Kjo është gruaja që mundi të gjithë në Listën Serbe e që mund të bëhet ministre e Kurtit

Periskopi.com Lajme

Lista Serbe [Srpska Lista] vazhdon të jetë partia politike më destruktive në Kosovë dhe për më keq, në zgjedhjet e 6 tetorit vetëm sa u fuqizua duke i fituar mbi 95 për qind të votave nga komuniteti serb. Sidoqoftë, Albin Kurti ka hequr dorë nga qëndrimi i mëparshëm për të bojkotuar këtë parti dhe tashmë qeveria e tij, ashtu si qeveritë e mëparshme të shqiptarëve, janë në dorën e kësaj partie.

Dje u bë e ditur se Beogradi iu kishte dhënë direktiva të reja kësaj partie përkundër takimeve që kishin mbajtur me mandatarin për formimin e qeverisë së re, z.Kurti.

Në Beograd, u deklarua se kjo parti politike nuk do ta votonte qeverinë Kurti edhe pse do t’i merrte dy ministri në qeverinë e re të Republikës së Kosovës, shkruan Periskopi.

Edhe pse dihet që Lista Serbe në të vërtetë udhëhiqet nga Qeveria në Beograd dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, e po ashtu nga Marko Gjuriq si drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën dhe Metohinë, këto zgjedhje prodhuan rezultate mjaft të çuditshme.

Një grua doli si kandidatja më e votuar për deputete nga Lista Serbe. Emri i saj ishte Jasmina Dediq dhe e cila i fitoi 19 mijë e 664 vota. Ajo pasohej nga Milosh Peroviq (17 207 vota) dhe nga Verica Çeraniq (17 006 vota) duke lënë shumë prapa Igor Simiqin, Ivan Todosijeviqin dhe Slavko Simiqin.

Pikërisht znj.Dediq mund të jetë ministre në Qeverinë Kurti marrë parasysh rezultatin zgjedhor.

Por, siç mori vesh mbrëmë Periskopi, Lista Serbe ka vënë kushte madje edhe për thjesht pjesëmarrjen në Qeverinë Kurti. Mos-pjesëmarrja e tyre do të ishte problematike për qeverinë e re duke qenë se qeveria e Kosovës sipas Kushtetutës duhet të ofrojë pozita ministrore për pakicën serbe dhe pakicat joserbe./Periskopi

Drama e 6 tetorit: Pesë kandidatët që shokuan me rezultatet e tyre

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit do të mbahen mend për një mori çështjesh të ndryshme. Gara ndër-partiake ishte shumë e fortë, ashtu si edhe gara brenda-partiake mes kandidatëve për deputetë.

Periskopi ka përgatitur një listë prej pesë kandidatësh që thyen pritjet dhe arritën rezultat befasues. Kjo listë bazohet në rezultatet përfundimtare të KQZ-së, pas së cilave subjektet politike dhe kandidatët për deputetë i kanë 24 orë për të ushtruar ankesë.

1.Mimoza Kusari Lila – 22 mijë e 553 vota

Ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Thaçi II ia doli që brenda Lëvizjes Vetëvendosje t’i merrte 22 mijë e 553 vota. Konsiderojmë që ky është rezultat më i papritur se ai i zonjës Albulena Haxhiu apo z.Glauk Konjufca që ishin para saj.

Marrë parasysh që zonja Kusari Lila ishte pjesë e Alternativës brenda listës së LDK-së, pastaj ishte kandidate për kryeministre nga AKR dhe punoi në qeveritë e drejtuara prej PDK-së, Thaçi II e Rexhepi I, ky rezultat befason.

Megjithatë, Kusari Lila kishte marrë 20 mijë e 550 vota sa ishte pjesë e listës së LDK-së.

2.Eliza Hoxha – gruaja më e votuar në PDK

Këngëtarja dhe artistja e njohur Eliza Hoxha, befasoi të gjithë kur u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK]. Por, ajo e rriti befasinë edhe më shumë kur kandidoi për deputete me numrin 3 në listë.

Dhe duket se renditja e mirë nga partia ka ndikuar që ajo të jetë gruaja më e votuar në PDK me 9 mijë e 303 vota.

Sidoqoftë, vlen të përmendim se nga ky subjekt politik 15 deputetët më të votuar janë të gjithë burra, shkruan Periskopi.

3.Jasmina Dediq – më e votuara nga serbët e Kosovës

Jasmina Dediq doli të ishte politikanja më e votuar nga Lista Serbe me 19 mijë e 703 vota. Ajo la prapa vetes të gjithë politikanët e tjerë, disa prej të cilëve mjaft të njohur për publikun kosovar.

Igor Simiq që bartte numrin 1 doli i katërti më i votuar, ndërsa Slavko Simiq doli i dhjeti.

4.Vjosa Osmani – 176,188 vota

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, znj.Vjosa Osmani, ia doli mbanë që t’i fitonte 176 mijë e 188 vota ose vetëm 7 mijë vota më pak se Albin Kurti.

Marrë parasysh votat e partisë, del se zonja Osmani ishte më e fuqishme brenda LDK-së se sa që ishte Albin Kurti brenda VV-së.

Dhe padyshim, kjo nuk është pritur nga zgjedhësit në Kosovë.

5.Marigona Geci – 17 mijë e 740 vota

Marigona Geci – Lala është gruaja e dytë më e votuar në LDK pas Vjosa Osmanit dhe pa dyshim, një ndër gratë më të votuara në Kosovë. Ajo i mori 17 mijë e 740 vota duke u renditur si kandidatja e tetë më e votuar në nivel partie. Ajo njihet në opinion si e bija e z.Gani Geci.

Periskopi nuk ka përdorur në këtë artikull kriterin gjinor, por doli që të gjitha befasitë e mëdha ishin gra. /Periskopi

Gruaja e hekurt e Vuçiqit: Zonja Dediq del figura më e fuqishme e serbëve

Periskopi.com Uncategorized

Gruaja e Vuçiqit: Serbët e Kosovës e delegojnë

Lista Serbe mori rezultat befasues në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit duke fituar afër 60 mijë vota.

Kjo parti politike do të përfaqësojë thuajse krejtësisht serbët e Kosovës në Parlament, edhe pse ende nuk dihet nëse do të bëjnë ujdi me Albin Kurtin për të hyrë në Qeverinë e tij.

Deputetët e rinj të kësaj partie janë figura goxha të panjohura. Vetëm Slavko Simiq dhe Igor Simiq janë të njohur në politikën tonë.

Deputeti më i votuar nga Lista Serbe del të jetë në fakt deputete. Emri i saj është Jasmina Dediq dhe e cila ka fituar 19 mijë e 700 vota duke lënë prapa të gjithë kandidatët e tjerë.

Nuk dihen ende qëndrimet e zonjës Dediq dhe nëse do të ketë mundësi të jetë më afruese ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij. /Periskopi