Futet në izolim të plotë fshati Bibaj i Ferizajt pas konfirmimit të rastit me koronavirus

Periskopi.com Lajme

Katër raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Kosovë, duke bërë që numri i të prekurve në vendin tonë të arrijë në 28.

Një rast, siç ka konfirmuar IKSHP vjen nga fshati Bibaj i Ferizajt, teksa dy raste janë nga Prishtina e një nga Gjakova, shkruan lajmi.net.

E fshati Bibaj tashmë është në karantinë. Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi nga komuna e Ferizajt.

Ata kanë thënë se ky fshat tashmë është në izolim të plotë, teksa i njëjti rast është duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Njoftimi i plotë nga komuna e Ferizajt:

Një ferizajas i infektuar me CoronaVirus, ta ruajmë qetësinë, izolohet Bibaj

Nga njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një qytetar nga Ferizaj, me vendbanim në fshatin Bibaj, i moshës 32 vjeçe i ardhur nga Gjermania, është konfirmuar i prekur nga virusi COVID-19 apo i njohur si CoronaVirus-i.

Nga burimet tona,rasti po trajtohet në Klinikën Infektive të QKUK-së. Tashmë fshati Bibaj është vendosur në karantinë, në izolim të plotë andaj ftojmë qytetarët që të ruajnë qetësinë por njëkohësisht të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për t’iu shmangur përhapjes më të madhe të këtij virusi.

Spitali i Durrësit shndërrohet në karantinë, izolohen 23 mjekë dhe 16 infermierë

Periskopi.com Lajme

E moshuara që ndërroi jetë sot në Spitalin e Durrësit ndodhej prej 7 ditësh e shtruar, mirëpo vetëm ditën e djeshme u konfirmua se ajo ishte prekur nga koronavirusi.

Frika është se ajo mund ta ketë transmetuar virusin vdekjeprurës edhe te shumë mjekë, infermierë e pacientë tjerë në spital.

 

 

Raportohet se viktima me koronavirus ka pasur kontakt me 23 mjekë dhe 16 infermierë, tashmë të izoluar.

Të gjithë këtyre punonjësve të spitalit iu janë marrë mostrat dhe po kryhen analizat për koronavirus pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Gjithashtu, 75-vjeçarja mësohet se ka qëndruar për disa orë në Urgjencë, ku ka bërë vizitat, dhe më pas i janë bërë letrat për shtrim.

Kusari Lila: Haradinaj e ka izoluar Kosovën, në 20 vitet e fundit kurrë s’kemi qenë më keq

Periskopi.com Lajme

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më keq se tash në 20 vitet e fundit, derisa ka theksuar se për rrëzimin e saj ka edhe deputetë të pozitës që do të jepnin votën.

Ajo ka thënë se vendimi i Kushtetueses për Ekipin Negociator është më së paku kontestues.

Kusari-Lila lë fajtor kryeministrin Ramush Haradinaj për izolimin e Kosovës.

“Haradinaj është treguar shumë i papërgjegjshëm me një mori vendimesh. Ai ka dhënë shumë premtime të mëdha, derisa këto duhet t’i bëjë në tavolinën e negociatave por nuk e ka bërë, fatkeqësisht ai ka përkeqësuar raportet me të gjitha institucionet dhe ka izoluar vendin”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk qëndron deklarata e PSD-së se tani presidenti Hashim Thaçi i ka duart e lira në dialogun me Serbinë.

“Absolutisht nuk është e vërtetë që i ka duart e lira presidenti, ai mund të ketë një rol këshillues, por nuk është e vërtetë që ai ka lirinë të negociojë marrëveshjen dhe tashmë po shohim lëvizjet e tij. Ai po përdor letrën e tij, Luginën. Të shohim se çfarë ka ndodh me ekipin negociator, ka filluar të humbë besimi tek të gjithë. Ka humbë ndjeshmëria dhe përgjegjësia e personave që po udhëheqin”, u shpreh Kusari-Lila.

Sipas saj kemi në vazhdimësi skandale që ndodhin në Kosovë dhe izolimin që na bëhet dhe qershia mbi torte është emërimi i spanjollit, Josep Borrell në vend të Mogherinit.

“Kjo tregon se çfarë i ndodh një shteti kur futet në rrugë qorre dhe nuk i merr detyrat që i takojnë. Nëse ne kemi pasur derën gjysmë të hapur gjatë kësaj qeverie na është mbyllur plotësisht”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se nuk beson se kryeministri dhe partitë e koalicionit nuk janë të vetëdijshme për dëmin që po ia sjellin Kosovës.

“Ndoshta kryeministri nuk do të ketë mandat deri në nëntor kur Borrello e merr mandatin, pasi mund të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë. Jam shumë e bindur se do të ketë edhe deputetë të pozitës që do ta nënshkruajnë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e kësaj qeverie. Tri qeveri deri më tash janë rrëzuar nga deputetët e pozitës. Ndarja e pushtetit, keqpërdorimi i vendimeve të kryeministrit janë më eklatantet që kemi parë deri më tani”, ka thënë ajo.

Sipas saj kurrë më keq Kosova nuk ka qenë se në këto 20 vitet e fundit.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se zhvillimi i kompleksit qeveritar përveç se i ushqen apetitet e pushtetarëve, nuk është asgjë tjetër.

“Kjo qeveri bën vetëm projekte prej së cilës nxjerr para kesh shpejt. Jam kundër kësaj autostrade, pasi nuk ka nevojë të rritjes së asfaltit por investime në ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, ka thënë ajo. “Ne po mbytemi çdo ditë nga ajri i ndotur, derisa vetëm rrisim numrin e ndërtimeve dhe betonit, e këto nuk adresohen por adresohen vetëm ato prej të cilave merr pare shpejt”.

Ajo thotë se ministri Pal Lekaj është sinonim i ministrit me abuzime të vazhdueshme.

“Nuk e di nëse ai do të heqë monopolin në homologim, ai do të duhej ta largonte këtë menjëherë, por duke parë veprimet e deri të tanishme e tërë kjo lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Kusari-Lila.