Veç tre lojtarë të Francës bëjnë sa i gjithë ekipi i Kroacisë (Foto)

Periskopi.com Botërori 2018

Të dielën do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës mes Francës dhe Kroacisë, prej orës 17:00 në Luzhniki Stadium të Moskës.

Marrë parasysh vlerën e ekipeve në tregun e transferimeve, pritet një fitore e lehtë e francezëve, të cilët së bashku e arrijnë vlerën e 1 miliard e 80 milionë Eurove, ndërkohë që kroatët në treg peshojnë vetëm 364 milionë, shkruan Periskopi.

Lojtari më i vlefshëm francez është Kylian Mbappe i Paris Saint Germain që vlerësohet 120 milionë, për të cilin para disa javësh klubi i tij e kompletoi transferin për 180 milionë Euro nga Monaco. Pas tij, renditen Antoine Griezmann me 100 dhe Paul Pogba me 80. Vlera e përgjithshme e vetëm këtyre futbollistëve e arrin shifrën e 300 milionëve, afër shumës së përgjithshme sa vlen kombëtarja e Kroacisë.

Te Kroacia më i vlefshmi është Ivan Rakitiq që vlen 50 milionë, Ivan Perishiq me 40 milionë.

Sidoqoftë, kroatët mund të përmbysin këtë statistikë përmes shpirtit luftarak dhe përvojës më të madhe të lojtarëve. Mosha mesatare e kroatëve është 28, ndërkohë që e francezëve vetëm 26,1. /Periskopi