Rrëshqitja e dheut në Prishtinë, Inspeksioni gjobit kompaninë

Periskopi.com Lajme

Në rrugën “Bedri Gjini” në Prishtinë ka rrëshqitur dheu dhe ka pasur rrjedhje të ujit. Kjo ka ndodhur afër një objekti i cili është duke u ndërtuar, ndërkaq si pasojë veturat që kanë qenë të parkuara kanë rënë në hendek.

Për këtë, Inspeksioni ka gjobitur kompaninë e cila duket se nuk ka respektuar lejen ndërtimore.

E lidhur me rrëshqitjen e dheut ka reaguar drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Adonis Tahiri.

Tahiri ka shkruar në Facebook se bëhet fjalë për mosrespektim të lejes ndërtimore, e për këtë inspektorët e kanë gjobitur kompaninë.

“Pala në këtë rast nuk e ka respektuar lejen ndërtimore, sepse ende nuk e ka ndërtuar murin mbrojtës. Si rrjedhojë, Inspektori kujdestar nga Sektori i Ndërtimit e ka obliguar që t’i ndërpresë të gjitha punimet, si dhe e ka shqiptuar gjobën në vlerë 500 euro. Inspektori kujdestar i Sektorit të Rendit Komunal e ka shqiptuar gjobën tjetër për dëmtim të rrugës, gjithashtu 500 euro, si dhe e ka urdhëruar palën që menjëherë ta rikthejë terrenin në gjendjen e mëparshme”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

 

Ministri Shala urdhëresë për Inspektoratin, obligon kontrollin e hoteleve në të gjithë Kosovën

Periskopi.com Lajme

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka lëshuar një urdhëresë që obligon Inspektoratin e ministrisë dhe inspektoratet komunale, të bëjnë inspektime nëpër motele duke kontrolluar për mundësin e mashtrimit të konsumatorit.

Shala ka thënë se kjo është duke u bërë në vazhdën e mbrojtjes së konsumatorit. “Kam urdhëruar Inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë që në koordinim të ngushtë me ato inspektoratet komunale që të marrin një aksion për inspektimin dhe verifikimin e të gjitha dokumenteve si dhe higjienës të secilit motel që operon në Republikën e Kosovës. Këtë aksion është duke e mbështetur edhe Policia e Kosovës. Ne jemi të përkushtuar që të gjitha shërbimet që ofrohen në Kosovë të kenë cilësi në mënyrë që të mbrohet konsumatori dhe të eliminohem mundësia për mashtrim. Kjo urdhëresë është në vazhdën e punës që jemi duke e bërë në mbrojtje të konsumatorit dhe për të vendosur rend dhe rregull”, ka thënë ministri Shala. Në këtë aksion është duke asistuar edhe Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore. Ndryshe në urdhëresë obligohen të gjitha inspektoratet që të ndërmarrin veprime kontrolli për të gjitha motelet.