vendosur shirita, i ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore, pala nuk i ka përfill ato dhe ka vazhduar prapë me ndërtim. Më 6 janar është marr vendimi për rrënim dhe i është dhënë palës afat prej 15 ditësh që ta ekzekutoj vetë rrënimin, por në rast se vazhdon me punime, sigurisht që inspeksioni duhet të ndërhyjë menjëherë dhe para këtij afati. Pala ka vazhduar dhe këtë fund javë ka vendosur edhe pllakën e katit”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij ka tendenca të ndërtimeve pa leje, por që në vitin 2019 dhjetëra rrënime kanë ndodhur.

Kryeinspektori i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri lidhur me projektin në Liqenin e Badovcit duke mos dhënë shumë detaje tha se kompania ndërtuese ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi.

“Ende as nuk kanë aplikuar për leje, kështu që kjo është cështje krejt tjetër”, tha Tahiri.

 

Inspektorati Policor vendos kritere joligjore në tenderin për furnizim me jelekë antiplumb

Periskopi.com Lajme

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OShP) ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) që të ndërmarrë hapa për eliminim të shkeljeve ligjore të evidentuara në tenderin “Furnizim me jelekë antiplumb”.

Këtë obligim gjykata e tenderëve IPK-së ia ka dhënë pasi që e ka shpallur si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Sodex Grop” nga Prishtina. Vlera që Inspektorati ka parashikuar për këtë tender është 45 mijë euro, shkruan Koha Ditore.

OShP-ja ka kërkuar nga Inspektorati që brenda 10 ditësh ta njoftojë me shkrim panelin shqyrtues, lidhur me hapat që ka ndërmarrë pas vendimit të saj.

“Obligohet Autoriteti kontraktues Inspektorati Policor i Kosovës që t’i bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit, në pajtim me nenin 53.7 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe t’i marrë parasysh rekomandimet e ekspertes profesionale të prokurimit, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘furnizim me jelekë antiplumb’”, thuhet në vendimin e OShP-së.

Inspektorati i Prishtinës blen dronë

Periskopi.com Lajme

Inspektorët e komunës së Prishtinës do të mund ta shohin kryeqytetin edhe nga larg.

Ata së shpejti do të pajisen me dronë për ta bërë këtë, njofton Klan Kosova.

Ky investim do të kushtojë 39 mijë euro.

Ministria e Tregtisë verifikon peshoret e mullinjve para sezonit të korrje-shirjeve

Periskopi.com Lajme

Me vendim të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, sot Agjencia e Metrologjisë bashkë Inspektoratin kanë bërë verifikimin e peshojave të mëdha. Verifikimi është duke u bërë para fillimit të sezonit të korrje shirjeve, me qëllim që të mos mashtrohet konsumatori.

Kryeshefi i agjencisë së Metrologjisë Ferki Fejza ka thënë se qëllimi kryesorë i kësaj vizite është verifikimi i peshoreve më mbrojtje të konsumatorit.

Fejza tutje shtoi se inspektimet e tilla do të bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës.

“Qëllimi i vizitës është verifikimi i jashtëzakonshëm për të gjitha pikat grumbulluese dhe fabrikat e miellit në këtë prag të fillimit të korrje shirjes, verifikimi i peshoreve në pika grumbulluese në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke pasur parasysh se kjo është njëra ndër parimet e themelore edhe të Ministrisë së Tregtisë edhe të ministrit Endrit Shala. Ky aktivitet është në përmbushje të obligimeve ligjore që dalin nga ligji për metrologjinë”, tha Fejza.

Ndërsa kryeinspektori i  Ministrisë së Tregtisë Lulzim Syla ka bërë thirrje tek grumbulluesit që të bëjë verifikimin e peshoreve përndryshe mund të gjobiten.

“Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë i bënë thirrje të gjithë grumbulluesve që të bëjnë verifikimin e peshoreve në të kundërtën nëse nuk i bëjnë verifikimin, inspektorati i cili është në teren do të merren masa sipas ligjeve në fuqi”, tha Syla.

Verifikimi i peshoreve do të vazhdojë në mënyrë permanente në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Inspektorati mbyllë 6 motele në Ferizaj

Periskopi.com Lajme

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka mbyllur përkohësisht gjashtë motele dhe 13 të tjera i ka proceduar për në gjykatë.

Këtë gjë e ka konfirmuar vetë komuna, të cilët kanë thënë se kjo po bëhet për të mos lejuar asnjë paligjshmëri në këtë qytet.

“Paligjshmëria ka kohë që nuk zë vend më në qytetin e Ferizajt. Kjo falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Inspektoratit të Komunës, të cilët me gjithë mekanizmin e tyre operativ janë vazhdimisht në terren, në denoncimet e qytetarëve dhe kontrollin e rreptë të bazuar në rregullativën inspektuese. I tillë është edhe aksioni që u zhvillua pak ditë më parë në koordinim me një varg institucionesh shtetërore”, thotë Komuna.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës tha se ky aksion kaq i gjerë që është shtrirë mbi qytetin e Ferizajt dhe rrethinën ka një qëllim, atë të shmangies së dukurive eventuale devijante në këto biznese dhe kontrollit sanitar që parashihet me normativin ligjor në fuqi.

Ai tutje, tha se do të vazhdohet edhe ditëve në vijim me këtë aksion dhe se vazhdimisht inspektorët e tregut dhe sanitar janë në vëzhgim e kontroll të afër të këtyre llojeve të bizneseve.

Ndryshe, aksione të tilla patën zhvilluar inspektoratet edhe në Komuna të tjera, e madje në kuadër të këtyre aksioneve ishin mbyllur edhe disa qendra masazhi.

Keqtrajtimi i të miturit në veri – Inspektorati rekomandon suspendim të pesë zyrtarëve policorë

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës më 18 maj të këtij viti, është njoftuar nga policia – Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut lidhur më një ankesë të një qytetari (i mitur) nga Leposaviqi.

Ai është ankuar për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga zyrtarët policorë, .

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të ankesës kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke dalë në vendin e ngjarjes dhe sigurimin e dëshmive të ndryshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale ”Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe ”Lëndimi i lehtë trupor” .

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Leposaviqit deri në përfundim të këtij hetimi penal.

 

Pas 6 muajve, kthehet në punë polici Karaxha pasi dyshohej se dha informata për djalin e shefit të AKI’së

Periskopi.com Lajme

Pas gjashtë muajve suspendimi pa të drejtë, është kthyer në vendin e tij të punës polici Afrim Karaxha. Periskopi merr vesh se drejtori i Policisë, Rashit Qalaj e kishte larguar përkohësisht nga puna, nën dyshimin se u kishte dhënë informacione mediave për rastin e drogës së djalit të shefit të KDI’së, Shpend Maxhuni. Këto konstatime kanë dalë të pasakta.

Periskopi ka mësuar se  Karaxha ishte suspenduar padrejtësisht me kërkesë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës pas hetimeve disa javore i kishte rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që të suspendojë këtë zyrtar policor për shkak të dyshimit se ka zbuluar informata të ndjeshme për media.

Polici në fjalë është pranë pensionit./PERISKOPI/

 

Inspeksioni mbyll pesë lokale masazhi në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Pesë qendra të masazhit janë mbyllur në kryeqytet nga ekipet e Inspekcionit.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Tahiri gjithashtu ka thënë se janë shqiptuar gjoba nga 1 mijë euro për këto qendra, dhe gjoba tjera për pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura.

“Ekipet e Inspekcionit sonte mbyllën 5 lokale të masazhit në Kryeqytet, për shkak të mungesës së pëlqimit sanitar. Gjoba nga 1,000 euro për të gjitha ato, gjoba të tjera për pirje të duhanit në hapësira të mbyllura, si dhe gjoba për mungesë të librezave sanitare në disa të tjera. Vërejtje: Drejtoria e Inspekcionit ka kompetencë vetëm për kontroll sanitar në këto lokale, e jo edhe për mbikëqyrjen e veprimtarisë së tyre”, ka shkruar Adonis Tahiri.

Gjatë ditës së sotme, gjoba janë shqiptuar edhe për taksitë ilegale në kryeqytet.

Inspektorati: Ende s’ka shpjegim për vdekjen e 22 vjeçarit në vendin e punës

Periskopi.com Lajme

Pas inspektimeve, Basri Ibrahimi ka thënë se nuk dihet akoma saktë se si ka ndodh aksidenti që çoi në vdekjen e të riut, Krenar Jemini, në vendin e punës.

Ka shtuar se inspektimet vazhdojnë dhe për pak ditë do të dalin me një raport për aksidentin.

Ndërsa, drejtori menaxhues i “Lab Oil”, Bislim Muqaj, ka thënë se 22-vjeçari kishte detyrën e kontrollimit teknik të makinerisë, duke shtuar se nuk dihet pse ishte futur nën makinerinë me shirit rrëshqitës derisa ishte duke punuar.

Ai tutje ka thënë se viktima kishte pasur pajisje mbrojtëse derisa ishte duke punuar.

Kur është pyetur përse s’kanë lejuar një ditë më parë të hyjnë inspektoratin e punës, ai është arsyetuar se nuk janë lajmëruar me kohë nga inspektorati, derisa ka thënë se nuk e konsideron se kanë penguar punën e inspektoratit.

Inspektorati me masa edhe më të ashpra për ata që s’i referohen Kosovës si shtet

Periskopi.com Lajme

Inspektorati i tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe Dogana e Kosovës kanë ashpëruar masat e kontrollit në zbatim të plotë të vendimit të ministrit Endrit Shala, për ndalimin e produkteve serbe që nuk i referohen Republikës së Kosovës si shtet.

Që nga hyrja në fuqi e vendimit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili ndalon shitjen e produkteve që nuk i referohen Kosovës si shtet, Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë, ka kërkuar largimin e këtyre produkteve, vlera që llogariten në mijëra euro. Këtë e konfirmoi për televizionin publik zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Elhami Ismajli. Sipas tij, Inspektorati deri më tani ka vepruar në Komunën e Mitrovicës, në Prizren, dhe do të jetë edhe në qytete të tjera përreth.

“Çdo informacion që na kanë dhënë apo çdo dyshim që kemi, Inspektorati është në teren për ta verifikuar gjendjen si është. Për veç kësaj, kemi koordinuar punët edhe më inspektoratin komunal, në mënyrë që të kemi qasje në sa më shumë vende, duke larguar nga tregu produktet që përmbajnë mbishkrime të tilla, që si referohen Kosovës shtet”, tha Ismajli.

Në zbatim të plotë të vendimit, është duke u marrë edhe Dogana e Kosovës. Zëdhënësi Adratik Stavileci thotë për Radio-Kosovën se kanë shtuar masat e kontrollimit të produkteve me origjinë nga Serbia.

“Pas arritjes së këtij vendimi, ne kemi rritur masën e kontrolleve te të gjitha këto produkte që vijnë nga Serbia. Edhe pas taksës 100 për qind që ka vendosur qeveria, tash për tash nuk janë duke ardhur produkte me origjinë nga Serbia”, tha Stavileci.

Vendimin në tërësi e mbështet edhe Ministria e Financave. Kështu thotë këshilltari në këtë ministri, Lulzim Rafuna.

“Dogana e Kosovës që është në kuadër të Ministrisë së Financave, mbi bazën e kërkesës së shkruar, të dërguar nga MTI, e zbaton atë urdhër. Ne edhe më herët të gjitha dokumentet e Doganës që na kanë ardhur, ne ato raste ku ka pas shenja të ndryshme si UNMIK, 1244, ne i kemi refuzuar dhe nuk i kemi pranuar. Kjo është çështja që i takon MTI dhe ne do ta zbatojmë të plotë vendimin”, tha Rafuna.

Inspektorati i Tregut në MTI, përbëhet nga 33 inspektorë, prej tyre 11 janë të komunitetit serb. Ditë më parë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka lëshuar një urdhëresë në vazhdën e zbatimit të politikave që fuqizojnë Republikën e Kosovës, duke urdhëruar që ta ndalojë shitjen e produkteve serbe si dhe hyrjen e tyre në Kosovë, të cilat mbajnë mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohia”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”.

Fillon shqiptimi i gjobave për ndotje të ambientit në komunën e Malishevës

Periskopi.com Lajme

Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës, ka filluar zbatimi i udhëzimit administrativ 06/2018, për ndëshkime me gjoba mandatore për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas drejtorisë së inspektoratit ky udhëzim ka filluar të zbatohet më datë 13/11/2018, ku edhe është shqiptuar gjoba e parë.

Drejtori i Inspekcionin në Malishevë, Dibran Kastrati,tha se

“Inspektorët e ambientit do vazhdojnë me inspektime në teren dhe të gjithë ata qytetarë të cilët në forma të ndryshme dëmtojnë ambientin do ti ndjekim procedurat ligjore”.

Gjoba e parë është shqiptuar për një person, i cili është kapur duke djegur mbeturinat në sipërfaqe publike në natyrë.

Ndërmarrjet ndërtimore nuk pajtohen me vendimet e Inspektoratit se në çdo vend punishte të ketë skele

Periskopi.com Lajme

Në mbledhjen e cila është duke u mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës në mes Kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimi dhe përfaqësuesve të shoqatave së Ndërmarrjeve të Ndërtimore dhe Prodhueseve të Materialeve Ndërtimore është duke u zhvilluar një debat në mes të dy grupe.

Ata nuk janë duke rënë dakord për veprimet të cilat janë marr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Inspektorati i Punës se në çdo vend ku ka objekte që janë duke u ndërtuar të ketë skele.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka akuzuar përfaqësuesit e ndërmarrjeve ndërtimore për gjendjen e cila është krijuar në sektorin e ndërtimtarisë duke e parë që vetëm brenda 10 muajve kanë humbur jetën 10 persona.

Ibrahimi thotë se këtë vit kemi pas shtatë raste të rënies së punëtorëve nga lartësia, e sipas tij kjo është me fajin e punëdhënësve pasi që ata nuk kanë marrë asnjë masë mbrojtëse për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.

“Këtë vit kemi shtatë raste prej lartësisë nga lartë. Mirëpo situatat nuk janë duke u përmirësuar. Dhe pas kësaj kemi filluar të marrim disa veprime. Mirëpo ju keni marr raste vetëm sa për t’iu thënë inspektorit se janë ndërmarr masat e nevojshme. Kjo është një mashtrim i madh prandaj kjo është shumë e keqe nga ana e juaj e po ashtu edhe skelet është parë që askush nuk i ka vendosur. Sepse ne kemi parashikuar se e vetmja kjo është e vetmja mundësi që t’i mbrojmë shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve”, ka thënë Ibrahimi.

Tutje Ibrahimi ka vazhduar akuzat ndaj përfaqësuesve të ndërmarrjeve të ndërtimore duke thënë se ata nuk kanë marrë asnjë veprim, duke mos vendosur as rryp sigurimi.

“Me këtë rast ne s’kemi vendosur të shqiptojmë gjoba por t’i mbyllim ato. Ju këta asnjë nuk e keni bërë nuk e keni vendosur rrypin e sigurisë. Për mos me i ble një parë këpucë, ata punojnë me atlete dhe në ato pjesë dihet se ka ndonjë gëzhojë dhe aty rrezikohet jeta e tyre. Fati i mirë i juve që punëtorët nuk kanë vazhduar procese gjyqësore. Të gjitha këto ja ë shkaku i juve. Çdo lëndim në vendin e punës është përgjegjësi e imja”, ka thënë tutje Ibrahimi.

Ndërsa të gjitha këto i ka kundërshtuar, Faton Hoxha përfaqësues nga Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore, duke thënë se veprimi të cilin e kanë marr ata për vendosje të skeleve është një vendim shumë rigoroz.

“Kërkesa e fundit skelja nuk është e vetmja mas që me i pështjellë të gjithë objektin. Mirëpo ka edhe masa tjera. Asnjëherë nuk ka pas kësi lloj kërkese, nuk po dojmë të kundërshtojmë aksionin e juaj mirëpo masa e juaj e juaj është radikale dhe nuk mundem me mbyll vend punishte vetëm ad hok. Jemi të vetëdijshëm që kemi shumë raste të vdekjeve, mirëpo skelet si masë dhe vendimet që i keni pru nuk ka aq metër katror të mjaftueshme në Kosovë për ta rrethuar objektin, jepni një kohë të caktuar për t’i”, ka thënë Hoxha.

Inspektorati i Punës kthen në punë mjekun e suspenduar nga QKUK

Periskopi.com Lajme

Mjeku Gani Bajraktari do të kthehet për të punuar në QKUK, kjo pasi Inspektorati i Punës ka vërtetuar se ai ishte suspenduar pa të drejtë.

Ai ka publikuar vendimin e Inspektoratit të Punës, i cili konfirmon se duhet të anulohen vendimet e Komisionit të Ankesave dhe atij Disiplinor, kurse Bajraktari të rimbursohet për mjetet e ndaluara, dhe të kthehet në punë në QKUK, transmeton Koha.net.

Në një postim të tij në Facebook Bajraktari ka shkruar:

Të dashur miq,

Inspektorati i Punës, vërtetoj katërcipërisht atë që unë e pata shkruar para 2 muajsh lidhur me montimin me motive hakmarrëse primitive, të qëllimshme, me vetëdije e paramendim, mirë të planifikuar te suspendimit tim, duke shkelur të gjitha procedurat ligjore e rregullorët në fuqi, me një qëllim të vetëm: hakmarrjen ndaj meje!

Akterëve, të cilët kanë vënë firma në krejt këtë marifetllëk unë siç e dini u kam bërë kallëzim në penal në Prokurori dhe ata do të përballen me drejtësinë. Do të jam këmbëngulës në dënimin e tyre meritor, pavarësisht faktit se ata dëshironin apo nuk dëshironin (ishin të detyruar) të përbaltnin personalitetin tim.

Vendimi per suspendimin tim të përkohshëm nga puna mund të këtë dëmtuar seriozisht shëndetin e pacientëve të mi, shumica e të cilëve nuk kanë pranuar të vizitohen tek kolegët e mi të respektuar, për faktin se ata jane mesuar te vizitohen me dekada tek unë në QKUK. Më vjen shumë keq që disa prej tyre janë detyruar (për shkak të Vendimit të montuar të suspendimit tim) të vijnë në sektorin privat, duke shpenzuar (pa asnjë arsye) para nga xhepi i tyre i varfës, për teket e urdhërdhënësit të Vendimit tashmë të anuluar.

Ju falenderoj per perkrahjen e gjere e te pakursyeshme, tuajen!

P.S. Në koment do të postoj vendimin meritor të Inspektoratit të Punës për anulimin e Vendimeve Skandaloze të QKUK-së. (Gani Bajraktari)

 

Inspektorati i Policisë përmbyll hetimet: Policët nuk kishin faj në vrajsen e Valbona Markut

Periskopi.com Lajme

Inspektorati i Policisë së Kosovës sipas hetimeve të bëra për ndaj policive të cilët u marën me rastin e vrasjes së Valbona Markut nuk ka gjetur ndonjë shkelje ligjore.

Sipas një komunikate për media thuhet se në bazë të hetimeve dhe dokumentacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës nuk ka elemente të ndonjë veprimi të kundëligjshëm.

“Këto të gjetura që hetuesit e IPK-së i kanë identifikuar si rezultat i veprimeve hetimore dhe dokumentacioneve të siguruara nga Policia e Kosovës i janë prezantuar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe i njëjti ka potencuar se tani për tani nuk kemi element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës”, thuhet në komunikatë.

“Për gjitha këto veprime të ndërmarra nga zyrtarët policorë, të njëjtit kanë informuar po atë ditë prokuroren kujdestare të PTH-Gjakovë, ku nga prokurorja kujdestare nuk është kërkuar ndonjë veprim shtesë lidhur me këtë rast”, thuhet ndër tjera.

Sipas Inspektorati Policor i Kosovës më datë 08.08.2018, sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimin preliminar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë” e cili ka ndodhur në fshatin Brekoc – Gjakovë.

Hetuesit e IPK-së në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të ndryshme hetimore në konsultim me prokurorin kompetent për të vlerësuar reagimet policore dhe rrethanat e rastit të cilat janë të përmbledhura si më poshtë:

Me datën 07.08.2018, në orët e pasdites viktima V. M. Ndrecaj së bashku me vëllanë e saj kishte kontaktuar Policinë e Kosovës respektivisht zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Gjakovës duke potencuar para hetuesve se kishte pranuar disa mesazhe elektronike ( ku pos mesazhit kërcënues kishte edhe mesazhe me përmbajtje të lutjes për t’u kthyer viktima në familje) nga i dyshuari P.Ndrecaj (bashkëshorti i saj). I dyshuari në datën e njëjtë  kishte shkuar te shtëpia e prindërve të viktimës së bashku me disa të afërm të tij dhe  kishte kërkuar nga e njëjta që të kthehet te shtëpia e tij në fshatin Bitesh.

Pas intervistimit  të viktimës nga hetuesit policorë, të njëjtit janë konsultuar me prokuroren kujdestare dhe kanë iniciuar rastin “Kanosje” ndaj të dyshuarit P.Ndrecaj. Pas hapjes së rastit, hetuesit e stacionit policor në Gjakovë kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve operative, ku fillimisht kishin shkuar në fshatin Bitesh tek shtëpia e të dyshuarit me qëllim të shoqërimit të tij në polici për ta intervistuar lidhur me rastin “Kanosje”. Pasi hetuesit e Stacionit Policor në Gjakovë të dyshuarin nuk e kishin hasur në shtëpinë e tij, të njëjtin janë munduar që ta kontaktojnë nëpërmjet telefonit, por i dyshuari nuk ishte përgjigjur në telefon.

Duke ju referuar shkresave të rastit nga Policia e Kosovës është vërtetuar se viktima as në datën kritike nuk kishte kërkuar mbrojtje nga ana e zyrtarëve policorë.

E gjithë kjo përpjekje e zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjakovë për ta hasur dhe kontaktuar të dyshuarin P.Ndrecaj ka vazhduar deri pas orës 18:30 të datës 07.08.2018.

Sipas të gjeturave rezulton se tani për tani nuk ka element të ndonjë veprimi apo mosveprimi të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policor nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës.

IPK-ja në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do ti vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mos veprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Prevalla është shndërruar në katrahurë

Periskopi.com Lajme

Prevalla, një vend me natyrë të mrekullueshme dhe e vërtetuar për efekte shëruese, është kthyer në një katrahurë, raporton KTV.

Aty janë vendosur lodra të ndryshme me qëllim të përfitimit nga vizitorët kryesisht nxënës që vijnë për vizitë.

Veç kësaj, këtij peizazhi bukurinë po ia humb edhe vendosja e këtyre kamp-shtëpizave.

Tashmë afati kur është dashur vetë pronarët t’i largojnë këto kamp-shtëpiza ka kaluar. Drejtori i kësaj Agjencie, Bajram Kafexholli, ka thënë se javën e ardhshme bashkë me Inspektoratin, do të dalin në teren për t’i larguar ato.

Gjatë qëndrimit të ekipit të KTV-së asnjë nga pronarët nuk ka qenë në këto kamp-shtëpiza. Pavarësisht kësaj, disa vizitorëve nga Dubai nuk po iu pengon kjo pamje jo edhe aq e mirë.Sidoqoftë, lëndët kundër pronarëve të këtyre kamp-shtëpizave do të paraqiten në gjykatë, ndërsa do të detyrohen që t’i kryejnë edhe shpenzimet e nevojshme.