Instalacion dhe marsh për ata që mungojnë

Periskopi.com Lajme

Kanë kaluar 20 vite nga lufta e fundit në Kosovë ndërsa çështja e mbi 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur dhe familjarët e të pagjeturve dhe shoqëria kosovare vazhdojnë të përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Neglizhenca institucionale 20 vjeçare drejt çështjes së pagjeturve ka lënë në pritje dhe ankth të përditshëm mbi 1000 familje kosovare.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut sot ka ftuar qytetarët që t’ju bashkohen në ekspozimin e instalacionit te New Born dhe në marshin e dytë në Kosovë për personat e pagjetur për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat, pa dallim etnie.

“Është përgjegjësi e secilit prej nesh që të ngrisë zërin për personat e pagjetur dhe familjarët e tyre. E vërteta dhe drejtësia për personat e pagjetur duhet të vihet në vend. Shoqëria kosovare nuk do të mund të arrijë pajtim dhe paqe të qëndrueshme pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur”, thuhet në njoftim.

Marshi do të fillojë te monumenti New Born ku do të ekspozohet një instalacion. Pastaj, do të marshojmë përgjatë shesheve kryesore në Prishtinë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Secili pjesëmarrës i marshit do të mbajë një pankartë me emrin e një personi të pagjetur. Pankartat do të ofrohen nga aktivistët e YIHR KS afër monumentit New Born.

​Instilacioni që u bën jehonë suksesit të grave kosovare

Periskopi.com Lajme

Sot në Prishtinë bëhet përurimi i instilacionit “Reclamation” apo në shqip “Rimarrje” në monumentin Newborn, si një instilacioni që u bën jehonë suksesit të grave në Kosovë.

“Rimarrje” është një seri interaktive portretesh, që feston forcën, këmbënguljen dhe kontributin e grave nga gjenerata dhe etni të ndryshme, duke punuar në sektorë të ndryshëm për drejtësi, barazi dhe për të vërtetën.

Instilacioni që shfaqë portretet e 99 grave do të vendoset në Newborn nga data 7 deri më 14 qershor.

Fjalimi i hapjes do të mbahet nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Gjatë gjithë historisë, tregimet dhe përvojat e grave anembanë globit janë shtypur në mënyrë aktive si rezultat i turpit, stigmës dhe frikës të kultivuar nga strukturat patriarkale nën të cilat pabarazitë gjinore vazhdojnë. 20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë në Kosovë po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, atlete, artiste, aktiviste e tregimtare”, thuhet në deklaratën e organizatorëve.