Institucionet financiare ndërkombëtare tërhiqen nga financimi i TC ‘Kosova e Re’

Periskopi.com Lajme

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në momentin që është tërhequr Banka Botërore nga financimi i termocentralit ‘Kosova e Re’, janë tërhequr edhe institucionet ndërkombëtare financiare prej idesë së financimit të projekteve me thëngjill.

Kjo deklaratë e ministrit Lluka ka ardhur pas lajmit që edhe Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZh) pas Bankës Botërore e ka konfirmuar se nuk është duke shqyrtuar mbështetjen e termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Në momentin që është tërhequr Banka Botërore, institucionet ndërkombëtare financiare tërhiqen prej idesë së financimit të projekteve me thëngjill. Nga ana tjetër Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim normalisht që edhe më herët ka qenë duke e shqyrtuar rastin për mos financimin e projekteve me thëngjill, kështu që si i tillë i bie që edhe këtë projekt, domethënë është pritë në fillim (që kanë me financu) mandej e kemi parë që edhe BERZh nuk e përkrah. Sfida kryesore ka qenë Banka Botërore se Banka Europiane veç është lajm i vjetër”, ka deklaruar Lluka për kallxo.com.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim kishte deklaruar që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtërishme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit me 1.3 miliard euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që u zhvilluan në muajin tetor në Bali të Indonezisë.

Dajana Berisha nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka thënë për KALLXO.com se beteja kundër ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ do të vazhdojë edhe më tutje.

“Si KOSID, ne do të vazhdojmë betejën tonë. Nëse mbërritëm të bindim Bankën Botërore, institucionin më të fuqishëm financiar në botë për financimin e projekteve zhvillimore të mirëfillta jam e sigurt që betejat tona veç do të forcohen akoma më shumë dhe aftësitë tona si Konzorcium i organizatave joqeveritare tashmë janë pothuajse mjaft të forta, ekspertiza jonë është shumë e fortë se e gjithë ministrisë dhe gjithë qeverisë që ekziston në Kosovë”, ka thënë Berisha.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliard euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të këtij viti, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume tashmë kanë hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për inxhinierim, projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje për projektin e termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga “Contour Global”. Rezultatet dhe vendimin e ‘Contour Global’ e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Gjatë fazës së parakualifikimit kanë aplikuar gjashtë kompani, mirëpo pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre janë parakualifikuar, të cilat i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet guri i themelit të termocentralit “Kosova e Re”.