Profesori i Telekomunikacionit: Do ta zbërthej si u rrënua PTK’ja nga krimi i organizuar

Periskopi.com Lajme

Profesori i Telekomunikacionit, Ismet Hamiti, të hënën, në orën 9.30, në cilësinë e dëshmitarit do të rrëfejë se si është Telekomi i Kosovës është shkatërruar, plaçkitur nga një strukturë e organizuar kriminale e lidhur me njerëzit e pushtetit.

Hamiti, në një bisedë për Express, ka thënë se do të jetë dëshmitarë në rastin gjyqësor të ish-Kryeshefit të Telekomit, Ejup Qerimit dhe të tjerëve që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ai ka thënë se vepra për të cilën ngarkohen të akuzuarit është shumë më e vogël krahasuar me krimin që është bërë në Telekom. Ka parashikuar se kjo akuzë ndaj ish-udhëheqësve të kompanisë, dikur më profitabile në Kosovë, është bërë për t’i shpallë të pafajshëm.

“Prokuroria nuk kanë treguar interes për të hetuar këtë rast në tërësinë e tij. Vetëm fragmente dhe gjëra episodike e një krimi të organizuar.  Një shembull shkollor i krimit të organizuar. Ky krim përfshinë një numër i madh individësh”, ka thënë Hamiti.

“Krimi duhet të hetohet në tërësinë e tij”, ka propozuar ai.

Para dhjetë muajsh, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit, Rexhe Gjonbalajt lidhur me marrëveshjen PTK- ZMobile.

Në aktakuzë përshkruhen veprimet që kishte ndërmarrë ish-kryeshefi Ekzekutiv Ejup Qerimi.

Sipas aktakuzës, Ejup Qerimi, gjatë kohës sa ka qenë kryeshef ekzekutiv i PTK-së (2012-2014) nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare me qëllim që t`i shkaktoj dëm të dëmtuarës “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), duke mos e zbatuar kontratën e janarit 2009.

“Për çka ka ardhur deri te vonesa në liferimin e sim-kartelave, nuk ka furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i ka dhënë shërbimet 3G dhe 4G, të dëmtuarës Kompanisë “DARDAFON.net L.L.C” (Z-Mobile), përkundër faktit se lidhur me kontratën e lartshënuar nga Prokuroria Speciale e Eulex-it ishte ngritur aktakuza kundër pesë të akuzuarve për disa vepra penale, ndër të tjera edhe për lidhjen e kontratave të dëmshme”.

Profesori Ismet Hamiti thotë se gjithë këto akuza që rëndojnë mbi ish zyrtarët e PTK’së lidhjet çojnë te politika.

“Nuk duhet të bëhet defilimi për dy tre persona. Në qoftë se doni të bëni drejtësi duhet të pyesni këta persona. E kanë shkelur kontratën pse iu ka thënë dikush. Këta kanë krye detyra të krimit”, ka thënë Hamiti, i cili kishte prezantuar disa herë fakte për shkatërrimin e PTK’së.

Ai ka thënë se rasti i PTK’së është shembull shkollor i krimit të organizuar i lidhur me strukturat e pushtetit, politikës dhe krimit.

Për Telekomin është themeluar edhe një Komision Hetimor Parlamentar, i cili po heton gjithë cka ka ndodhur me këtë ndërmarrje publike e cila është buzë falimentimit.

Deri më tash janë publikuar dhjetëra kontrata të dëmshme ku të përfshirë janë politikanë e grupe interesi.