“Haradinaj është ish-kryeministër tashmë, s’ka pse shkon në atë zyrë më”

Periskopi.com Lajme

Ramush Haradinaj është ish-kryeministër dhe nuk do të duhej të shkonte në zyrën e dedikuar për kryeministrin e Kosovës e aq më pak të marrë ndonjë veprim.

Kështu tha analisti politik Artan Muhaxhiri, i cili në një prononcim për Kohën tha se dorëheqja e tij ishte akt i vullnetshëm politik.

“Konsideroj se Harandinaj duhet të cilësohet si ish-kryeministër. Në momentin kur një kryeministër jep dorëheqje – aq më tepër kur edhe zyrtarisht e njofton presidentin – ai/ajo duhet me automatizëm të largohet nga zyra pasi më nuk ka asnjë të drejtë të ndërlidhet me postin. Dorëheqja është akt i vullnetshëm politik, sepse personi që e jep nuk dëshiron ta vazhdojë statusin aktual dhe për këtë arsye duhet të hyjë në fuqi në çastin që publikohet”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri vlerëson gjithashtu se Haradinaj, tashmë as nuk do të duhej të shkonte në Kryeministri. Kujtojmë se edhe Neni 95 pika 5 e Kushtetutës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria që udhëheq ai ose ajo, rrëzohet e tëra.

“Pra, z. Haradinaj, ish-kryeministri, nuk ka dëshiruar të jetë edhe më tej në atë post, prandaj nuk do të duhej të shkonte në zyrën e dedikuar për Kryeministrin e Kosovës e as të bënte ndonjë veprim nga perspektiva e atij pushteti”, tha tutje Muhaxhiri.