​Hoxhaj: Kurtit s’i intereson e ardhmja e Kosovës, por vetëm e ardhmja e tij politike

Periskopi.com Lajme

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka deklaruar se reciprociteti i plotë me Serbinë arrihet përmes koordinimit me aleatët, me në krye SHBA-të dhe jo përmes veprimeve “klandestine” duke aktruar dhe bërë spektakle në mesnatë siç veproi qeveria në ikje Kurti.

Në një postim në Facebook, nënkryetari PDK-së shkruan se reciprociteti i plotë dhe njohja reciproke do të arrihet në koordinim dhe përkrahje të SHBA-ve dhe BE-së, ashtu siç është shpallur pavarësia e Kosovës.

“Arritjet tona, janë sukses i përbashkët me aleatët, andaj edhe duhet që të sillemi partner serioz dhe jo si mashtrues. Nga premtimi para një jave për gatishmërinë e rifillimit sa më të shpejt të dialogut, kryeministri u kthye mbrëmë në mesnatë në njeriun që nuk i intereson e ardhmja e Kosovës por vetëm e ardhmja e tij personale politike”, ka thënë Hoxhaj.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

Kosova është shtet i pavarur dhe i barabartë në rajon, duke ju falënderuar ndihmës dhe bashkëpunimit të sinqertë dhe konstruktiv me miqtë ndërkombetarë.

Arritjet tona, janë sukses i përbashkët me aleatët, andaj edhe duhet që të sillemi partner serioz dhe jo si mashtrues. Nga premtimi para një jave për gatishmërinë e rifillimit sa më të shpejt të dialogut, kryeministri u kthye mbrëmë në mesnatë në njeriun që nuk i intereson e ardhmja e Kosovës por vetëm e ardhmja e tij personale politike.

Dialogu duhet të jetë përgjegjësia e secilës qeveri. Përmes tij kemi arritur që në koordinim dhe me mbështetje të plotë ndërkombetare, ta shtrijmë sovranitetin në veri dhe zbatimin e masave reciproke ndaj Serbisë.

Edhe reciprociteti i plotë dhe njohja e ndërsjellë do të arrijë në koordinim dhe përkrahje të SHBA-ve dhe BE-së, ashtu siç e kemi shpallur Pavarësinë, formuar ushtrinë dhe siguruar njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare.