Përfitoi 688 mijë franga si invalide e rreme në Zvicër, kosovarja dënohet me 4 vjet e gjysmë burgim

Periskopi.com Lajme

Gjykata e Qarkut Rheintal, në Zvicër, ka dënuar kosovaren M. F. me 4 vjet e gjysmë ose 54 muaj burgim për veprën penale abuzim me pensionin e invaliditetit. I akuzuari tjetër, bashkëshorti i saj, A. F. është dënuar 24 muaj burgim por me kusht.

Po këto dënime i kishte kërkuar edhe prokuroria, për të dytë.

Gjykata ka konstatuar se kosovarja 49- vjeçare, që nga shkurti i vitit 2003 ka simuluar, duke u paraqitur si e paaftë për punë dhe ka marrë pensionin e invaliditetit, shkruan blick.ch.

Gjithçka ka ecur mirë derisa në vitin 2014 enti social i St. Gallenit nuk ka marrë një informacion anonim, lidhur me abuzimin dhe ka filluar observimin e rastit.

Në aktakuzë, prokuroria flet për gjithsej 688 mijë franga që çifti i ka zhvatur nga sigurimet sociale, përfshirë këtu edhe të hollat në emër të bashkëshortit dhe të fëmijëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas akuzës, gruaja e paraqitur si invalide, paralelisht me pensionin përkatës, ka fituar para edhe nga firma e vogël e sigurimeve që ishte e regjistruar me emrin e bashkëshortit të saj.

Informacioni anonim fliste se kosovarja që konsiderohej invalide, ngiste makinën, bartte gjësende të rënda dhe ishte e angazhuar si punëtore sigurimesh, transmeton albinfo.ch. Të gjitha këto punë ishin në kundërshtim me dosjen e saj mjekësore, sipas së cilës ajo, pas një aksidenti të pësuar në shtator të vitit 2001, ishte e paaftë për punë në shkallën 100 për qind.

Para gjykatës, 49- vjeçarja ka deklaruar veten të pafajshme. “Këto akuza janë shumë të rënda. Unë me siguri nuk jam duke simuluar”, ka thënë ajo, duke shtuar se është e sëmurë rëndë: kishte dhembje koke, kurriz, qafë, në gjithë trupin. Diagnoza e saj për vetveten është: “Unë nuk mund të punoj”.

Por trupi gjykues ka tjetër qëndrim rreth kësaj. “Sjellja juaj duhet kualifikuar si tepër e pacipë!”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, përcjell albinfo.ch. Gjykata është shprehur para së gjithash e shokuar me deklarimet e gruas, të incizuara gjatë përgjimit të telefonatave, të lejuara me vendim gjyqësor.

Duke qenë se dy bashkëshortët pas fillimit të hetimeve kundër tyre kanë falimentuar me mashtrim ndërmarrjen e tyre të sigurimeve dhe paratë i kanë bartur në Kosovë, ata ligjërisht do të duhej të dëboheshin detyrimisht nga Zvicra. Por, ata mund t`i shpëtojnë këtij dënimi për një arsye të thjeshtë: neni përkatës ligjor që mundëson një gjë të tillë, ka hyrë në fuqi vetëm në tetor 2016 ndërsa pjesa më e madhe e veprimeve të kundërligjshme ka ndodhur para kësaj date. Por, një tërheqje eventuale e lejes së qëndrimit në Zvicër është ende e mundur.

Sidoqoftë, çiftit kosovar edhe kështu do ti duhet të paguajë shuma të mëdha në emër të zhdëmtimit: Gruaja, si e fajësuar kryesore duhet tia paguajë shtetit 577 mijë franga ndërsa bashkëshorti i saj, 100.000 franga, transmeton albinfo.ch. Për më tepër, bllokimi i regjistrit të tokës do të mbahet në fuqi, në mënyrë që shtëpia e të dyve në Berneck SG një ditë të mund të vihet në procedurë përmbarimi (të merret nga shteti në emër të nxjerrjes së borxheve).

Vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm.

 

 

Pritet të suspendohen 94 zyrtarë policorë ‘invalidë’

Periskopi.com Lajme

Dhjetëra mijëra punëtorë, pronarë të tokave e kreditorë, do të vazhdojnë të pësojnë me Projektligjin e ri mbi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nëse miratohet në formën që është dërguar në Kuvend nga ana e Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo, pasi lëndët e tyre do të vazhdojnë të trajtohen vetëm në kuadër të Dhomës së Posaçme, duke mos dhënë mundësi që ankesa e tyre të trajtohet në Gjykatën Supreme, ashtu siç u mundësohet atyre që lëndët trajtohen në gjykatat themelore.

Avokati Bjetush Isufi, i cili ka 10 vjet që merret me problemet e privatizimit, ka thënë se ligji si i tillë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, ai rrënon parimet e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe duke mos siguruar standardet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që kanë të bëjnë me gjykim të drejtë, të paanshëm dhe kërkesën për mjete të efektshme juridike.