Veseli falënderon ish-ministrin e Trumpit: Mbështetja juaj flet shumë, korrupsionin e luftojmë bashkë me Amerikën

Periskopi.com Lajme

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ish Kreu i Drejtësisë së Administratës Trump, Matthew Whitaker, kanë mbajtur një tubim me mijëra qytetarë në Gjilan.

“Falemnderit, Matt! Mbështetja dhe prania juaj sot këtu me ne është shumë domethënëse. Ashtu siç është frymëzues edhe ky entuziazëm këtu në Gjilan dhe në tërë Kosovën për fitoren tonë, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se Amerika ishte gjithmonë në anën tonë, në kohë të vështira të luftës dhe në momente historike të pavarësisë.

“Amerika ishte gjithmonë këtu! Duke ecur krah për krah me ne. Duke na ndihmuar në rrugëtimin tonë. Dhe sot, presidenti Donald Tramp, është një mik i vërtetë i Kosovës. Raporti mes Kosovës dhe Amerikës është më shumë sesa një lidhje mes dy shteteve të zakonshme. Është raport mes dy idealeve dhe dy vlerave të jashtëzakonshme. Amerika është një fuqi e bazuar në liri dhe demokraci dhe ne kemi vlera të përbashkëta me të. Për këtë arsye, Amerika do të na mbështesë dhe do të qëndrojë pranë nesh. Dhe ne duhet ta ruajmë këtë miqësi e partneritet! Ne nuk duhet të bëjmë asgjë që do ta rrezikonte aleancën më të rëndësishme strategjike në historinë e Kosovës. Prandaj, këto janë zgjedhje kritike për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Veseli.

Më 6 tetor, Veseli ka thënë se qytetarët duhet të zgjedhin midis një Qeverie që e udhëheq PDK-ja, e cila do ta forcojë partneritetin me Amerikën dhe Bashkimin Europian, dhe së bashku me ta – do ta fitojmë luftën kundër korrupsionit, do ta zhvillojmë ekonominë, do t’i mbajmë të rinjtë këtu dhe të ofrojmë shpresë dhe një të ardhme.

Ose, për alternativen tjetër, ai ka thënë se është një koalicioni të izolimit, korrupsionit dhe përçarjes.

“Para nesh qëndron një moment kthese historike. Për t’u dhënë fund dilemave, ndarjeve dhe për t’i dhënë udhë shpresës, bashkimit, të ardhmes. Dhe 6 tetori është shans që nuk guxon të humbet! Me mua Kryeministër, Kosova nuk do t’ia mbyllë derën miqve tanë perëndimorë. Por, do të punojë edhe më fuqishëm me ta, për të mirën e Kosovës, për të mirën e partneritetit. Amerika është aleati ynë më i fortë. Është mbrojtësi dhe mbështetësi ynë më i madh. Amerika është e shenjtë për ne! Dhe e ardhmja e Kosovës do të jetë më e mirë dhe më e sigurt me një mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veseli.